Bie mbështetja për Donald Trumpin

  • A.P /
  • 19 November 2025 - 11:05
Bie mbështetja për Donald Trumpin

Përkrahja për presidentin amerikan, Donald Trump ka rënë në 38 për qind, që është niveli më i ulët që nga janari, kur ai u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Arsyeja kryesore është pakënaqësia e amerikanëve me mënyrën si po e trajton krizën e kostos së lartë të jetesës dhe çështjen e Jeffrey Epstein, tregoi një sondazh i Ipsos-it për Reuters.

Sondazhi katërditor, i përfunduar të hënën, vjen në një moment kur ndikimi i Trumpit në Partinë Republikane po tregon shenja dobësimi.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, votoi të martën për të detyruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë dokumentet për të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

Trump i ishte kundër kësaj për një kohë të gjatë, por të dielën ndryshoi papritur mendim. Projektligji duhet ende të miratohet nga Senati dhe të nënshkruhet nga Trump.

Sondazhi tregoi se mbështetja për Trumpin ka rënë me dy për qind krahasuar me sondazhin e fillimit të nëntorit.

Sondazhi, i kryer online, përfshiu 1017 qytetarë në mbarë vendin dhe ka një margjinë gabimi prej tre pikësh përqindjeje.

Popullariteti i 79-vjeçarit tani është pranë nivelit më të ulët sesa gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe afër vlerësimit më të dobët të paraardhësit të tij demokrat, Joe Biden.

Mbështetja më e ulët për Biden ishte 35 për qind, ndërsa ajo më e ulët për Trumpin në mandatin e parë ishte 33 për qind.

(Kosova Sot Online)