Forcat pas lëvizjes MAGA të Donald Trump-it
Qendra kërkimore konservatore, të krishterë evangjelistë dhe natyrisht miliarderë – në një SHBA që po zhvendoset gjithnjë e më djathtas krahas presidentit Donald Trump edhe shumë të tjerë kanë pushtet dhe ndikim.
Donald Trump nuk është as prej një viti president i SHBA-së dhe ka arritur ndërkohë që ta ndryshojë vendin rrënjësisht. Strategjia e re e sigurisë kombëtare, që publikoi qeveria në nëntor, ripërcakton objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së.
Partnerëve prej dekadash të SHBA-së si Europa iu desh të konstatojnë, se mbështetja e SHBA-së nuk është e vetëkuptueshme, por do të ofrohet vetëm nëse biznesmeni Trump sheh t’i ofrohet një deal i mirë për vendin e tij. “America First” pra, ose edhe, sikurse ishte slogani i fushatës së parë elektorale të Trumpit më 2016, “Make America Great Again” (MAGA).
Edhe në politikën e brendshme që prej marrjes së mandatit nga Trump më 20 januar 2025 shumë gjëra kanë ndryshuar. Agjentë të maskuar të Autoritetit të Migracionit ICE i zvarrisin njerëzit nga automjeti i tyre ose i arrestojnë në rrugë. Në qytetet, në të cilat shumë njerëz protestojnë kundër kësaj, presidenti dërgon Gardën Kombëtare. Mediet, që nuk raportojnë ashtu si i pëlqen Trumpit, akuzohen prej tij ose diskreditohen online. Masat për përfshijen e të punësuarve me aftësi të kufizuara ose për mbështetjen e diversitetit në ndërmarrje (të ashtuquajturat programe DEI) u shfuqizuan në të gjitha institucionet qeveritare.
Diversiteti konsiderohet si liberal, ose “woke” – dhe këto vlera janë të padurueshme për presidentin e SHBA-së. MAGA nuk është thjeshtë vetëm një slogan, por është një botëkuptim. Por lëvizja MAGA nuk është një tërësi e madhe unike. Për rryma të ndryshme janë çështje të ndryshme me rëndësi vendimtare. Trumpi si president i SHBA-së është njeriu në ballë të lëvizjes, por pas ideologjisë MAGA qendron një numër i madh grupimesh, që luftojnë për çështje që u interesojnë atyre.
Fondacioni Heritage
Heritage Foundation, një qendër kërkimore kombëtare me seli në Uashington, D.C., sipas të dhënave të veta, ka si objektiv mbështetjen e “politikës konservatore mbi bazën e ekonomisë së lirë të tregut, të shtetit minimal, të lirisë individuale, vlerave tradicionale amerikane dhe një mbrojtje të fortë kombëtare”. Nga ky fondacion e ka burimin edhe “Project 2025”, një plan i publikuar më 2023 që tregon se si mund ta rikonceptojë qeverinë një president i SHBA-së.
“Project 2025” ndër të tjera parashikon një qeveri të reduktuar rreptësisht, në të cilën punonjësit mund të shkarkohen lehtësisht dhe ku presidenti ka më shumë pushtet personal. Ndonëse Trumpi gjatë luftës elektorale theksonte, se ai nuk ka të bëjë me këtë projekt, pas ardhjes në pushtet ai ka vënë në jetë shumë ide të këtij plani. Në valën e nismës DOGE, që synonte ta bënte më efikase qeverinë e SHBA-së u shkarkuan mijëra nëpuës qeveritarë. Trumpi do gjithashtu ta zgjerojë autoritetin e tij. Ai i injoron vendimet gjyqësore si p.sh. për dëbimet e migrantëve. Dhe ai do të arrijë tani mundësinë për të shkarkuar shefat e padëshiruar prej tij në institucionet qeveritare.
Anëtarë të administratës së Trumpit si zëdhënësit e shtypit Karoline Leavitt dhe Russ Vought, drejtori i Office of Management and Budget, përpara punonin për Heritage Foundation. Vought madje ka qenë një ndër mendjet drejtuese të planit “Project 2025”. Për konventën elektorale Republican National Convention, ku në verën e vitit 2024 Trump u konfirmua zyrtarisht dhe u festua si kandidat për president, Heritage Foundation dha një donacion prej 1 milionë dollarësh (rreth 850.000 euro).
Të krishterët evangjelistë
Në planin “Project 2025” parashikohet gjithashtu, që duhet të kufizohet edhe më tej e drejta e abortit. Një grup, për të cilin kjo është një çështje e madhe, janë të krishterët evangjelistë, protestantë. Ata konsiderohen prej vitesh si mbështetësist më besnikë të Trumpit. Që Trump bëri publike, se preferon t’i ngacmojë gratë në pjesë intime dhe që ai ka pesë fëmijë me tri gra, kjo nuk i shqetëson ata. Ajo që ka rëndësi është që Trumpi të çojë përpara, atë për të cilën ata besojnë.
Në vjeshtën 2020, vetëm pak javë para zgjedhjeve presidenciale, Trumpi emëroi gjyqtare në Supreme Court një kundërshtare të spikatur të abortit. Në qershor 2022 Supreme Court me shumicë konservatore me gjashtë gjyqtare dhe gjyqtarë – tre ndër to të emëruar nga Trumpi – rrëzoi të drejtën e abortit në mbarë vendin. Qysh atëherë shtetet federale vendosin, nëse dhe me çfarë kushtesh lejohet aborti. Të krishterët evangjelikalë janë një lob i fuqishëm në SHBA, shumica e të cilëve zgjedh republikanët. Ndaj Trumpi për temën e abortit nuk do t’ua prishë atyre.
Një tjetër hap, që mund të ketë të bëjë me influencën e evangjelistëve është emërimi i ministrit të Mbrojtjes Pete Hegseth. I kirshteri evangjelist, i cili në të shkuarën e quante veten si “luftëtar i krishterë”, përjashtoi nga ushtria njerëzit trans, dhe sipas mediave, ai lëvdoi një prift për deklaratat e tij, që i adresoheshin përjashtimit të gruas nga e drejta e votës. Kritikët me rritjen e influencës së evangjelistëve ndaj qeverisë së SHBA-së shohin të rrezikohet ndarja e shtetit dhe kishës.
Miliarderë dhe blogera
Ndër ata, që duket se insipirojnë shumë prej ideve të Trumpit, është edhe Bloger-i dhe zhvilluesi i programeve kompjuterike Curtis Yarvin. Ai mendon, se koncepti i demokracisë është i vjetëruar – në vend të kësaj një shtet duhet të funksionojë si një ndërmarrje drejtuar nga një CEO. Elektorat nuk ka më, në vend të tij ka kliente dhe klientë me të drejtë shkarkimi. Sepse nëse ndokujt nuk i pëlqen shefi, d.m.th. qeveria, ai/ajo mund të transferohet diku tjetër. Edhe Trumpi përpara zgjedhjeve më 2024 bënte humor duke thënë, se nëse njerëzit kësaj here nuk votojnë për mua, atyre nuk do t’u duhet të votojnë më.
Ideja, për ta shndërruar Rripin e Gazës në një parajsë pushimesh, vjen gjithashtu nga Yarvin. Në prill 2024 ai propozoi, që populli palestinez të dëbohet nga Gaza dhe që ky territor të kthehet në një kompleks luksoz. Në shkurt 2025 Trumpi doli me idenë e tij, për ta kthyer Gazën në rivierën e Lindjes së Mesme duke argumentuar ngjashëm.
Edhe Peter Thiel, themeluesi i platformës online PayPal, e konsideron jo efikase demokracinë. Miliarderi i lindur në Gjermani në fushatën elektorale më 2016 përmes rrugëve të ndryshme dhuroi 1,25 milion dollarë (rreth 1 milion euro) për Donald Trumpin. Më 2024 ai nuk dhuroi për asnjë fushatë politike. Por pak vite më parë ai pati shpenzuar shumë para – p.sh. 15 milionë dollarë (rreth 13 milion euro) për fushatën e JD Vance për senatin. Suksesi i Vance-t në senat bëri që ai të arrinte postin e zëvendëspresidentit. Për Thiel-in ishte ky një investim i mençur me efekt afatgjatë.
Idetë dhe idealet e Thiel-it, si p.sh. se politika duhet t’ua lerë rrugën hapur koncerneve dhe firmave të teknologjisë, pasqyrohen edhe në politikën e qeverisë së SHBA-së. Së fundi Vance u ankua për ligjin e BE-së mbi shërbimet digjitale (Digital Services Act), mbi bazën e të cilit rrjetin social X e kërcënon një gjobë milionëshe.
(Kosova Sot Online)
