Ja çfarë dihet për sulmin e dyshuar ndaj rezidencës së Putinit

  • A.P /
  • 31 December 2025 - 15:00
Ja çfarë dihet për sulmin e dyshuar ndaj rezidencës së Putinit

Rusia akuzon Ukrainën për sulm ndaj rezidencës së Presidentit Putin. Udhëheqja ukrainase e hedh poshtë këtë si gënjeshtër që synon të justifikojë vazhdimin e luftës në Ukrainë. Çfarë dihet deri tani?

Për çfarë po e akuzon Rusia Ukrainën?

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov akuzoi Ukrainën të hënën (29.12.) se sulmoi një rezidencë presidenciale në rajonin e Novgorodit gjatë natës me 91 dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi. Ai tha se askush nuk u plagos dhe njëkohësisht njoftoi kundërpërgjigjen ruse. Moska nuk do të ndërpresë bisedimet për t’i dhënë fund luftës, tha Lavrov, por shtoi, se pozicioni i saj negociues do të “rishikohet” pas sulmit, të cilin e përshkroi si terrorizëm shtetëror. Lavrov nuk paraqiti prova për akuzën, por kërcënoi se Rusia tashmë kishte “identifikuar objektiva në Ukrainë”.

Si reagoi Kievi?

Presidenti Zelensky i hodhi poshtë akuzat ruse si “një raund i gënjeshtrash”. Ai tha se qëllimi i Rusisë ishte të justifikojë sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës dhe të zgjasnin luftën që ka vazhduar që nga pushtimi në shkurt 2022. “Kjo histori për ‘sulmin ndaj rezidencës’ të supozuar është një trillim i plotë”, tha ai. Ministri i Jashtëm ukrainas, Sybiha u bëri thirrje liderëve botërorë të dënojnë Rusinë për pretendimet e saj: “Ka kaluar një ditë dhe Rusia ende nuk ka paraqitur asnjë provë të besueshme për akuzat e saj. Dhe nuk do ta bëjë. Sepse nuk ka asnjë. Asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur.”

Ku ndodhet rezidenca?

Rezidenca Valdai, e njohur edhe si “Ushin” ose “Dolgiye Borody”, është një kompleks i ruajtur me masa të rrepta në brigjet e liqenit Valdai. Ndodhet afërsisht 360 kilometra në veri të kryeqytetit, Moskës. Nuk është e qartë se ku ndodhej Vladimir Putini për kohën në fjalë. Putini ende nuk ka komentuar publikisht për situatën.

Si reagoi Trump?

Putin e informoi presidentin amerikan për incidentin të hënën. “Nuk më pëlqen kjo. Kjo nuk është mirë”, u tha Donald Trump gazetarëve. “Është një gjë të ofendosh. Është diçka tjetër të sulmosh shtëpinë tënde. Nuk është koha e duhur për diçka të tillë. Dhe sot dëgjova për këtë nga Presidenti Putin. Isha shumë i zemëruar për këtë.”

Ku duhet të kenë qenë dronët?

Pas deklaratës së Lavrovit, Ministria Ruse e Mbrojtjes raportoi se 91 dronë ishin rrëzuar gjatë udhës për në rezidencën presidenciale. Këto përfshinin 49 mbi rajonin e Bryansk, 450 kilometra nga Valdai, një mbi rajonin e Smolensk dhe 41 mbi rajonin e pyllëzuar të Novgorodit. Në raportet e saj të mëparshme mbi operacionet ushtarake, ministria nuk kishte përmendur ndonjë sulm ndaj rezidencës. Në vitin 2023, Rusia akuzoi Ukrainën për sulmin ndaj Kremlinit me dronë në një përpjekje për të vrarë Putinin, por Ukraina mohoi çdo përfshirje.

Çfarë pritet?

Fillimisht nuk u shtrua për diskutim ndërprerja e bisedimeve për një paqe të mundshme. “Pasoja diplomatike do të jetë një forcim i pozicionit negociues të Federatës Ruse”, tha zëdhënësi i Kremlinit Peskov. Ai nuk specifikoi se cilat objektiva mund të sulmonte Rusia, por tha se ushtria e dinte se kur dhe si të reagonte.

(Kosova Sot Online)