Parisi mbledh udhëheqësit perëndimorë

  • A.P /
  • 06 January 2026 - 11:05
Parisi mbledh udhëheqësit perëndimorë

Zyrtarë nga më shumë se 30 vende perëndimore të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë, do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa vazhdojnë të përsosin një propozim paqeje që synon t’i japë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në takimin e 6 janarit do të ketë gjithashtu një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.

Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë më 5 janar.

Ata shpresojnë se takimi në Paris do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet e tjera evropiane “të jenë në të njëjtën linjë”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se shpreson të paraqesë “angazhime konkrete” për sigurinë e Ukrainës pas bisedimeve. Ideja është që të ketë qartësi mbi përbërjen dhe dislokimin e një force paqeruajtëse në rast të një armëpushimi.

Disa zyrtarë thonë se shifra që qarkullon në disa kryeqytete evropiane është që forca të përbëhet nga 15.000 deri në 20.000 trupa, megjithëse disa shpresojnë që niveli të jetë më afër 30.000, duke vepruar nën moton “det, qiell dhe tokë të sigurta”.

Nuk janë zbuluar plane ushtarake, por pjesa më e madhe e trupave do të vinte nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat do të udhëhiqnin komponentët tokësorë dhe ajrorë, ndërsa Turqia ka treguar se do të ishte përgjegjëse për sigurimin e korridoreve të transportit në Detin e Zi.

Megjithatë, ende nuk ka qartësi se sa afër vijës së kontaktit do të vendosej një forcë e mundshme e Koalicionit të të Gatshmëve. Shumica e zyrtarëve evropianë me të cilët ka qenë në kontakt REL-i besojnë se dislokimi i mundshëm do të bëhej në Ukrainën Perëndimore për të mbështetur dhe trajnuar trupat ukrainase.

Pyetje të pazgjidhura

Ndërsa kornizat e një pranie perëndimore në Ukrainë po marrin formë, ka ende disa pikëpyetje për t’u sqaruar, përfshirë rregullat e angazhimit dhe garancitë e sigurisë nga SHBA.

Një diplomat evropian pranoi se një çështje që ende nuk është zgjidhur është se si duhet reaguar ndaj një sulmi të mundshëm rus. “Në thelb ende po diskutojmë nëse do të kundërpërgjigjemi me zjarr apo do të largohemi”, tha ai.

Sa i përket garancive të sigurisë nga SHBA-ja, si Brukseli ashtu edhe Kievi po bëhen gjithnjë e më optimistë se Uashingtoni do të ofrojë “një mbështetje të fortë”, edhe pse ende nuk është e qartë saktësisht se çfarë forme do të marrë kjo.

Zyrtarë evropianë i thanë REL-it, në kushte anonimiteti, se mund të ketë trupa amerikane në terren në një rol jo-luftarak për të vëzhguar armëpushimin.

Por koalicioni gjithashtu shpreson që Uashingtoni të vazhdojë të ofrojë “mbështetje nga prapavija”, siç janë logjistika dhe inteligjenca.

Në nëntor 2025, Trump e shtyu Zelenskyn të pranonte një propozim paqeje me 28 pika, të cilin shumë e panë si dukshëm në favor të Rusisë.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë — të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania — u përpoqën me nguti të zhvillonin një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që përfshinte më shumë interesat e Kievit, veçanërisht në lidhje me garancitë e sigurisë dhe integritetin territorial.

(Kosova Sot Online)