Zelensky: Mbetet e pazgjidhur çështja e territoreve
Pasi u takua me homologun amerikan, Donald Trump, të enjten në Davos të Zvicrës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se janë finalizuar kushtet për garancitë e sigurisë për Ukrainën, por se mbetet e pazgjidhur çështja jetike e territoreve në luftën me Rusinë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në atë që e përshkroi si shenjë pozitive të progresit në bisedimet e gjata për paqe për t’i dhënë fund luftës, Zelensky tha se negociatorë nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë takime trepalëshe për herë të parë në Abu Dabi të premten dhe të shtunën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai gjithashtu tha se është pothuajse gati një marrëveshje për rimëkëmbjen ekonomike pas përfundimit të luftës me Rusinë, element kyç në propozimet e mbështetura nga Kievi për t’iu kundërvënë një plani të mëhershëm të Uashingtonit, i cili ishte parë si shumë favorizues për Moskën.
“Mendoj se takimi me presidentin Zelensky ishte i mirë. Është një proces i vazhdueshëm” – tha presidenti amerikan. Kur u pyet se cila ishte porosia e tij për homologun rus, Vladimir Putin, ai tha: “Lufta duhet të përfundojë.”
(Kosova Sot Online)
