Detaje nga aksioni për arrestimin e hajnave të votave

  • A.P /
  • 23 January 2026 - 12:00
Detaje nga aksioni për arrestimin e hajnave të votave

Rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori në pah vjedhje të mijëra votave të kandidatëve brenda partive.

Për këtë u vu në lëvizje Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore të Prizrenit për dyshimet për manipulim votash në rajonin e Prizrenit ku dyshohet se ka pasë manipulime më të mëdha.

Lajmin për këtë aksion e ka konfirmuar  zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti. Por, ajo s’dha shumë detaje, ndërsa paralajmëroi komunikatë më vonë për të gjithë aksionin e sotëm.

“Mund të konfirmoj se është duke u zhvilluar aksioni dhe ka të bëjë me manipulim votash. Për momentin nuk mund të jap më shumë detaje, por gjatë ditës do të dalim me njoftim”, tha shkurt ajo.

Ndërkaq, deri më tani u konfirmua se është arrestuar një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit, Nova Demokratska Stranka (NDS).

Avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, tha  se arrestimi ka qenë “i paligjshëm” dhe se s’ka asnjë provë për akuzën me të cilën ngarkohet klienti i tij.

“Është arrestuar për manipulim të votave, nuk ka asnjë provë që lidhet me këtë çështje të manipulimit. Është e cuditshme për mua si avokat imponimi i dorëzimit të telefonit menjëherë. Klienti e ka dorëzuar telefonin vullnetarisht dhe arrestimit. Arrestimi është i paligjshëm”, tha Gjini.

Mediumi publik raportoi se më shumë se 100 zyrtarë të angazhuar nga KQZ se janë ftuar për intervistim nga organet e drejtësisë nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

(Kosova Sot Online)