Berisha: Protesta e 24 janarit tronditi regjimin
Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se protesta kombëtare e së shtunës ka tronditur themelet e regjimit të Edi Ramës. Berisha akuzoi Edi Ramën si urdhëruesin e dhunës brutale kundër qytetarëve, e cila nuk kurseu as fëmijët 10 vjeçarë. Lideri i opozitës denoncoi se përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar është në shkelje të konventave ndërkombëtare dhe nuk mund të përdoret kurrë ndaj protestuesve. Berisha deklaroi se protestat e opozitës do të vijojnë pa ndalim deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se protesta kombëtare e opozitës tronditi nga themelet regjimin e Edi Ramës. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se për mbi 3 orë qytetarët u përballën me falangat e krimit të narkoregjimit dhe shprehu nderimin për ata mijëra qytetarë të cilët protestuan me vendosmëri kundër asaj që Berisha e quajti, organizata kriminale e Edi Ramës.
Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese. Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelët e drogës.
Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHIT dhe e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.
Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës.
Berisha akuzoi Edi Ramën si urdhëruesin e dhunës brutale kundër qytetarëve, e cila nuk kurseu as fëmijët 10 vjeçarë. Lideri i opozitës denoncoi se përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar është në shkelje të konventave ndërkombëtare dhe nuk mund të përdoret kurrë ndaj protestuesve.
Dje, narkopolicia me urdhër të Edi Ramës, e komanduar nga Proda i krimit, Proda i Gys Agasit edhe Suel Çelës, përdori dhunë të egër ndaj protestuesve.
Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s'mund të përdoret kurrë ndaj protestave.
Gazi lotsjellës ishte i skaduar prej tre vitesh. Dhe ai pas skadimit është e njohur se transformohet në helme të tjera të cilat japin dëmtime të rënda sistemeve, por mund të shkaktojnë dhe humbjen e pamjeve. U përdorën topat e ujit dhe mjete të tjera.
U goditën me shkopi protestues paqësorë dhe u arrestuan, u ndaluan brutalisht në akte të që cilësohen në krime kundër njerëzimit.
Fëmijë 10 vjeç tek dilte nga xhamia, 10 vjeçar, Romeo dhe s'kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij. Dhe e morën në mënyrën më të turpshme, më kriminale.
Berisha dënoi fushatën e arrestimeve dhe terrorin ndaj qytetarëve dhe nga ana tjetër i ktheu përgjigje mesazhit fyes të Edi Ramës ndaj protestuesve.
Ramaduro, sot në mëngjes pas një nate plot makthe shkruante i vrerosur, i bërë zeher, i tmerruar, në përçartjen e tij në X, fliste për rrugaç lagjesh, për mercenarë, cilësonte të rinjtë guximtarë. Unë u them këtyre heronjve të vërtetë, se gjëja e parë që më erdhi ndërmend kur lexova ishte, ishin akuzat që diktatori i fundit komunist u bënte të rinjve të Tiranës kur i quante halabakë, rrugeçër në gjuhën e, në gjuhën që përdor sot Edi Rama.
Ndaj dhe i them kaq Edi Ramës, ata janë nderi i kombit, krenaria e popullit dhe qytetarëve shqiptarë dhe të garantoj se ata nuk e kanë për asgjë përballë një kryehajdut, një Ramaduro që mbrohet nga banda dhe krimi dhe fundi i tij i pashmangshëm, fundin e tij të pashmangshëm do ta firmosin të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë
Berisha kishte një mesazh edhe për policët e ndershëm.
Asnjë akt në mbrojtje të Edi Ramës. Edi Rama është i dënuari i popullit shqiptar, është armiku i kombit shqiptar.
Meriton ndëshkim, ndëshkim dhe vetëm ndëshkim, bashkë me suitën e tij. Mos u bëni mburojë e një të keqeje të tillë që s'e ka njohur Shqipëria në historinë e saj.
Berisha deklaroi se protestat e opozitës do të vijojnë pa ndalim deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Pa dyshim që do ketë protesta, protesta dhe vetëm protesta. Ne jemi në kilometrin e fundit.
Ndaj dhe sot është koha më shumë se kurrë të tregojmë të bindur para ndërgjegjes sonë, të tregojmë se ne kurrë s'pajtohemi me këtë regjim. Por t'i tregojmë dhe botës, t'u tregojmë miqve tanë se kush jemi ne.
T'u tregojmë mbështetësve të Edi Ramës se sa gabim keni bërë duke mbështetur një padrino, një Ramaduro si ky. Ndaj dhe ju i patë përmasat e protestës dhe unë pres që ato të bëhen të papërmbajtshme dhe ju siguroj se do bëhen.
(Kosova Sot Online)
