Medvedev ofendon rëndë Zelenskyn
Zëvendëspresidenti i Këshilli i Sigurimit i Rusisë dhe kryetar i partisë Rusia e Bashkuar, Dmitry Medvedev, deklaroi se qëllimi i operacionit ushtarak në Ukrainë është garantimi i paqes dhe stabilitetit për dekadat e ardhshme, ndërsa nuk mungoi, edhe një herë, të përdorë tone përçmuese ndaj presidentit ukrainas.
Gjatë një vizite në rajonin e Sverdlovsk, konkretisht në një fabrikë për prodhimin e infrastrukturës hekurudhore, Medvedev theksoi se Rusia po vijon rrugën e zhvillimit dhe përparimit teknologjik, paralelisht me vazhdimin e operacioneve ushtarake.
“Më e rëndësishmja në vendin tonë është se zhvillimi vazhdon, përparimi teknologjik po ecën përpara. Por edhe operacioni special ushtarak në Ukrainë është në zhvillim dhe sigurisht që do të përfundojë. Qëllimi është të sigurohen paqja, stabiliteti dhe zhvillimi i vendit tonë për dekadat e ardhshme”, u shpreh ai.
Zyrtari rus nënvizoi gjithashtu se Moska nuk mund të pranojë ekzistencën e një shteti “jomiqësor” në kufijtë e saj, veçanërisht nëse ai është pjesë e NATO.
“Fatkeqësisht, nuk mund ta tolerojmë idenë e një shteti që ndodhet pranë vendit tonë dhe është armiqësor ndaj nesh, veçanërisht kur ai është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, pra e NATO-s”, deklaroi ai gjatë një takimi me punonjësit.
Medvedev përsëriti se Rusia “do të arrijë paqen dhe do të garantojë sigurinë e shtetit të saj”, duke theksuar se objektivat strategjikë të vendit mbeten të pandryshuar.
Në një pjesë tjetër të deklaratave të tij, ai sulmoi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të cilin e cilësoi si “idiot të dobishëm”, duke shtuar se sa më gjatë të qëndrojë në pushtet, “aq më i vogël do të bëhet territori i ‘Ukrainës’”.
(Kosova Sot Online)
