Berisha: Dënoj pushtimin e xhamisë nga banditët me uniformë

  • A.P /
  • 20 February 2026 - 15:45
Berisha: Dënoj pushtimin e xhamisë nga banditët me uniformë

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se dënon me forcën më të madhe atë që e cilësoi si “pushtim të vakëfit dhe të xhamisë nga banditë me uniformë”, duke iu referuar pranisë së forcave të policisë në afërsi të ambienteve të kultit para protestës së paralajmëruar.

Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe shprehu respekt për besimtarët myslimanë në nisje të muajit të Ramazanit, ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do të lejojë, sipas tij, përdorimin e territoreve të shenjta për përballje me protestuesit.

I pyetur në lidhje me simbolikën e 20 shkurtit dhe krahasimet me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në vitin 1991, Berisha u shpreh se ajo ditë shënoi përmbysjen e një regjimi dhe shtoi se qytetarët do të “shohin vetë përmbysjen” edhe sot. 

Deklarata e plotë:

Elda Menga: Më 20 shkurt 1991 keni rrëzuar shtatoren e diktatorit. Sot kë do rrëzojë PD, pasi Edi Rama nuk ndodhet në zyrë?

Sali Berisha: Enver Hoxha ndodhej në varr kur ne e përmbysëm.

Por rrëzuat shtatoren, sot kë do rrëzoni?

Sali Berisha: Ne faktikisht përmbysëm regjimin e tij atë ditë, shtatorja ishte një simbol i atij regjimi, kurse është, nuk është, pse ia mbath Edi Rama, qytetarët e shohin vetë përmbysjen me sytë e tyre. Edi Rama shpresë nuk ka më.
Iu dogj e gjitha. E thashë, minjtë po ikin nga anija që po mbytet. Nuk ka, po ikin minjtë.

Z. Berisha, ju jeni gjithmonë diskretë në skenarin e protestës, por duke qenë se një ditë më parë nisi muaji i shenjtë i Ramazanit, a do zhvendoset këtë herë protesta në dyert e parlamentit, aty ku fare pranë ndodhet edhe xhamia?

Sali Berisha: Edhe njëherë, për të gjithë ata që agjërojnë, nderimin dhe respektin tim më të madh.
Dënoj me forcën më të madhe pushtimin e vakëfit dhe të xhamisë nga banditë me uniformë dhe kërkoj që njeri prej tyre të mos shkelë në territorin e vakëfit dhe të xhamisë.
Protestuesit, absolutisht, përveç nderimit më të madh për ata që falin namazin në xhami, nuk mund të kenë asgjë tjetër.
Ata që hyjnë me uniforma, ata që përdorin territorin kundër protestuesve paqësorë, ata në ferr do përfundojnë, në xhehenem, atje e kanë vendin. Ata kryejnë një akt dy herë më të rëndë.
Prandaj, ne u shprehim respektin më të madh, se çfarë bëjnë banditët, ajo nuk është përgjegjësia jonë. 
Por ne do i çlirojmë shqiptarët edhe nga këta banditë.

(Kosova Sot Online)