Ja çka kërkoi Merz nga Trumpi
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, duke folur pas takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, tha se i bëri thirrje kreut të Shtëpisë së Bardhë që t’i bëjë trysni homologut rus, Vladimir Putin, rreth luftës në Ukrainë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Rusia këtu po luan për kohë dhe, duke e bërë këtë, po vepron gjithashtu kundër vullnetit të presidentit amerikan. Në bisedimet e sotme, unë bëra thirrje për rritje të presionit ndaj Moskës” – tha Merzi para gazetarëve.
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina po marrin pjesë në bisedime trepalëshe me qëllim të sigurimit të një marrëveshjeje të paqes. Megjithatë, kancelari gjerman tha se vetëm një pakt i mbështetur nga Evropa do të mund të ishte i qëndrueshëm.
“Ne nuk jemi të përgatitur për të pranuar një marrëveshje që është negociuar mbi kokat tona” – tha Merzi.
Ai tha më tej se Gjermania dhe ShBA-ja e ndajnë dëshirën e përbashkët për ta hequr regjimin e tanishëm të Iranit nga pushteti.
Në anën tjetër, Trumpi tha në Zyrën Ovale se Gjermania ka ofruar ndihmë në fushatën ushtarake kundër Iranit duke i lejuar forcat amerikane që të kenë qasje në baza të caktuara, duke e krahasuar këtë shtet evropian me Britaninë e Spanjën, të cilat i kritikoi për mungesë bashkëpunimi.
(Kosova Sot Online)
