Netanyahu: Synojmë të bëhemi të pavarur
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shprehu qëllimin e tij për ta larguar gradualisht Izraelin nga ndihma ushtarake amerikane gjatë dekadës së ardhshme në një intervistë me programin “60 Minutes” të rrjetit amerikan CBS.
Netanyahu tha se qëllimi i tij është të “zerojë ” anën financiare të bashkëpunimit ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke argumentuar se ka ardhur koha për të ripërcaktuar marrëdhënien ekonomike midis dy vendeve.
“Dua ta reduktoj në zero mbështetjen financiare amerikane, anën financiare të bashkëpunimit ushtarak që kemi”, tha ai, duke vënë në dukje se nuk dëshiron të presë që Kongresi i ardhshëm i SHBA-së të fillojë këtë proces.
Sipas tij, Izraeli merr afërsisht 3.8 miliardë dollarë në vit në ndihmë ushtarake amerikane, ndërsa marrëveshja aktuale parashikon një ndihmë totale amerikane prej 38 miliardë dollarësh për periudhën 2018-2028.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur mbështetja për Izraelin në Shtetet e Bashkuara ka treguar shenja rënieje që nga lufta në Gaza që shpërtheu në tetor 2023.
Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew të kryer në mars, 60% e të rriturve amerikanë kanë një pikëpamje negative për Izraelin, ndërsa 59% thonë se kanë pak ose aspak besim në mënyrën se si Netanyahu i trajton çështjet ndërkombëtare. Të dyja përqindjet janë shtatë pikë më të larta se një vit më parë.
(Kosova Sot Online)
