BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) pritet të miratojnë sot një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe të bien dakord për mbështetje shtesë për Ukrainën.
Në takimin në Luksemburg do të diskutohet gjithashtu konflikti në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet me Kinën.
Ministrat pritet të vendosin sanksione ndaj disa dhjetëra anijeve të tjera që besohet se i përkasin të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, cisternave dhe anijeve mallrash që Moska i përdor për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, tha javën e kaluar se priste që ministrat të miratonin masa të reja kundër individëve dhe organizatave që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimet e hyrjes në BE.
Paketa e 21-të e sanksioneve të BE-së do të jetë gjithashtu në axhendë, e cila mund të përfshijë një ndalim të hyrjes në Bashkimin Evropian për ushtarët rusë që morën pjesë në luftën në Ukrainë, por një vendim për këtë propozim pritet në një fazë të mëvonshme.
Ministrat do të diskutojnë gjithashtu përdorimin e 6.6 miliardë eurove nga fondi ushtarak i BE-së për Ukrainën. Pagesat nga fondi ishin bllokuar më parë për shkak të kundërshtimit të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Bashkimi Evropian kishte njoftuar më parë se do të fillonte zyrtarisht bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë sot.
Edhe pse BE-ja hapi zyrtarisht bisedimet e pranimit me të dy vendet në qershor 2024, fillimi i negociatave thelbësore me Ukrainën u bllokua për shkak të kundërshtimit nga Hungaria nën Viktor Orban.
Përveç Ukrainës, ministrat do të diskutojnë edhe situatën në Lindjen e Mesme, duke përfshirë masat e mundshme kundër Izraelit për mbështetjen e tij për kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor dhe veprimet e forcave izraelite në Rripin e Gazës.
Marrëdhëniet e BE-së me Kinën do të jenë gjithashtu në axhendë, raporton DPA.
(Kosova Sot Online)
