Patriotizmi i politikanëve shqiptarë është nacionalhajdutokracia

Patriotizmi i politikanëve shqiptarë është nacionalhajdutokracia
  • 17 October 2017 - 08:05

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Me koncept nacional, kombëtar dhe patriotik shumica dërrmuese e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë kuptojnë të drejtën e tyre për të manipuluar dhe spekuluar me të drejtën shtetërore, me patriotizmin, me votën dhe me pushtetin; kuptojnë dhe veprojnë me të drejtën për të vjedhur dhe grabitur pasuritë nacional-kombëtare, kuptojnë të drejtën për ta kapur shtetin dhe pushtetin me çdo lloj mjeti korruptiv e matrapazllëku, kuptojnë dhe veprojnë duke i atribuuar vetes së tyre të drejtën për të bërë vjedhjen, ligjin dhe korrupsionin në dëm të interesave dhe të imazhit kombëtar e shtetëror. Kur politikanët "e mëdhenj " shqiptarë dështojnë, kur realiteti ua çjerr maskën e mashtrimeve dhe të gënjeshtrave, dhe ua nxjerr zbuluar korrupsionin, lidhjet me krimin , me drogën, me kontrabandën , me vjedhjen etj., atëherë ata i referohen retorikës patriotike, nacionalizmit. Pra, kemi prej tyre tentimin apo orvatjen për të fshehur dhe maskuar, kleptokracinë, korrupsionokracinë apo korporatokracinë kriminale të tyre me maskën e nacionalizmit e patriotizmit të rrejshëm. Këtë e bëjnë për të mashtruar opinionin e brendshëm si dhe për t'ua "tërhequr" vëmendjen dhe në një- farë mase synojnë me demek për ta "frikësuar" Perëndimin se ata janë potentë dhe se kanë mbështetje popullore, pra synojnë për të mashtruar dhe për të krijuar edhe te ndërkombëtarët imazhin e liderëve kinse kombëtarë e të mbështetur.

Qytetarët po vuajnë ndërtimin e shtetit ligjor

Këta politikanë janë dështakët dhe mashtruesit më të mëdhenj të periudhës së tranzicionit si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Ata, dhe vetëm ata, janë përgjegjësit kryesorë që Shqipëria dhe Kosova politikisht dhe diplomatikisht po vuajnë dhe kanë dështuar në integrimin e brendshëm dhe në BE, në ndërtimin e shtetit ligjor. Ata, dhe kryesisht vetëm ata, janë shkaktarët e korrupsionit, të varfërisë, papunësisë dhe të largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre,. Ata e kanë marrë peng shtetin dhe shoqërinë dhe prej tyre pengohet dhe është bllokuar integrimi i dy shteteve tona për në BE. Këtë tashmë e dinë gjithë shqiptarët dhe publiku i gjerë gjithandej. Por, ama këtë politikë démodé (jashtë mode) shqiptare e mban dhe e miraton me hipokrizi të madhe edhe politika, diplomacia dhe institucionet e BE-së, të cilët në emër të mosrealizimit të detyrave të shtëpisë dhe të mospërmbushjes së standardeve nuk pranojnë anëtarësimin as të Shqipërisë dhe të Kosovës për në BE. Duhet ta pranojmë se Evropa akoma nuk është çliruar nga Islamofobia, kjo është dhe një arsye plus e padeklaruar, por në disa raste edhe e shprehur nga disa qarqe dhe politikanë të BE-së, si arsye pse nuk integrohet në BE Shqipëria dhe Kosova, sepse kanë përqindjen më të madhe të popullsisë të besimit Islam. Perëndimi tregohet shumë mosmirënjohës dhe hipokrit me shqiptarët duke spekuluar me ndjenjat pro eurointegraliste të shqiptarëve duke spekuluar edhe me armiqësinë e shqiptarëve me shovinizmin sllavo-rus prej së cilës evropianet janë të sigurt se shqiptarët nuk bien nën ndikimin rus. Këtë e bëjnë pasi realisht ata nuk e duan integrimin tonë në BE.

Dyfytyrësia e politikanëve shqiptarë

Me këtë politikë të këtyre politikanëve shqiptarë nuk realizohen standardet shtetformuese të shtetit modern, ngase nuk sundon ligji dhe nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, me këta politikanë antikombëtarë dhe dështakë e mashtrues , të cilët për të fshehur dështimin e tyre shpesh ata përdorin retorikën false pseudopatriotike , nacionalizmin , të cilën BE e kundërshton fuqishëm. Pra, BE-ja i përdor këto si argumente për të mos i integruar shqiptarët në BE deri ne pakufi. Dhe, BE-së nuk i intereson shumë se çfarë vuajnë e pësojnë shqiptarët prej politikanëve dhe prej pushtetit të tyre Sulltanesk, përkundrazi edhe i mbështesin herë pas here në theqafje. BE-ja dhe atyre perëndimorëve u mjafton vetëm ajo e cila quhet "stabilokraci", pavarësisht se çfarë qeverisje mashtruese e pa kualitet vjen në pushtet, dhe ata e njohin, bisedojnë e madje edhe i mbrojnë dhe lobojnë me ta dhe për ta fshehurazi dhe me hipokrizi. Kur politikanët shqiptarë e shkelin "në kallo", pra deklarojnë ndonjë frazë që nuk u pëlqen atyre, atëherë perëndimorët reagojnë dhe ua tërheqin veshin, dhe menjëherë politikanët shqiptarë servilë bëhen dele të bindura ndaj tyre, e harrojnë, madje edhe e interpretojnë retorikën nacionaliste sipas asaj që BE-së dhe politikës së saj u shkon për shtati me plot hipokrizi. Kjo është dyfytyrësia e politikanëve shqiptarë, e të gjithë pushtetarëve që ciklohen dhe riciklohen në pushtet , të cilët nacional-kleptokracinë, patriotizmin fals e tepër spekulativ e përdorin për të fshehur korrupsionin, antikombëtarizmin dhe tradhtinë e tyre në thelb.

(Kosova Sot)