Krimokracia në Shqipëri dhe në Kosovë

Krimokracia në Shqipëri dhe në Kosovë
  • 20 October 2017 - 09:33

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Si politika ashtu edhe drejtësia në Kosovë dhe në Shqipëri janë të kriminalizuara. Kur ambasadori amerikan u bënte thirrje shqiptarëve në Shqipëri para zgjedhjeve që "mos i votoni kandidatët me rekorde kriminale", kjo a nuk do të thotë se këta kandidatë i kishin zgjedhur partitë e lidershipëve dhe të prijësve të tyre të kriminalizuar. Kjo thirrje është tepër aktuale edhe për votuesit në Kosovë në zgjedhjet e 22 tetorit 2017. Deputetja aktuale e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, duke iu referuar fjalimit të ambasadorit amerikan, u shpreh në të njëjtën linjë me të kur ajo deklaroi se janë 4 klane dhe 20 familje mafioze që po mbajnë peng Shqipërinë dhe pengojnë VETTINGun. A nuk është kjo një rezyme katrastofike për demokracinë, për drejtësinë dhe për shtetin shqiptar sot. Kur deputeti aktual i Partisë Socialiste, ministri i Diasporës dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, deklaron në Parlament një të vërtetë të madhe se krimi na zgjedh ne dhe vazhdon me faktin e cituar po prej tij se: "Në Shqipëri është krijuar një shtresë njerëzish që e shesin votën". A nuk do të thotë kjo pra se në Shqipëri sundon krimokracia zgjedhore elektorale, e cila zgjedh pastaj edhe qeverinë, edhe administratën, edhe gjyqësorin kriminal dhe të korruptuar. Pra dy këta titullarë të PS-së vërtetojnë atë se Rilindja dhe Rama në Shqipëri i paskan blerë votat. Gjyqësori i korruptuar dhe i kriminalizuar në Shqipëri është i përmasave të tilla të padëgjuara ndonjëherë as në rang botëror. Për ta ilustruar këtë fakt mjafton të citojmë zgjidhjen e propozuar për gjyqësorin shqiptar prej kreut të EURALIUS- it, z. Rainer Deville, kur në nëntor 2015 në Tiranë deklaronte fuqishëm se "ka një zgjidhje - tha ai- shkarkimi i menjëhershëm i të gjithë 400 gjyqtarëve dhe 400 prokurorëve"! Pra, ky është korrupsioni i matastazuar i gjyqësorit në Shqipëri saqë kërkohet shkarkimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë.

Ky do të ishte një VETTING real dhe i duhur

"Aty ku asfiksohet drejtësia: aty kapet shteti dhe ligjin e bën e paligjshmja, e palejuara, antiligji dhe antishteti, pra aty sundojnë krimi dhe kusaria e organizuar për të shtypur, varfëruar e rrjepur popullin e vet, të cilit i vjedh pushtetin, pasurinë, pronën dhe i grabit dinjitetin e krenarinë, madje i shkatërron shëndetin e shpirtin dhe ia humb shpresën për të ardhmen në atdheun e vet". ( Nga libri im "TRIUMFI I KOMBIT" faqe 83, kapitulli "Shteti dhe Drejtësia", botuar në vitin 2010). Edhe djalli, edhe hajduti, edhe tradhtari, edhe krimineli i çdo kalibri dhe çdo lloji kërkojnë të mashtrojnë, të shfajësohen e të justifikohet në emër të drejtësisë. Kështu vepron edhe "GJYQËSORI" në Shqipëri dhe në Kosovë, i cili ka marrë shumë e shumë vendime krimi në dëm të shtetit dhe sidomos në dëm të qytetarëve shqiptarë/kosovarë në emër të drejtësisë dhe të Republikës. I gjithë sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe në Shqipëri është dhe funksionon si një sistem piramidal politik, i cili legjitimon e mbron krimet dhe korrupsionin; sistem vendimmarrës, i cili në fakt nxjerr në ankand liritë dhe të drejtat pronësore të shqiptarëve dhe të drejtën shtetërore; sistem i cili nga shkalla në shkallë kooperon dhe mbron tërë sistemin zinxhir të krimit dhe të padrejtësive të Gjyqësorit kundër lirive dhe të drejtave elementare të njeriut, të individëve, kundër interesit publik dhe imazhit kombëtar e shtetëror. Drejtësi për faje të së cilës shqiptarët po e braktisin atdheun dhe u janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të fituar të drejtat e tyre. Drejtësia në Shqipëri është bërë pra një problem shumë i madh edhe ndërkombëtar për botën moderne e të civilizuar perëndimore, për shërimin e së cilës dhe për shprangosjen e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare prej prangave skllavëruese të saj janë angazhuar vetë politika, diplomacia dhe administrata e SHBA-së dhe e BE-së me Ligjin e VETTING-ut. Kudo krimi ka shtrirë kthetrat e tij, kudo sundon vetëm ai. Flitet e përflitet kudo, nëpër faqet kryesore të gazetave dhe të televizioneve kombëtare dhe atyre prestigjioze ndërkombëtare për krimin elektoral, për vjedhje dhe shitblerje votash, për krimin politik, gjyqësor, ekonomik, për krimin e organizuar, atë ordiner, krimin e korrupsionit gjithinstitucional, për krimin akademik e intelektual të shitblerjes së diplomave, për atë arkeologjik, mjedisor, për ekomafinë, për krimin e prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore dhe sidomos për krimin e organizuar nga strukturat shtetërore e qeveritarët e shtetit, nga mafia politiko-gjyqësore e kultivimit, përpunimit dhe e trafikimit të drogës, ku Shqipëria me të drejtë është etiketuar nga politikanë, diplomatë dhe media të ndryshme perëndimore si Kolumbia e Evropës dhe si Kanabistan.

Modeli i drejtësisë krimogjene bartet në Kosovë

Për çudi deri më sot nga drejtësia në Shqipëri pothuajse jo vetëm asnjë pushtetar, por dhe asnjë gjyqtar e as prokuror nuk është ndëshkuar as minimalisht për ta pushuar të paktën nga puna për dëmet shumë të rënda që u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë, si atë ekonomik, psikologjik, moral dhe financiar; askush nuk është përgjigjur për dëmin e madh financiar të miliona e miliona eurove për shtetin shqiptar, si dhe as për dëmin e rëndë dhe shumë negativ që sistemi gjyqësor i ka shkaktuar imazhit të Shqipërisë, ku mosfunksionimi i shtetit ligjor është arsyeja kryesore e mosintegrimit të Shqipërisë në BE. Kjo drejtësi dhe kjo politikë e kësaj drejtësie që sundon Shqipërinë në këtë tranzicion të stërzgjatur është një sundim krimokracie dhe tradhtie ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë edhe në Kosovë. Dhe, fatkeqësisht ky model politik dhe kjo lloj drejtësie krimogjene është importuar, instaluar dhe funksionon fuqishëm edhe në Kosovë. Por, tani ka ardhur koha edhe ta themi troç, direkt dhe pa mëdyshje atë që është më se e vërtetë: atë se politika dhe sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe në Kosovë janë dhe identifikohen si vetë krimi i organizuar. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe në Kosovë gjeneron krimin, korrupsionin, degradimin moral e shpirtëror, urrejtjen, përçarjen, vetëgjyqësinë, varfërinë dhe dëbimin e shqiptarëve/kosovareve nga atdheu i tyre. Krimi dhe padrejtësia e politikës dhe e drejtësisë kriminale mbi qytetarët e saj ka detyruar edhe shumë shqiptarë/kosovarë që duke mos pasur mundësi që të realizojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre ata kanë ndryshuar edhe kombësinë dhe shtetësinë e tyre duke bërë të mundur krijimin edhe të minoriteve të huaja në Shqipëri si boshnjak, malazias, bullgarë e serbë, pasi duke u pajisur me pasaporta e duke u deklaruar si të tillë ata mendojnë se janë më të sigurt, më të përkrahur dhe më të mbrojtur nga padrejtësia e drejtësisë në Shqipëri, pasi për ta dhe të drejtat e tyre si "minoritarë" tashmë interesohen edhe ambasadat e atyre shteteve kombësinë e së cilave kanë deklaruar nga imponimi i padrejtësive që u bëhen në Shtetin shqiptar. Dhe mënyra tjetër për t'i shpëtuar padrejtësisë ata që kanë zgjedhur shumë e shumë shqiptarë është largimi i tyre nga atdheu drejt shteteve të BE-së. Dhe a ka krim më të madh sesa ky që bën drejtësia dhe politika antikombëtare në Shqipëri, duke ua imponuar shqiptarëve/ që të ndërrojnë emrin, identitetin dhe kombësinë?

Edhe shoqëria civile dhe shumica e OJQ-ve nuk u dukën gjëkundi

Pra, padrejtësia e sistemit të drejtë- sisë është krimi më i madh kundër individit, shtetit dhe shoqërisë në Shqipëri e në Kosovë, e që përbën kërcënimin më të madh për sovranitetit kombëtar e shtetëror. Prandaj e tërë politika, qeverisja qendrore e vendore, drejtësia si dhe media ishin kundër dhe pengonin e bllokonin hapur dhe me hipokrizi miratimin e Ligjit të VETTING-ut, sepse kjo do të përbënte një nismë vetëndëshkimore për vetë ata, ndëshkimin për krimet e tyre. Edhe shoqëria civile dhe shumica e OJQ-ve nuk u dukën gjëkundi, nuk u panë gjëkundi as solidariteti dhe as përkrahja e tyre në dobi të miratimit të këtij ligji vetëpastrues të shtetit dhe shoqërisë. Kjo për faktin se edhe lidershipët e shoqërisë civile në Shqipëri dhe në Kosovë janë të zhytur në korrupsion, në servilizëm e tradhti, të cilët për interesa personale i kanë tradhtuar e mashtruar gjithmonë kolektivitetin e shoqatave të drejtuara prej tyre, duke i përdorur ata si mjete e vegla presioni dhe për numra votash në shërbim të pushtetit, prej të cilit ata kanë vjelë përfitime personale e familjare nga buxheti i shtetit. Krime janë edhe manipulimet, mashtrimet dhe hipokrizitë, të cilat shkaktojnë trauma, mjerim dhe fatkeqësi. Krime janë edhe skandalet e shkaktuara nga ata prej të cilëve vijnë ato. Skandalet kriminale me korrupsionin, me krimin e organizuar, me vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të qytetarëve dhe të shtetit, skandalet dhe abuzimet me tenderët, investimet, me paranë publike dhe me drogat janë me pasoja katastrofike të mëdha për vendin dhe shoqërinë të cilat vijnë nga pushteti dhe padrejtësia. Kjo korporatokraci apo më saktë kjo korporato-krimo-hajdutokraci korruptive dhe e kriminalizuar fare e montuar në sistem vepron në lidhje simbiotike duke mbajtur dhe mbrojtur komponentët përbërës të saj që janë politika, pushteti, drejtësia, OJQ-të dhe media e korruptuar. VETTING-u do të çlironte së pari drejtësinë dhe paralelisht do ta pastronte edhe politikën, administratën e shtetit dhe shoqërinë nga vargonjtë e krimit, të korrupsionit, si dhe shtetin e shoqërinë nga pengmarrja dhe prej kthetrave të politikës, të krimit të organizuar, të atij ordiner dhe nga korrupsioni endemik. Me miratimin e VETTING-ut dhe me fillimin e funksionimit të tij do të binin në rrjetë peshkaqenët e mëdhenj të politikës, pushtetit dhe gjyqë- sorit, të cilët kanë bërë batërdinë me korrupsionin, vjedhjen, me drogën dhe grabitjen e pasurive publike, të qytetarëve dhe me pasuritë kombëtare dhe me paranë publike në tenderë dhe në investime. Me dëbimin nga politika dhe gjyqësori të individëve me rekorde kriminale, me konfiskimin e pasurive të tyre të grumbulluara me vjedhje e zhvatje , korrupsion dhe me krim, si dhe sidomos ndëshkimi ligjor penal i tyre do t'ua kthente qytetarëve shpresën dhe besimin e humbur te shteti dhe te drejtësia ligjore. Kjo korporatokraci që e ka kapur shtetin nuk njeh dhe as nuk është fare e interesuar për zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë dhe as Kosovës si nga pikëpamja ekonomike, politike, demokratike, kulturoro-akademike dhe as për punësimin dhe kundër varfërisë dhe as për vlera e standarde, por si antivlerë që është, kjo korporatokraci politiko-ligjore kriminale, hajdute dhe parazitare, ajo është e interesuar vetëm për interesin e vet personal të pasurimit dhe të zhvatjes së shoqërisë dhe të shtetit. Me VETTING-un në Shqipëri dhe në Kosovë do të fillonte çmontimi i këtij sistemi dhe përveç të tjerash do të çlirohej edhe ekonomia e kapur nga kthetrat e krimit ekonomik, e kapur prej monopolit të importit të produkteve dhe mallrave dhe të kontrabandimit të cilat pengojnë dhe bllokojnë zhvillimit e biznesit dhe të ekonomisë së barabartë kombëtare. Kontributin real në efikasitetin e punës së VETTING-ut do ta bënin qytetarët e lirë duke denoncuar te organet e tij të gjitha aferat korruptive të pushtetarëve si dhe vendimet skandaloze kriminale dhe korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. VETTING-u për nga rëndësia për Shqipërinë dhe për Kosovën përbën ngjarjen e dytë më të rëndësishme pas rënies së komunizmit, pas rënies së drejtësisë skllavëruese komuniste. VETTING-u në Shqipëri dhe në Kosovë do ta çlironte shtetin dhe shoqërinë shqiptare/kosovare nga krimi dhe korrupsioni i drejtësisë së krimit dhe korrupsionit "demokratik" të përmasave më se të jashtëzakonshme që ka mbërthyer politikën drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë në Shqipëri dhe në Kosovë. Një VETTING në Kosovë do të ishte fitorja e dytë më e madhe pas Pavarësisë së Kosovës, do të ishte një çlirim i dytë i madh prej krimit dhe korrupsionit politik dhe prej drejtësisë së krimit dhe korrupsionit edhe atje. Në prag të zgjedhjeve lokale votuesi në Kosovë të flasë dhe të reagojë për interesin e tij, që të mos i votojë për kryekomunarë dhe për këshilltarë individët e korruptuar, të kriminalizuar dhe që kanë rekorde kriminale. Pra vota e tyre detyrimisht të bëjë VETTING-un.

(Kosova Sot)