Presidenti Trump shkon në Kinë

Presidenti Trump shkon në Kinë
  • 08 November 2017 - 12:21

Shkruan: Richard N. Haass

Presidenti i SHBA-së. Donald Trump është duke kaluar afro dy javë në Azi, duke vizituar Japoninë, Korenë e Jugut, Kinën, Vietnamin dhe Filipinet. Vendosja e Kinës në qendër të udhëtimit të tij e ka kuptimin e vet, sepse Kina përbën ndalesën më të rëndësishme si në aspektin strategjik ashtu edhe në atë ekonomik. Koreja e Veriut do të mbizotërojë pjesën më të madhe të bisedimeve gjatë qëndrimit të Trump-it në Kinë, kryesisht sepse ai shpreson se liderët kinezë do ta zgjidhin problemin e Koresë së Veriut në vend të SHBA-së. Kjo qasje është e kuptueshme, sepse pjesa më e madhe e tregtisë së Koresë së Veriut kalon nëpër territorin kinez dhe Kina mund të ushtrojë presion të madh mbi Korenë e Veriut, nëse ajo do të dëshirojë. Por, ka gjasa që Trump të largohet i zhgënjyer. Kina nuk do të pranojë të ushtrojë të gjithë forcën e saj, në mënyrë që të mos e dëmtojë stabilitetin e Koresë së Veriut. Ironia dhe tragjedia e mundshme e pozicionit të Kinës është se lejimi i Koresë së Veriut të rrisë dhe përmirësojë arsenalet e saj bërthamore dhe raketore mund të ushqejë një vrull drejt luftës ose ta bëjë Korenë e Jugut, Japoninë, ose edhe të dyja bashkë, që të rishikojnë qëndrimet e tyre jo-bërthamore. Secili nga këto rezultate do të ishte në kundërshtim me interesat strategjike të Kinës, por, si shumë qeveri të tjera, edhe liderët e Kinës do të përpiqen të shmangin vendimet e vështira në një afat të shkurtër, edhe nëse kjo rezulton në dëmtimin e rezultateve me kalimin e kohës. Problemi i Koresë së Veriut është vetëm një nga shumë të tjerë në agjendën kinezeamerikane, që përfshin çështje të tjera gjeopolitike. Duhen trajtuar gjithashtu edhe disa çështje ekonomike, sikur që është dështimi i Kinës për ta respektuar pronën intelektuale, subvencionet e saj të mëdha ndaj firmave të orientuara nga eksporti, kufizimin e qasjes në tregjet e saj dhe përpjekjet për t'iu kërkuar firmave të huaja që bëjnë biznes në Kinë, që të transferojnë teknologji të përparuar te firmat kineze.

Argumentet pesimiste

Lista e çështjeve që ndajnë këto dy vende të rëndësishme dhe të fuqishme është e gjatë dhe e vështirë, duke përforcuar pesimizmin e atyre që parashikojnë se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojnë të acarohen. Një nga argumentet kryesore pesimiste ka të bëjë me modelin historik, me anë të të cilit fuqitë në rritje dhe ato tanimë të forta, kanë tendencë të përfundojnë duke konkurruar ose edhe luftuar me njëra-tjetrën. Një libër i shkruar tash vonë nga shkencëtari politik i Harvardit Graham Allison, fokusohet te i ashtuquajturi "Kurthi i Tukidit", që mban emrin e historianit të lashtë grek, i cili kishte pasqyruar konkurrencën që shkaktoi Luftën e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës, superfuqive të asaj kohe. Allison portretizon Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në këto role dhe e titullon librin e tij "Të destinuara për luftë". Parashikime të tilla janë të pajustifikuara. Ato zvogëlojnë efektin zbehës të armëve bërthamore, që për më shumë se katër dekada ka ndihmuar në pengimin e nxehjes së Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Ata gjithashtu harrojnë aftësinë e SHBA-së dhe Kinës për të vepruar me finesë në lidhje me mosmarrëveshjen rreth Tajvanit. Diplomacia mund dhe do të ketë rëndësi. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ka shumë pak gjëra të pashmangshme. Në të vërtetë, SHBA-ja dhe Kina kanë arritur t'i mbajnë lidhjet e tyre në një nivel relativisht të njëjtë, pavarësisht zhdukjes së arsyes origjinale për marrëdhënien e tyre - antipatinë e përbashkët ndaj BRSS-së - pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, një çerek shekulli më parë. Marrëdhënia e gjerë ekonomike që ka evoluar që atëherë u ka dhënë të dy vendeve një rol në ruajtjen e marrëdhënieve të mira. Dhe, duke pasur parasysh nevojën e Kinës për një stabilitet të jashtëm, me qëllim të vazhdimit të zhvillimit ekonomik, liderët e saj kanë vepruar me një përmbajtje të konsiderueshme. Megjithatë, shqetësimet e pesimistëve nuk mund të hiqen nga mendja. Në fund të fundit, vendet shpesh nuk arrijnë të veprojnë bazuar në interesat e tyre ose ngjarjet thjesht dalin jashtë kontrollit. Për shembull, liderët kinezë mund të tundohen që të veprojnë me më shumë vendosmëri për të qetë- suar opinionin publik, në kohën e një ekonomie të ngadalësuar dhe për të përfituar nga mundësitë e krijuara nga një SHBA që është tërhequr nga marrëveshjet e tregtisë rajonale.

Koreja e Veriut do të jetë sprova më e madhe

Rreziqet janë të larta, pasi historia e shekullit XXI do të ndikohet jo pak nga karakteri i marrëdhënieve kineze-amerikane. Trump, i cili heziton mes kritikave të ashpra ndaj Kinës në lidhje me tregtinë, dhe lëvdatave për presidentin Xi Jinping, do të duhet t'i ekuilibrojë shqetësimet e tij legjitime në lidhje me tregtinë, me nevojën për të shmangur nisjen e një lufte tregtare. Dhe, presidenti Xi do të duhet të gjykojë atë që mund të japë për ta kënaqur mysafirin e tij amerikan, pa rrezikuar qëndrimin e tij apo të partisë së tij, para syve të popullit kinez. Megjithatë, Koreja e Veriut do të jetë sprova më e madhe. Presidentët Trump dhe Xi duhet ta gjejnë një mënyrë për ta larguar krizën në Gadishullin korean - ose të menaxhojnë pasojat nëse vjen deri te shpërthimi i luftës, si pasojë e dështimit të diplomacisë. Në skenarin e fundit, do të ishte e rëndë- sishme që një Luftë e dytë Koreane të mos çojë në luftime të drejtpërdrejta amerikanokineze, siç bëri e para. Dhe, bashkëpunimi do të ishte i rëndësishëm për ta ruajtur kontrollin mbi substancat bërthamore të Koresë së Veriut. Të gjitha këto do të kërkojnë diplomaci të shkathët. Shpresojmë vërtet që presidentët Trump dhe Xi të hedhin së shpejti themelet e saj.

(Richard N. Haass është president i Këshillit të SHBA-së për marrëdhënie me jashtë)
 Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)