Të mos luhet me Kombin Shqiptar dhe me vlerat e tij!

Të mos luhet me Kombin Shqiptar dhe me vlerat e tij!
  • 10 November 2017 - 08:32

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Në historinë e Kombit Shqiptar (shek.II -XXI) deri më sot asnjë shqiptar nuk ka derdhur lot, vaje dhe nuk është martirizuar për asnjë "komb kosovar", por vetëm për KOMBIN SHQIPTAR dhe për SHQIPËRINË ETNIKE. Kjo është e vërteta aksiomatike, jo përralla dhe utopia e Nexhmedin Spahiut, se gjoja Amerika dhe Evropa paskan krijuar "kombin kosovar", jo SHTETIN KOSOVAR! Këtij fenomeni antishkencor dhe antikombëtar shqiptar iu kemi referuar me dhjetëra e dhjetëra herë (2004- 2017), por autori i tij, Nexhmedin Spahiu, edhe më tej po vazhdon me avazin e vjetër, duke imagjinuar një "komb kosovar" politik për qëllime, për interesa dhe për përfitime personale dhe karrieriste të tij, duke harruar se është pjesë e kombit shqiptar. Këtë ëndërr imagjinare e justifikon edhe ky pohim i tij: "Libri u kushtohet njerëzve të vizionit dhe të sakrificës, veprat e të cilëve përbëjnë themelet e kombit kosovar."!? (Shih në librin me titull "Drejt kombit kosovar", Mitrovicë, 2004 (Parathënie).Mirëpo, "kombi kosovar" nuk ka kurrfarë heronjsh, dëshmorësh, shkencëtarësh shqiptarë e as ndërkombëtarë!

Tezë dinake, e paturpshme dhe indoktrinuese, propagandistike

Këtë të vërtetë e di jo vetëm i gjithë kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike, por edhe Ballkani, edhe Evropa, edhe Amerika dhe mbarë bota. Megjithëkëtë, Nexhmedin Spahiu pohon të kundërtën, duke shkruar në parathënien e librit të tij me titull "Drejt kombit kosovar" (2004) se atë ua ka kushtuar "njerëzve të vizionit dhe të sakrificës, veprat e të cilëve përbëjnë themelet e kombit kosovar."!? Në lidhje me këtë tezë dinake të paturpshme dhe indoktrinuese propagandistike, shtrohet kjo pyetje: -Cilët janë ata luftëtarë dhe vizionarë, që me veprat e tyre shkencore, patriotike dhe heroike çlirimtare kombëtare kanë hedhur "themelet e kombit kosovar" të Nexhmedin Spahiut? -Kur dihet se komandanti dhe heroi legjendar kombëtar shqiptar, Adem Jashari, së bashku me 55 anëtarë të tjerë të familjes Jasharaj dhe me të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e rënë dhe të gjallë të UÇKsë anembanë Kosovës kanë luftuar, flijuar dhe sakrifikuar jetët e tyre për lirinë e saj, për ribashkimin e KOMBIT SHQIPTAR, për Kosovën dhe për SHQIPËRINË ETNIKE, jo për kurrfarë "kombi kosovar" të trilluar të Nexhmedin Spahiut. Asnjë, përveç Nexhmedin Spahiut (2004-2017), i cili në këtë rast ka degraduar veten si veprimtar i shkencës dhe ka turpëruar vetën si njësi e kombit shqiptar

Të vërtetën historike të Kosovës nuk mund ta injorojë as kuazishkenca spekuluese, propagandistike e Nexhmedin Spahiut

Ky konstatim është absurd dhe i pajustifikueshëm si në aspektin doktrinar, ashtu edhe në atë praktik mbase deri më sot (1912- 2017) në historinë e Kosovës, nuk mund të gjesh asnjë individ, asnjë akademik (që ka krijuar ndonjë vepër a studim shkencor), asnjë organizatë, asnjë parti, asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare, që kanë luftuar, sakrifikuar dhe flijuar për formimin e të ashtuquajturit "komb Kosovar". Prandaj, këtë të vërtetë historike të Kosovës nuk mund ta injorojë as kuazishkenca spekuluese propagandistike e Nexhmedin Spahiut, as e atyre që symbyllazi kanë përqafuar "kombin kosovar" të tij. Pra, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut (XV) e deri në ditët e shekullit XXI asnjë shqiptar i Shqipërisë etnike nuk ka derdhur djersë, as gjak, as nuk ka krijuar ndonjë vepër (historike, kulturore, politike, diplomatike, juridike… etj.) për formimin e të ashtuquajturit "komb kosovar" të N. Spahiut. Andaj, as ajka akademike, as populli e as politika nuk kanë asnjë arsye që të ushqehen, të mashtrohen dhe të manipulohen me nusproduktin politiko-propagandistik të "kombit kosovar", sepse nuk ka kurrfarë baze historike, antropologjike, politike, sociologjike, etnologjike, kulturore…etj., qoftë në sfondin e zhvillimit horizontal apo vertikal të procesit të krijimit të kombit. Së fundi, shqiptarët në Kosovë e as në territoret e tjera indigjene të Shqipërisë Etnike nuk kanë nevojë për kurrfarë "kombi kosovar", sepse që nga shekulli XIX kanë kombin e tyre, i cili me çdo kusht duhet të ribashkohet edhe si komb, edhe si shtet brenda kufijve historikë dhe gjeopolitikë të SHQIPËRISË ETNIKE, jo në kurrfarë kombi të imagjinuar politik dhe artificial të autorit Nexhmedin Spahiu.-Jo, vetëm shqiptarët mbi 90% si degë e pashkëputshme natyrale e KOMBIT SHQIPTAR, por as grupet etnike të romëve, të ashkalinjve, të myslimanëve boshnjakë, të "goranëve" etj. në Kosovë, nuk e njohin dhe nuk e pranojnë "kombin kosovar"të Nexhmedin Spahiut. Mirëpo, nëse, edhe më tej përsëritet imponimi i të ashtuquajturit "komb kosovar", i sajuar nga "farkëtari" Nexhmedin Spahiu, atëherë ky nuk mund të cilë- sohet vetëm si gabim profesionist, por edhe si tradhti e qëllimshme ndaj kombit dhe ndaj shkencës, përkatë- sisht si vetëmohim kombëtar. Pra, shkurt e shqip, drejt dhe pa gabime, shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për "kombe konglomerate kosovare), por për një shtet të fuqishëm të së drejtës, me aspiratën dhe me prioritetin e ribashkimit të tij me Shqipërinë. Kjo do të ishte zgjidhja më e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

(Kosova Sot)