Theresa May përpiqet që ta sigurojë një marrëveshje të keqe të Brexitit

Theresa May përpiqet që ta sigurojë një marrëveshje të keqe të Brexitit
  • 08 December 2017 - 09:42

Shkruan: Garvan Walshe

Me një Skoci dhe Irlandë Veriore, të mbetura besnike ndaj rregullave ekonomike të BE-së, "e bashkuar" është epiteti që më së paku do të mund të përdorej për emërtimin e Mbretërisë. Më mirë është që ajo të quhet ish Mbretëria e Bashkuar e Anglisë dhe Uellsit.

 Është një mësim të cilin Britania, e pamësuar që të negociojë nga pozita e palës më të dobët, ka filluar që ta mësojë. Britania filloi negociatat rreth Brexitit, e bindur se në dorë kishte pesë karta të fuqishme: thellësinë financiare të City-t të Londrës; kontributet e mëdha të saj ndaj buxhetit të BE-së; "bilancin pozitiv të sigurisë"; raportin e saj me Angela Merkelin; si dhe madhësinë e saj krahasuar me Irlandën. Por këto karta - të vlefshme derisa Britania ishte anëtare e BE-së - u bënë të pavlefshme pas vendimit të saj për t'u larguar. Londra iu ishte qasur negociatave të saj për një "partneritet të thellë dhe të veçantë" sikur ajo të ishte një opsion tjetër për të dalë nga BE-ja. Ajo supozonte se bashkëpunimi britanik ishte i vlefshëm dhe se mund të këmbehet me qasje ndaj tregut. Ajo mendonte se rezultati i referendumit forconte, e jo dobësonte pozicionin e saj. Britania tani zyrtarisht kishte shprehur mospëlqimin e saj me BE-në dhe, sipas kësaj logjike, Britania duhej të kërkonte një çmim më të lartë nga partnerët e saj evropianë, për vazhdim të bashkëpunimit.

Blofi i Britanisë

Por, në Bruksel, Paris dhe Berlin, kjo më shumë dukej si një zhvatje britanike. Pas Brexitit, përfundimisht ka ardhur koha që të pushojmë së luajturi 'Britgeld'. ('Danegeld' quhej tatimi të cilin mbretëritë anglosaksone dikur ua paguanin okupatorëve të tyre vikingë). Duke insistuar në një moment se "asnjë marrëveshje nuk është më e mirë sesa një marrëveshje e keqe", Britania kërcënonte se do t'i braktiste negociatat. BE-ja, pasi vlerë- soi se Britania ishte duke negociuar me një revole të drejtuar kah koka e vet - këtë e mori si blof. Brukseli ndau negociatat në dy faza. Ai donte që Britania të bënte një 'përparim të mjaftueshëm' duke u marrë me dëmet anë- sore të cilat Brexit kishte shkaktuar në lidhje me të drejtat e qytetarëve të BE-së, si dhe në lidhje me kufirin e Irlandës veriore, para fillimit të diskutimit rreth të së ardhmes së raportit midis Britanisë dhe BE-së. Të hënën në mëngjes, derisa taoiseach-u (kryeministri) irlandez ishte duke shkuar në punë, i veshur me bluzë, dukej sikur Britania kishte dështuar në tri këto qëllime: të paguajë detyrimet e saj të mëdha, të pranojë diçka të paqartë nga juridiksioni i ECJ në lidhje me të drejtat e shtetasve të BE-së që do të jetojnë në Britani pas Brexit-it, dhe të pajtohet me një "rreshtim rregullues" për Irlandën e Veriut me BE-në, duke evituar një kufi fizik. Sikur Britania të ishte një shtet unitar, atëherë kjo marrëveshje, sado e papërshtatshme për May-n, nuk do të bëhej. Por, sistemi politik i Britanisë ka filluar që të ngjajë me një federatë. Ajo vendosi që t'i injoronte popujt përbërës të Britanisë, kur përgatiste rrugën për një Brexit të vështirë, i cili do ta nxirrte Britaninë nga tregu i përbashkët dhe Unioni doganor i BE-së. Tani, ata janë ngritur kundër saj. Konservatorizmi i saj mund të dominojë në Anglinë rurale, por ai gjendet në vend të dytë në Skoci, Uells dhe në kryeqytet (Irlanda Veriore ka një sistem të veçantë politik). Nicola Sturgeon, kryeministër i Skocisë dhe Sadiq Khan, kryetar i qytetit të Londrës, që të dy kanë pyetur: "Nëse Irlanda e veriut mund ta ketë një "rreshtim rregullues" me Tregun e përbashkët dhe me Unionin doganor, atëherë pse ne nuk mundemi? Të gjithë, me përjashtim të Partisë demokratike unioniste (DUP), grupimit nga Irlanda Veriore nga mbështetja parlamentare e të cilit varet qeveria e kryeministres May.

May ka ngecur

Partia DUP mund të llogaritë në mbështetjen e vetëm 36% të votave të Irlandës veriore. Por, për shkak të sistemit zgjedhor britanik, si dhe për shkak të vendimit ideologjik të Sinn Fein që të mos marrë pjesë në parlament, DUP është partia e vetme që e prezanton Irlandën veriore në Londër. Dhe, derisa Dublini dëshiron evitimin e ndonjë kufiri ekonomik midis Irlandës veriore dhe Republikës, partia DUP kundërshton kufirin midis Irlandës Veriore dhe Britanisë. Tani, May ka ngecë. Nëse një "përparim i mjaftueshëm" nuk do të mund të arrihet deri në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, pas dy javësh, atëherë bizneset do të fillojnë me aktivizimin e planeve për një Brexit të çrregullt. Por, nëse një gjë e tillë arrihet, atëherë unionistët demokratë mund ta rrëzojnë qeverinë e saj dhe të shkaktojnë mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat mund t'i shfrytëzojë partia e saj konservatore. May me gjasë ka mundësi që ta mposhtë partinë DUP me anë të ndihmës nga nacionalistët skocezë; por ata, në këmbim, do të kërkonin që Skocia të merrte marrëveshjen e njëjtë, e cila i është ofruar Irlandës Veriore. Kërkesa e Londrës për autonomi, në anën tjetër, mund të përballet për momentin. Por, me një Skoci dhe Irlandë Veriore, të mbetura besnike ndaj rregullave ekonomike të BE-së, "e bashkuar" është epiteti që më së paku do të mund të përdorej për emërtimin e Mbretërisë. Më mirë është që ajo të quhet Ish-mbretëria e Bashkuar e Anglisë dhe Uellsit (Former United Kingdom of England and Wales). Jua lë juve që ta krijoni shkurtesën e këtij emërtimi.

(Garvan Walshe ishte dikur këshilltar politik i Partisë konservatore të Britanisë)

(Kosova Sot)