Me largimin e "misioneve të huaja", fillon strategjia e kaosit në Kosovë - Opinione - Kosova Sot
Me largimin e "misioneve të huaja", fillon strategjia e kaosit në Kosovë

Me largimin e "misioneve të huaja", fillon strategjia e kaosit në Kosovë

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI 

Barometri diplomatik

Si Hashim Thaçi, ashtu edhe drejtuesit e tjerë politikë të Kosovës, duhet të mbajnë parasysh faktin se "misionet e huaja" nuk shkojnë aq lehtë nga Kosova, sepse vetë Qeveria dhe Parlamenti i Hashim Thaçit me aprovimin e tyre ka legalizuar veprimin në Kosovë

Mos e kritikoni dhe mos e fajë- soni BE-në, se mund të ndodhë ajo më keqja, që disa shtete të saj ta tërheqin njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ky do të ishte fundi i Kosovës si shtet. Këto e do Beogradi, Moska dhe Pekini etj. - Ta kritikosh BE-në është njësoj si ta kritikosh edhe AMRIKËN, sepse këto bashkërisht kanë interesa dhe objektiva komplementare në Kosovë, duke qenë se bashkërisht e kanë çliruar dhe pavarësuar Kosovën (17 shkurt 2008). Duhet të jemi aq të aftë politikisht dhe largpamës, e të kuptojmë se, kur kritikohet BE-ja, duke kërkuar që misionet e saj të vullnetit të mirë, të largohen nga Kosova, ashtu siç ka kërkuar naivisht presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi, indirekt goditet edhe interesi strategjik i Amerikës dhe i NATO-s në Kosovë, duke qenë se për çdo vendim që ka miratuar BE-ja për Kosovën, Uashingtoni zyrtar e ka mbështetur pa asnjë rezervë, edhe kur është fjala për themelimin e Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë (1998/99), si dhe kur është fjala për përkrahjen e Dialogut të Brukselit (2011-2017). E gjithë kjo është bërë me pëlqimin e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi. Prandaj, në këtë kontekst, nuk është e drejtë dhe racionale, që presidenti Thaçi ta kritikojë dhe ta fajësojë vetëm BE-në, e cila së bashku me Amerikën e ka njohur Republikën e Kosovës, me përjashtim të Greqisë, të Qipros Greke, të Spanjës, të Sllovakisë dhe të Rumanisë. Nëse presidenti i Kosovës kërkon largimin e "misioneve të huaja" nga Kosova, gjoja se sipas tij dhe ishpulenit të tij diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, tanimë "Serbia de-fakto dhe de-jure e ka njohur Kosovën" (kështu, pa u skuqur fare disa herë publikisht kanë deklaruar para opinionit publik vendor dhe atij ndërkombëtar), ky do të ishte një gabim fatal, sepse, pa dyshim, do të çonte drejt kaosit dhe anarkisë në Kosovë ngaqë Kosova ende nuk është sovrane as në kuptimin politik, diplomatik, juridik, ekonomik e as në atë ushtarak. Këtë e dëshmon prania e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, siç janë KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u me Rezolutën e tij 1244, e cila është në favorin e Serbisë mbase nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për këtë qëllim Serbia ka hyrë në bisedime me Kosovën në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2017). Prandaj, si Hashim Thaçi, ashtu edhe drejtuesit e tjerë politikë të Kosovës, duhet të mbajnë parasysh faktin se "misionet e huaja", nuk shkojnë aq lehtë nga Kosova, sepse vetë qeveria dhe parlamenti i Hashim Thaçit me aprovimin e tyre ka legalizuar veprimin e tyre në Kosovë. Ato "misione të huaja" një ditë, do të ikin nga Kosova, por, jo, kur të kërkojë presidenti Thaçi, tanimë i mllefosur dhe i frikësuar pa arsye nga Gjykata Speciale e Hagës. Po them i frikësuar pa arsye se qe 17 vjet nuk është apostrofuar e as ftuar nga Tribunali i Hagës (1993-2017) për kryerjen e ndonjë krimi të luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale nuk është imponuar nga BE-ja, por nga Beogradi, dhe është votuar nga Prishtina

Post-festum, kot presidenti Hashim Thaçi e kritikon BE-në, duke pohuar se "BE-ja e ka imponuar themelimin e Gjykatës Speciale dhe institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë…" Pse keni pranuar formimin e Gjykatës Speciale, kur e keni ditur se atë ua ka imponuar Bashkimi Evropian (BE)?! Atëherë, do të duhej të reagonit edhe si qeveri, edhe si Parlament shtetëror i Kosovës kundër asaj gjykate të "patentuar" sipas dëshirës së kriminelëve të Beogradit, gjoja vetëm për hetimin dhe denoncimin e krimeve të luftës në Kosovë. Kjo ishte e keqja, absurdi dhe gabimi politik i Hashim Thaçit dhe i institucioneve të Kosovës. Votuan Gjykatën Speciale, votuan EULEX-in, votuan Planin 6- Pikësh të Vuk Jeremiqit, të cilin e aprovoi Ban Ki Moon-i, që edhe pas pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), të mbetej një pjesë e UNMIKut në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, si dhe votuan Dialogun e Brukselit (2011- 2017). Eh, tash, pas të gjitha këtyre gabimeve fatale, të pakorrigjueshme për politikën, për diplomacinë dhe për drejtësinë e Kosovës, presidenti aktual Hashim Thaçi, si dhe mbështetësit e tij të dikurshëm në qeveritë e koalicionit të tij, nuk duhet të nxitojnë me reagimet e tyre politike kritikuese , duke e akuzuar BE-në dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë, se gjoja ata janë fajtorët kryesorë, që Kosovës i imponuan: Gjykatën Speciale, EULEX-I-in , Planin 6-Pikësh të ish-sekretarit të Përgjithshëm të KS-së së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, që garantoi dhe vulosi mbetjen e "shtesës" së UNMIK-ut, si dhe Dialogun e Brukselit, sepse përgjegjësinë dhe fajin kryesor ( pas pavarësisë së Kosovës) për të gjitha këto gabime me përmbajtje juridike, politike, ekonomike, diplomatike dhe kushtetuese e kanë ish-kryeministri Hashim Thaçi së bashku me institucionet e tij të personalizuara dhe të instrumentalizuara, me qëllim të qëndrimit të tij sa më të gjatë në pushtet, i cili, edhe ka viktimizuar interesin e përgjithshëm nacional dhe shtetëror të Kosovës, duke përfillur kërkesat e sipërtheksuara absurde, joligjore, jokushtetuese dhe jodemokratike të Serbisë, të mbështetur nga disa faktorë evropianë ndërkombëtarë. Në këtë pikëvështrim, presidenti Thaçi, duhet të jetë autokritik, të mos e fajë- sojë vetëm BE-në, përkatësisht "misionet e huaja", por edhe vetveten, si dhe ata që e kanë mbështetur në qeverinë dhe në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime dhe rezoluta të gabueshme, që direkt dhe indirekt sfidojnë statusin politik dhe juridik kombëtar dhe ndërkombëtar të Kosovës së pavarur (17 shkurt 2008-2017). Pse dy gjykata ndërkombëtare për të njëjtin qëllim?! Si ish-kryeministri Hashim Thaçi, ashtu edhe Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e kanë pasur fare të lehtë të refuzonin formimin e Gjykatës Speciale Evropiane, gjoja për "dënimin e krimeve të luftës në Kosovë", sepse për një qëllim të këtillë ekzistonte, vepronte dhe, edhe sot vepron Tribunali i Hagës (1993-2017). Kështu që, ligjërisht, Kosova nuk ishte e detyruar, që të pranonte edhe një Gjykatë të Dytë Speciale Evropiane për ta denoncuar vetveten, kur dihet se reprezalie, masakra, terror dhe krime të gjenocidit ndaj popullatës së pambrojtur civile shqiptare në Kosovë kanë kryer bandat terroriste çetniko-fashiste paramilitare, militare dhe policore të Serbisë së Slobodan Milosheviqit. Këto, njësite inkuizicioni serbe, të drejtuara nga shteti dhe, të "bekuara" nga Kisha Ortodokse Serbe kanë kryer krime dhe masakra ataviste në Kosovë (1998-1999), jo UÇK-ja, e cila ka përfillur rregullat dhe normat e së drejtës së luftës dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

"Përzënia" e misioneve të huaja, fatalitet për Kosovën!

Në këtë rast, nuk duhet të ngutet presidenti Thaçi, sepse pikësëpari, Kosova është pa ushtri të veten dhe e panjohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Një gjë të tillë të ngutshme dhe të pamend e patën bërë talebanët e Afganistanit, të cilët pasi u çliruan nga çizmja e hekurt sovjetike 10-vjeçare (1979-1989) në saje të ndihmës së Amerikës, ata, menjëherë ia kthyen shpinën Amerikës, duke iu kundërvënë në forma të ndryshme terroriste, me qëllim që ta "pastronin" nga Afganistani. Mirëpo, u doli "dardhë me bisht" ngaqë ata vetë nuk ishin në gjendje që të qeverisnin vendin e tyre, dhe të arrinin të pajtoheshin si popull unik, por vazhduan me fraksionet e tyre fisnore dhe fundamentaliste të luftës për pushtet, me çka vendin e çuan nën sundimin e trupave të huaja ndërkombëtare. Pra, presidenti Hashim Thaçi dhe lidershipi i Kosovës, nuk duhet të nxitojnë me vendimet e tyre për heqjen e misioneve të huaja nga Kosova, sepse kjo si shtet ende është e papërfunduar në kuptimin juridik ndërkombëtar. Ende nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare mbase nuk njihet nga OKB-ja, pavarësisht se kjo njihet nga 113 shtete, që nga njohja e pavarë- sisë uniaterale nga ana e Amerikës dhe e aleatëve të saj euro-perëndimorë (17 shkurt 200-2017). Pra, pavarësisht nga "dëshira" politike, nuk është aq thjeshtë, që presidenti Thaçi ta përzë Amerikën dhe aleatët e saj euro-perëndimorë nga Kosova (ngase Amerika dhe BE-ja kanë interesa komplementare në Kosovë, përkatësisht në Ballkan), sepse Kosovën e kanë çliruar dhe e kanë pavarësuar presidentët Bill Klinton dhe George W. Bush së bashku me NATO-n, jo Hashim Thaçi me milionerët e tjerë, të cilët qe 17 vjet, në kohë paqeje, Kosovën e kanë rrjepur për së gjalli, duke e plaçkitur, kriminlizuar dhe varfëruar për familjet, miqtë, partitë, klanet, mëhallët, nahijet dhe për partnerët e bizneseve të tyre, të cilët qe 17 vjet e drejtojnë Kosovën sipas interesave dhe përfitimeve të veta. Tash, " nuk pi ujë" asnjë kritikë patetike (qoftë edhe e drejtë e objektive) e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, që vë në dukje sheshit pendimin e tij për të gjitha ato favore, që ia ka bërë politikës serbomadhe të Beogradit zyrtar, duke i mundësuar, që të hapte Dialogun e Brukselit (2011-2017), dialog ky, i cili pretendon të shndërrohet në një Konferencë Ndërkombëtare (ku Serbia po kërkon me ngulm, edhe pjesëmarrjen e Rusisë dhe të Amerikës) për rishqyrtimin e statusit të pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2017). 

(Kosova Sot)  

18 orë e 18 minuta më parë
16/12/18