Më 8 shkurt 1945 në Kosovë ishte vendosur diktatura ushtarake - Opinione - Kosova Sot
Më 8 shkurt 1945 në Kosovë ishte vendosur diktatura ushtarake

Më 8 shkurt 1945 në Kosovë ishte vendosur diktatura ushtarake

Grabitja e tokave shqiptare (2) 

SHKRUAN: PROF.DR.HAKIF BAJRAMI

Treshja Rankoviq-Gjillas-Kolishevski jo që nuk pajtoheshin për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, por nuk lanë gurë pa lëvizur për ta ndarë Kosovën në tri pjesë, në mënyrë që Kosovë mos të ketë fare, si Sanxhaku. Historikisht, kjo ndarje do të ishte sot tragjedia më e madhe kombëtare shqiptare, ashtu si është sakatosur Sanxhaku

Siç e vërtetojnë dokumentet, Shaban Polluzha ishte kthyer nga udhëtimi i Brigadës tij dhe ishte stacionuar në Podujevë dhe rrethinë. Por, prapa shpinës së Brigadës Shaban Polluzhës, Spasoje Gjakoviq, Pera Brajeviq dhe Krsta Filipoviq kishin organizuar vrasjet mizore në Drenicë dhe kufomat i kishin futur nën akull në Lumin Drenica. Pas një kohe po këta (Spasoja, Pera dhe Krsta), me skenar e kishin organizuar likuidimin e Shaban Polluzhës më 20/21 shkurt 1945, kur Miladin Popoviqi dhe Fadil Hoxha ishin për ankesa në Beograd. Fadil Hoxha pa u trembur do t`i thotë Mosha Piadës dhe Eduard Kardelit, se Kosova me çdo çmim duhet t`i bashkohet Shqipërisë, sepse ne ndërtojmë të njëjtin sistem socialist. Fadili në Beograd do të marrë përgjigje pozitive. Por treshja RankoviqGjillas-Kolishevski jo që nuk pajtoheshin për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, por nuk lanë gurë pa lëvizur për ta ndarë Kosovën në tri pjesë, në mënyrë që Kosovë mos të ketë fare, si Sanxhaku. Historikisht, kjo ndarje do të ishte sot tragjedia më e madhe kombëtare shqiptare, ashtu si është sakatosur Sanxhaku. Kështu ka ndodhur me Sangjakun pra, që u nda në mes Serbisë dhe Malit Zi.(Për të gjitha këto konkludime dokumentet relevante posedohen). E vërteta në këtë faktorizim të shqiptarëve me luftë masive antifashiste (ishin 54000 luftëtarë antifashistë shqiptarë-hb), J. B. Tito do të nxitojë që degradimi ushtarak të 2 shtatorit 1944, t`i bashkëngjitet edhe degradimit politik, i cili do të ndodhë pasi që më 8 shkurt 1945 në Kosovë ishte vendosur diktatura ushtarake. Për ta kundërshtuar këtë skenar antishqiptar, më 19-21 shkurt 1945, Fadil Hoxha dhe Milladin Popoviq do të shkojnë në Beograd për t`u ankuar se diktatura ushtarake është vendosur pa lejen e tyre dhe pa asnjë fakt relevant.

Degradimi politik i Kosovës

Degradimi politik i Kosovës do të ndodhë pas vrasjes së Milladinit, më 13 mars 1945, nga agjentët e OZN-së së Spasoje Gjakoviqit. Degradimi de-jure do të ndodhë më 31 mars 1945, në Konferencën e Tretë të PKJ për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Deri në këtë kohë PKJ për Kosovën ishte e lidhur direkt me KQ PKJ nga viti 1940. Asnjë lidhje politike apo ushtarake nuk e kishte Shtabi Kryesor i Kosovës e as Komiteti Krahinor i Kosovës me institucionet antifashiste të nivelit tillë të Serbisë. Nuk ekziston asnjë letër (dokument) e vetme. Edhe në aspektin e Këshillit Nacionalçlirimtar (pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv antifashist), Serbia nuk e kishte asnjë lidhje me Këshillin Nacionalçlirimtar të Kosovës. E vërteta, VASNO i Serbisë ishte themeluar në dhjetor 1941, dhe kurrë nuk kishte mbajtur asnjë mbledhje deri më 9-12 XI 1944. Në mbledhjen e VASNOSit (posedohet dok), nuk është përmendur me asnjë fjalë Kosova, sepse nuk ishte pjesë e Serbisë. Por, më 7- 9 prill 1945 VASNOS ishte konvertuar në ASNOS. Në ASNOS ishin dërguar dy mysafirë nga Kosova: Mehmet Hoxha dhe Dushan Mugosha (9 prill 1944) pa asnjë autorizim të KNÇ i Kosovës. Këta mysafirë do të deklarojnë se "Kosova dëshiron t'i bashkohet Serbisë federale". Kjo ishte një tradhti publike e radhës, sepse më 10 prill 1945 TITO për t'i DEFAKTORIZUAR shqiptarët e Kosovës do t`u thotë: "Ju 90% keni qenë me fashizmin".Kjo do të thotë, sipas Konferencës së Teheranit (Villson, Stalin, Qerçill) se 'KISHTE të drejtë t`i likuidojë shqiptarët e Kosovës pa dallim", sepse kualifikohen si "bashkëpunëtorë të fashizmit". Ky fakt nuk është shpjeguar kurrë në opinionin shqiptar, sepse është ndaluar dhe censuruar çdoherë. Dhe, si pasojë më 10 korrik 1945 në Prizren, nën presionin e OZN-së, aprovohet Rezoluta për aneksim të Kosovës nga Serbia federale. Pas këtij tubimi do të fillojë ploja për likuidimin fizik të atyre që e kundërshtonin aneksimin serbian të Kosovës. Rezolutën e Prizrenit në vijim, e miraton së pari Kryesia e AVNOJ-it më 7 gushtë 1945, pra jo asnjë organ i Serbisë.

Çka i tha Kardeli Stalinit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Në vijim, më 2 shtator 1945, Kryesia e ASNOS-it e aprovon një Statut për Kosovën me 11 nene dhe çdo e drejtë e Kosovës vihet para aktit të kryer me dhunë shtetërorepolitike dhe ushtarake. Duhet të shënojmë se as FNRJ e as RP e Serbisë, nuk kishin fare kushtetuta në këtë kohë. Kushtetuta e RFDJ aprovohet vetëm më 31 janar 1946. Në qershor të vitit 1946, Enver Hoxha, me ekipin e tij, do ta vizitojë Beogradin. Aty do t`i thotë Titos pa ekivoke se "Kosova ka qenë e shqiptarëve dhe duhet të i takojë Shqipërisë". Toto me dinakëri do të përgjigjet se:"Tani për tani reaksioni çetnik serbian është në ofensivë dhe kjo nuk mund të ndodhë tash. Më vonë Po". Më 1947 E Kardel do ta vizitojë Moskën dhe Stalinit në pyetjen e bërë do t` i përgjigjet: "Kosovën në të ardhmen, ne mendojmë t`ia japin Shqipërisë". Të kthehemi në çështjet e brendshme. Vendimin e Kryesisë AVNOJ-it (7 gusht 1945) e aprovon definitivisht Kryesia e Kuvendit Popullor të Republikës Serbisë më 26 korrik 1946. Ndërsa Kushtetuta e Serbisë aprovohet më 1947. Çka është kjo lojë me Kosovën, që arbitrarisht aneksohet. Në vijim Kuvendi i KSA Kosovës e aprovon Statutin e vet më 1948, të cilin duhej ta miratonte Kuvendi i Serbisë, si koloni moderne.

(Kosova Sot)

4 orë e 47 minuta më parë
22/11/18