Kërcënimi i dyfishtë për demokracinë liberale - Opinione - Kosova Sot
Kërcënimi i dyfishtë për demokracinë liberale

Kërcënimi i dyfishtë për demokracinë liberale

NGRITJA E POPULISTËVE

Mobilizimi popullor u paraqit në mungesë të një tradite liberale, apo të praktikave liberale

Shkruan: DANI RODRIK

Demokracia joliberale, apo populizmi, nuk është rreziku i vetëm politik me të cilin ballafaqohet Perëndimi. Demokracia liberale është duke u rrezikuar edhe nga një tendencë për të theksuar aspektin 'liberal', në dëm të aspektit 'demokratik' 

Kriza e demokracisë liberale është e madhe sot. Presidenca e Donald Trump-it, Brexiti dhe ngritja elektorale e populistëve të tjerë në Evropë, kanë nënvizuar rrezikun që del nga 'demokracia joliberale' - një lloj i politikave autoritare që kanë sukses në zgjedhjet popullore, por nuk kanë shumë respekt për sundimin e ligjit, apo për të drejtat e pakicave. Por, janë të paktë ata analistë që kanë vërejtur se demokracia joliberale, apo populizmi, nuk është rreziku i vetëm. Demokracia liberale është duke u rrezikuar edhe nga një tendencë për të theksuar aspektin 'liberal', në dëm të aspektit 'demokratik'. Në këtë lloj të politikës, sundimtarët janë të izoluar nga llogaridhënia demokratike nga një tërësi e restrikcioneve të cilat limitojnë gamën e politikave të cilat ata mund t'i realizojnë. Organet burokratike, rregullatorët autonomë dhe gjykatat e pavarura caktojnë politikat, apo ato imponohen nga jashtë me anë të rregullave të ekonomisë globale. Në librin e tij të ri dhe të rëndësishëm, "The People vs. Democracy", teoricieni politik, Yascha Mounk, këtë lloj të regjimit e quan "liberalizëm jodemokratik". Ai vëren se regjimet tona politike ka kohë që kanë pushuar së funksionuari si demokraci liberale, e gjithnjë e më shumë duken si liberalizëm jodemokratik.

Rregullat e ekonomisë globale

BE-ja ndoshta paraqet kulminacionin e kësaj tendence. Themelimi i një tregu të përbashkët dhe i një unifikimi monetar, në mungesë të integrimit politik, ka kërkuar delegimin e politikës te organet teknokrate, sikur që është Komisioni evropian, Banka qendrore evropiane, si dhe Gjykata evropiane e drejtësisë. Vendimmarrja është duke u bërë gjithnjë e më shumë larg publikut. Edhe pse Britania nuk është vend anëtar i eurozonës, mbështetësit e Brexitit thërrasin për ta kthyer kontrollin, duke pasur parasysh frustrimin të cilin e ndjejnë shumë votues evropianë. SHBA-ja nuk ka përjetuar ndonjë gjë të tillë, por trendë të ngjashëm shumë njerëz i kanë bërë të ndihen pa të drejtë vote. Sikur që vëren Mounk, politikëbërja është provinca e një supe alfabeti të organeve rregullatore - duke filluar nga Agjencia e mbrojtjes së ambientit (EPA), e deri te Administrata e ushqimit dhe ilaçeve (FDA). Gjykatat e pavarura përdorin prerogativat e tyre të rishqyrtimeve gjyqësore për të promovuar të drejtat e njeriut, për të zgjeruar liritë e riprodhimit dhe për të filluar shumë reforma të tjera sociale të cilat kanë hasur në armiqësi në mesin e segmenteve të rëndësishme të popullimit. Dhe, rregullat e ekonomisë globale, të administruara nëpërmes marrëveshjeve ndërkombëtare, sikur që është Organizata tregtare botërore, apo Marrëveshja e tregtisë së lirë të Amerikës verore (NAFTA), janë gjerësisht të konsideruar si kundër punëtorëve të rëndomtë. nVlera e librit të Mounk'ut qëndron te vënia e theksit te aspektet konstitutive të demokracisë liberale. Ne kemi nevojë për kufizime të fuqisë politike, për të penguar shumicat, apo ata në pushtet, që të shkelin të drejtat e pakicave, apo atyre që nuk janë në pushtet. Por, po ashtu kemi nevojë për politika publike që të jemi përgjegjës ndaj preferencave të elektoratit. Demokracia liberale është e brishtë, meqë koordinimi i kushteve të saj nuk rezulton me ndonjë ekuilibër politik natyror. Kur elitat të kenë mjaft fuqi, ato nuk janë aq të interesuara për reflektimin e preferencave të publikut në përgjithësi. Kur masat të mobilizohen dhe të kërkojnë pushtet, kompromisi rezultues me elitat rrallëherë prodhon masa të qëndrueshme mbrojtëse për mbrojtjen e të drejtave të atyre që nuk prezantohen pranë tavolinës së pazarllëqeve. Për këtë shkak, demokracia liberale ka tendencë që të degjenerojë në njërin prej perversioneve të saj - demokracinë joliberale, apo liberalizmin jodemokratik. Në punimin tonë me titull "The Political Economy of Liberal Democracy" (Ekonomia politike e demokracisë liberale) Sharun Mukand dhe unë diskutojmë mbështetjet e demokracisë liberale në aspektet e ngjashme me ato që i përdorë Mounk. Ne theksojmë se shoqëritë janë të ndara nga dy ndasi potenciale: një ndarje e identitetit e cila ndan një pakicë nga shumica etnike, religjioze, apo ideologjike dhe një ndasi në lidhje me pasurinë, e cila i ven të pasurit kundër pjesës tjetër të shoqërisë. 

Joliberalizmi nuk është rreziku i vetëm

Thellimi dhe rreshtimi i këtyre ndarjeve përcaktojnë gjasat për regjime të caktuara politike. Mundësia e demokracive liberale rëndom dëmtohen nga demokracitë jo liberale në njërën anë dhe ajo që quajmë "autokraci liberale", në anën tjetër, varësisht nga ajo se a e ka shumica rolin kryesor. Korniza jonë ndihmon në theksimin e rrethanave të rastësishme nën të cilat paraqiten demokracitë liberale. Në Perëndim, liberalizmi i ka paraprirë demokracisë: ndarja e pushteteve, liria e shprehjes, si dhe sundimi i ligjit tanimë ekzistonin para se elitat të merreshin vesh për të zgjeruar franshizën dhe për t'u nënshtruar ndaj sundimit popullor. "Tirania e shumicës" mbeti një shqetësim i madh për elitat dhe është kundërshtuar në SHBA, për shembull, me një sistem të elaboruar të kontrolleve dhe balancave, duke paralizuar në mënyrë efektive ekzekutivin për një kohë të gjatë. Gjetiu, në botën në zhvillim, mobilizimi popullor u paraqit në mungesë të një tradite liberale, apo të praktikave liberale. Demokracia liberale rrallë ishte një rezultat i qëndrueshëm. Përjashtimi i vetëm duket të jetë shteti relativisht i barabartë dhe tepër homogjen i Koresë jugore, ku nuk ka ndarje të dukshme sociale, ideologjike, etnike, apo linguistike për autokratët e cilitdo lloj - joliberal apo jodemokratik - për t'u eksploatuar. mZhvillimet e tanishme në Evropë dhe në SHBA sugjerojnë se demokracia liberale edhe atje mund të ketë qenë fazë kalimtare. Derisa shikojmë me keqardhje krizën e demokracisë liberale, le të mos harrojmë se joliberalizmi nuk është rreziku i vetëm që i kanoset asaj. Ne duhet ta gjejmë një mënyrë për anashkalimin edhe të demokracisë së pamjaftueshme, po ashtu.

(Dani Rodrik është profesor i ekonomisë ndërkombëtare politike në Shkollën e qeverisjes "John F. Kennedy" të Universitetit të Harvardit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

19 orë e 33 minuta më parë
17/12/18