Thaçi është shkatërrimtar i tërë radhëve ilegale - Opinione - Kosova Sot
Thaçi është shkatërrimtar i tërë radhëve ilegale

Thaçi është shkatërrimtar i tërë radhëve ilegale

Kosovës i solli dëme të mëdha

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Ai nuk ka llogaritur në refuzime. Ato ia qitën në dritë të palarat e tij. Z. Hashim Thaçi nuk mund të shpëtojë kurrë nga përgjegjësia penale para popullit shqiptar. Ai ia hoqi popullit ushtrinë e ndërtuar me gjak dhe me mund dhe e shkatërroi. Likuidoi organizatën famëmadhe dhe organizatore e udhëheqëse të UÇK-së, përkatësisht LPK-në. Këto janë vepra të rënda penale 

Nuk është vetëm çështja e dekoratave, të cilat kanë thjesht karakter antishtetëror, madje edhe mund të themi, duke u mbështetur në njerëzit që kanë marrë dekorata, kemi edhe keqpërdorim të pozitës, duke u dhënë dekorata udbashëve, spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut serbomadh, thjesht për të shndërruar veglat e tilla në bashkëpunëtorë dhe mbrojtës së këtij njeriu shkatërrimtar. Por, për të kuptuar Thaçin duhet të futem pak në histori. Është gënjeshtër ajo që shkruhet sidomos tash në librin e botuar në Londër se Thaçi është organizatori, themeluesi dhe udhëheqësi vendimtar i UÇK-së. Thaçi ishte në Cyrih të Zvicrës kur u themelua zyrtarisht në vitin 1994, në nëntor, UÇK-ja. Ai nuk ishte prezent dhe nuk u takonte strukturave të kësaj ushtrie në themelim. Është Ali Ahmeti që në vitin 1996 e ka organizuar dhe futur në ndërlidhje. Por, Thaçi, në bashkëpunim me Xhavit Halitin, i cili është edhe shkatërrimtari më i madh i radhëve ilegale dhe të UÇK-së, në vitin 1998 bëjnë sulm ndaj radhëve të LPK-së dhe të udhëheqjes politike, duke vendosur njerëz të vet dhe vetveten në korrik të vitit 1998 në drejtori politike. Me këtë sulm u shkatërruan disiplina, organizimi dhe struktura udhëheqëse e centralizuar e UÇK-së. Ai bëri së bashku Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe Kadri Veselin, sulm ndaj UÇKsë dhe grabitën pasuri financiare të madhe nga Fondi "Vendlindja Thërret". Janë shumë mjete që u keqpërdorën.

Thaçi shkatërroi sovranitetin dhe integritetin territorial

Vetëm në vitin 1999, pas çlirimit të Kosovës, kur përfundoi lufta në Kosovë, janë mbi 6 milionë DM që vëllai i Hashim Thaçit, në emër të tij, nga Fondi "Vendlindja Thërret" i Gjermanisë, i ka marrë në dorëzim nga Mark Bardhi në Lubjanë të Sllovenisë. Ku janë ato mjete nuk dihet. Ishte Hashim Thaçi që e shkatërroi LPK-në për të themeluar PDK-në në vitin 1999. Po në këtë vit, ky njeri me një pandërgjegje të lartë, likuidoi edhe UÇK-në, duke e shndërruar në TMK, pa asnjë kompetencë dhe duke i dhënë tërë armët që veprimtarët e LPK-së dhe të UÇK-së nga viti 1991 i kishin sjellë në Kosovë. Edhe pas luftës kreu veprimtari të dëmshme. Thaçi dhe Veseli janë krijuesit e Veriut të Kosovës. Ata e kanë ditur me kohë këtë gjendje. Është mu Thaçi që ka krijuar komuna shovenoserbomadhe në Kosovë. Thaçi pranoi, pa bërë asnjë analizë, raportin e presidentit Ahtisari, raport i cili e vendosi Kosovën dhe shtetin në një gjendje të rëndë. Jam i sigurt se nëse do të punonin organet e Kosovës, raporti i Ahtisarit do të ishte shumë më progresiv dhe shtetformues. Nuk do të kishim tash një çrregullim total dhe jofunksional të Republikës pothuajse në 30% të territorit të Kosovës. Thaçi e shkatërroi sovranitetin dhe integritetin territorial. Është Thaçi që lejoi administratën e pavarur serbe në veri. Ai i amnistoi kriminelët dhe të njëjtit u organizuan në polici gjoja të Kosovës, por që veprojnë nën kontrollin e shtetit serb, të Serbisë.  

Dekoratat ia nxorën në dritë të palarat e tij

Thaçi organizoi gjykatat serbe, komunat serbe, administratën serbe dhe në fund e nënshkroi Marrëveshjen e ASOCIACIONIT serb në Kosovë, një marrëveshje tipike antishtetërore, e cila tash veç duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së vitit 2015. Për demarkacion nuk dua fare të them gjë. Kjo u pa qe tash e katër vjet. Thaçi erdhi në organizim në vitin 1996 me ndihma sociale. S'kishte asgjë. U bë milioner dhe tash ka pasuri marramendëse. Në këtë anë dekoratat janë vazhdimësi e veprimeve antishtetërore. Është e turpshme që në listën e të dekoruarve të jenë Baton Haxhiu dhe Adem Demaçi, sikundër edhe shumë individë e subjekte juridike, të cilëve iu ndanë dekorata. Këto janë në vazhdën e krijimit të ndërvarësisë së tillë ndaj Thaçit, në mënyrë që ai të sundojë dhe t'i ketë vegla të veta. Por, Thaçi po gabon shumë rëndë. Të futen në listë të të dekoruarve elementë që e kanë vendin në burg, subjekte antishtetërore dhe që e dërmuan Republikën, duke zhvatur pasurinë, financat etj., është papërgjegjësi. Po, natyrisht se zhvatësi kryesor është Thaçi, ndaj kjo zhvatje dhe ky veprim është i drejtë për të. Nuk ka mundësi të eci përpara. Ai nuk ka llogaritur në refuzime. Ato ia qitën në dritë të palarat e tij. Z. Hashim Thaçi nuk mund të shpëtojë kurrë nga përgjegjësia penale para popullit shqiptar. Ai ia hoqi popullit ushtrinë e ndërtuar me gjak dhe me mund dhe e shkatërroi. Likuidoi organizatën famëmadhe dhe organizatore e udhëheqëse të UÇK-së, përkatësisht LPK-në. Këto janë vepra të rënda penale dhe këtu mos sot nesër do të kërkohet përgjegjësi. Këto me veprimet tjera e bëjnë të paikshëm Hashim Thaçin nga përgjegjësia penale. Por, sa me shpejt që të kuptojë z. Thaçi këtë, aq më mirë bëhet. Ai duhet të dijë se ka krijuar dëme të mëdha. Është mjaft me ato. Nuk duhet të vazhdojë më. Çdo ditë që kalon e ngarkon veten me përgjegjësi. 

ËSHTË E TURPSHME QË NË LISTËN E TË DEKORUARVE TË JENË BATON HAXHIU DHE ADEM DEMAÇI

(Kosova Sot)

11 orë e 14 minuta më parë
11/12/18