Si mund të formohet "kombi kosovar" brenda natës?

Si mund të formohet
  • 08 March 2018 - 09:08

Barometri diplomatik 

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Nexhmedin Spahiu është KUNDËR PERËNDIMIT me provokimin e një kombi të ri, të cilin e quan "komb kosovar", sepse Amerika dhe Evropa Perëndimore kanë njohur vetëm një shtet kosovar, ashtu siç thuhet edhe në Kushtetutën e Kosovës (15 qershor 2008)

Stalini e as Lenini nuk e kanë zbuluar "kombin kosovar", por Nexhmedin Spahiu. Prandaj, logjikisht, njerëzisht dhe ligjërisht për atë farë "kombi melez" nuk janë fajtorë as Stalini, as Lenini e as Putini, por vetëm Nexhmedini, askush tjetër. Që në fillim, dua të nënvizoj se ky ese nuk flet për Stalinin si lider historik dhe politik të Bashkimit Sovjetik, por vetëm për PËRKUFIZIMIN e tij shkencor për "KOMBIN". Mirëpo, këtë përkufizim të drejtë dhe të pranueshëm shkencërisht të Stalinit, "babai" i "kombit kosovar", Nexhmedin Spahiu e konteston se gjoja "Stalini e ka barazuar etninë me kombin". Ky farë "shkencëtari i madh" me ambicie dhe me fuqi ëndërrimtare të fabulës "Bretkosa" të shkrimtarit frëng Jean de La Fontaine, veç "zbulimit të gabimit" të përkufizimit të Stalinit, hedh "spirancën" e injorancës doktrinare, edhe në baltimin e të gjithë "akademikëve dhe të institucioneve arsimore të Kosovës", se gjoja, edhe ata kanë bërë të njëjtin gabim, duke e "barazuar etninë me kombin". O tempora o mores!!! "Kombi kosovar" qenka "kopje e kombit shqiptar"!? Po si mund të pohohet dhe të shkruhet diç e tillë, kur mbi 90 për qind të shqiptarëve në Kosovë, janë ORIGJINALI I KOMBIT SHQIPTAR, JO kurrfarë kopjeje. Madje, asnjë nga minoritetet e tjera, që përbëjnë të ashtuquajturin "komb kosovar", në aspekt nuk janë "kopje" të KOMBIT SHQIPTAR, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarët. Po, ku ka kësi fenomeni negativ në botë, kur "shkencëtari" Nexhmedin Spahiu, "kombin kosovar" e quan "kopje origjinale" të KOMBIT SHQIPTAR, si dhe "komb monoetnik", kurse KOMBIN SHQIPTAR e quan MULTIETNIK?! - Çfarë "shkence e thellë perëndimore", çfarë ideali, çfarë patriotizmi, çfarë nacionalizmi dhe evropianizmi është ky?! O, Zot i madhërishëm , ruana prej "shkencë- tarëve" të tillë, që për t'i mbushur xhepat e vet dhe për të hapur ndonjë burektore ose firmë private, shtrembërojnë edhe shkencën, edhe parimin, edhe drejtësinë, edhe të vërtetën universale. Ky farë soji "shkencëtarësh" janë oponentët dhe armiqtë më rrezikshëm të shkencës, të diturisë, të arsimit, të kulturës, të kombit, të atdheut dhe të vlerave universale të përbotshme.

Stalini nuk e ka njëjtësuar etninë me kombin!

Kjo është farsë e thjeshtë dhe e zhveshur nga çdo argument dhe justifikim shkencor. Duhet nënvizuar se që nga viti 1913, kur Stalini ka formuluar përkufizimin se kur dhe si mund të formohet një komb, as shkenca lindore e as ajo perëndimore nuk e ka hedhur poshtë si nocion klasik, edhe pse, që atëherë e deri më sot (1913-2018) janë zhvilluar teori të panumërta moderne për "kombin", për "shtetin" dhe për "nacionalizmin" nga shumë shkencëtarë të njohur botërorë (Ernest Gellner, Anthony D. Smith, Benedict Anderson, John Breuilly, John Hutchinson, John Armstrong, Buchanan Allen, Connor Walker, Karl Deutsch, Eric Hobsbawn, Hugh Seton-Watson, Renan, Fihte, Margaret Moore… etj.). Mirëpo, ndryshe nga të gjithë këta teoricienë të derisotëm, që kanë trajtuar përkufizimet e tyre teorike shkencore për "kombin" dhe për "nacionalizmin", i vetmi është "mbishkencëtari" i "kombit kosovar", Nexhmedin Spahiu, i cili e ka shpifur Stalinin, se gjoja ai e paskësha ngatërruar "etninë" me "kombin"! Mirëpo, kjo është vetëm një gënjeshtër sui generis sa për ta justifikuar injorancën e vet Spahiu, i cili qe 14 vjet (2004-2018) ende nuk ka mësuar ta bëjë DALLIMIN e nocionit "komb" nga nocioni "shtet". Pikërisht, kjo padituri ka qenë motivi kryesor i tij, që t'i shkruante dy libra paçavure për të ashtuquajturin "komb kosovar", i cili e konteston dhe e mohon KOMBIN SHQIPTAR. Kjo është "merita shkencore" e tij, jo e Stalinit, as e Leninit, as e Putinit…, as shkencës së Evropës Lindore e as asaj Perëndimore. Madje, përpos këtij gabimi shpifës të pajustifikueshëm të "shpërdredhjes" së kuptimit të përkufizimit të konceptit të Stalinit, "babai" i "kombit kosovar" bën edhe një gabim absurd, iracional, të pafalshëm dhe vulgar, kur këtë ua mvesh tërë elitës akademike të Kosovës, si dhe institucioneve arsimore të saj, në vend se t'i kërkonte falje gjithë kombit shqiptar për baltosjen dhe për mohimin e tij me njëfarë "kombi" të fantazuar, të ashtuquajtur "kombi kosovar". Këso farë krijese fantome askush deri më sot nuk ka zbuluar, në asnjë meridian dhe paralele të globit tokësor. Po, si mund formohet "kombi kosovar" brenda natës ( kur shkencërisht është vërtetuar se kombi është një proces shumëshekullor), pa asnjë element të përbashkët të tij: as histori, as gjuhë, as kulturë, as traditë, as mite, as zakone, as simbole etnike…etj.? E, ajo çfarë është komike dhe më absurde (cirk si në kopshtin zoologjik të Beogradit) Nexhmedin Spahiu këtë farë lloji kombi e quan hiq më pak se "KOMB NJË-ETNIK", kurse kombin shqiptar e quan "KOMB SHUMË-ETNIK" ( N. Spahiu, 2014: 177) ?! Çfarë "shkence e thellë"!? - Nonsenset e këtilla nuk mund të numërohen, por, po i përmendim edhe dy-tri sosh. 1) "Kombi kosovar është kopje e kombit shqiptar me një distancë kohore jo më pak se 96 vjet"( Po aty,f.175). Po, si është e mundur, që pjesëtarët e "kombit kosovar" (shqiptarë, serbë, turq, malazezë, romë, ashkalinj, goranë…etj.) paskan pasur një ide, një objektiv dhe një luftë të përbashkët 100-vjeçare për të formuar "kombin kosovar"?! 2) Kësaj popullorçe i thonë me "rrenë mbi rrenë, nuk ndërtohet kalaja e "kombit kosovar", kur "babai" i tij, N.Spahiu, thotë se " Plani i Ahtisarit në Pikën 1.7 flet në mënyrë implicite dhe eksplicite për kombin kosovar dhe simbolet e tij kombëtare…por, është e turpshme që Presidentja, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri i Kosovës nuk e dinë këtë të vërtetë." (Po aty, f.173).

Plani i Ahtisarit flet për shtetin, jo për kombin e Kosovës

Pikërisht, "Pika 1.7" e Planit të Ahtisarit sheshit nxori në sipërfaqe paditurinë e Nexhmedin Spahiut, sepse fjalën "NATION" në anglishte, gabimisht e ka përkthyer në fjalën 'KOMB" në gjuhën shqipe, e që në të vërtetë nuk është fjala për "KOMB", por vetëm për "SHTET". Kjo është "Nyja e Gordit" e pazgjidhshme për "shkencën" e N. Spahiut, sepse as Plani i Ahtisarit, as Amerika e as aleatët e saj, si dhe, as vendet e tjera, që deri më sot e kanë njohur Kosovën (mbi 100 sosh) nuk kanë njohur kurrfarë "kombi kosovar" (kjo është propagandë antishqiptare, antiamerikane, antievropiane dhe antindërkombëtare), por kanë NJOHUR vetëm SHTETIN E KOSOVËS, që në anglishte i bie 'KOSOVAR NATION", term ky, që assesi nuk është i barasvlershëm me nocion "KOMB". Për këtë kemi shkruar dhjetëra herë (2010- 2018). Mirëpo, kot, kujt t'ia thuash e kujt t'ia leçitësh të vërtetën dhe argumentin?! I vogël është N. Spahiu, që ta hasmërojë elitën akademike të Kosovës me Amerikën dhe me Evropën Perëndimore. Sepse as Qosja, as akademikët e tjerë të Kosovës e as ASHAK-u nuk e kanë "barazuar etninë me kombin", porse me plot të drejtë dhe me argumente kanë hedhur poshtë "foshnjën" e trilluar "komb kosovar". Kjo është e vërteta, jo kurrfarë "stalinizmi", i shpifur në adresën e gabuar nga N.Spahiu. Prandaj, derisa të ketë akademikë sikurse akademikuRILINDËSI ynë shqiptar Rexhep Qosja, në Kosovë kurrë nuk do të ketë "komb kosovar". Pavarësisht se Nexhmedin Spahiu ( me tri pasaporta), i shtirur si "properëndimor" me gënjeshtra dhe me improvizime pseudoshkencore në mbrojtjen e "kombit kosovar" qe 14 vjet (2004-2018) intensivisht po lufton që, jo vetëm akademikun Rexhep Qosja, por edhe të gjithë akademikët dhe intelektualët e tjerë shqiptarë të Kosovës, t'i nxijë, t'i anatemojë dhe t'i vërë nën hipotekën ideologjike antiperëndimore, duke i quajtuar "stalinistët" dhe të "paditur"!? Ndërkaq, vetë N.Spahiu është KUNDËR PERËNDIMIT me provokimin e një kombi të ri, të cilin e quan "komb kosovar", sepse Amerika dhe Evropa Perëndimore kanë njohur vetëm një shtet kosovar, ashtu siç thuhet edhe në Kushtetutën e Kosovës (15 qershor 2008). Kjo është e vërteta, jo "kombi kosovar", që në mënyrë flagrante bie ndesh me strategjinë e globalizmit dhe të rendit të ri botëror. Prandaj, jo akademiku Qosja e as akademikët e tjerë të Kosovës nuk janë antiperëndimorë, pse nuk e njohin "kombin kosovar", por vetë "globaslisti" dhe kozmopolitisti i rremë, Nexhmedin Saphiu me shpifjen e "kombit të ri kosovar", është kontradiktor me perëndimin, si dhe i konfrontuar dhe i papranueshëm për globalizimin, fenomen ky gjithëbotëror, që nuk aspiron krijimin e kombeve të reja, por lufton për shkrirjen e kombeve të vjetra në një "shoqëri globale", të integruar ekonomikisht, politikisht dhe, sipas strategjisë së krijimit dhe të funksionimit sistemit të tregut të lirë, të qarkullimit, të shitjes dhe të këmbimit të mallrave, të lëvizjes së lirë të kapitaleve dhe të njerëzve të vendeve të ndryshme, të bashkëpunimit dhe të komunikimit të përbashkët në fushën e informacioneve dhe të të arrirave më të reja në shkencën kompjuterike digjitale në dimensione ndërkombëtare, jo të mbylljes rajonale brenda kufijve nacionalë sikurse dikur në periudhën e luftës së ftohtë (1948-1989) të sistemit bipolar. 

"Kombi kosovar"-një ambicie narcisoide jashtë kohe dhe hapësire të integrimeve evropiane dhe të globalizmit 

Është vetëm një ëndërr e trishtë dhe, një ambicie e shkretë e parealizueshme individuale e Nexhmedin Spahiut, sepse mbi 90% të shqiptarëve të Kosovës janë pjesë integrale e KOMBIT SHQIPTAR. Kështu që shqiptarët nuk kanë nevojë edhe për njëfarë fantazme, të ashtuquajtur "komb kosovar", por, vetëm për ribashkimin me gjithë kombin shqiptar të Shqipërisë Etnike. Për shkak të injorancës së vet të keqkuptimit dhe të keqinterpretimit të teorive shkencore për "etninë", për "kombin", për "shtetin" dhe për "nacionalizmin", koncepte këto, të cilat, ende nuk i ka të qarta dhe, nuk di t'i dallojë vetë Nexhmedin Spahiu, i cili pa fije turpi, këtë padituri të tij ua ka mveshur të gjithë akademikëve, Akademisë dhe institucioneve arsimore të Kosovës. Në veçanti ka stigmatizuar akademikët Rexhep Qojsa dhe Mehmet Kraja, sepse ia kanë "djegur çergën", duke përtrollisur tezat antishkencore të "kombit kosovar". Me një fjalë, "babai" i "kombit kosovar", i falimentuar si shkencëtar, ngushëllimin dhe vetëkënaqësinë e tij primitive e ka gjetur në shpifjen e përkufizimit shkencor të nocionit "komb" të Stalinit, duke e përfolur se gjoja ai ka bërë "barazimin e etnisë dhe të kombit". E, ajo çka është më iracionale dhe më skandaloze, Nexhmedin Spahiu këtë shpifje të trilluar për Stalinin ua "qepë" ajkës akademike të Kosovës, se kinse edhe këta si Stalini "nuk kanë ditur ta bëjnë dallimin mes etnisë dhe kombit" !? Në të vërtetë, N.Spahiu është vetë i paditur, sepse që nga 2004, kur ka publikuar librin e parë "Drejt kombit kosovar" e deri më 2014, kur botoi edhe librin e dytë "Foshnjëria e kombit kosovar" ka dëshmuar se ende nuk di ta bëjë dallimin mes "kombit" dhe "shtet", edhe pse për këtë, i pari, ishte akademiku Rexhep Qosja që i ka leçitur shkencërisht se ç'është kombi e ç'është shteti. Mirëpo, ky ende vazhdon me avazin e vjetër të "shkencës" së tij, duke e barazuar kombin me shtetin, edhe pse këto nocione nuk janë të barasvlershme me njëra-tjetrën.

Stalini e njeh gjuhën si element të kombit, por jo edhe Nexhmedinin "komb kosovari"!!!

Ja, ky është "zeniti shkencor" i Nexhmedin Spahiut, i cili, krahas Stalinit ka akuzuar tërë elitën akademike dhe institucionet arsimore të Kosovës, se gjoja sikurse Stalini "kanë bërë barazimin e etnisë me kombin" !? Mirëpo, ky është vetëm një konstatim vulgar dhe i shpifur nga N. Kelmendi, kur thotë se "Në Kosovë në të gjitha institucionet e arsimit, e vetmja njohuri për kombin është në përkufizimin e Stalinit ku vihet shenja e barazisë mes kombit dhe etnisë. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të Kosovës, vështirë se gjendet ndonjë akademik që di ta bëjë dallimin mes kombit dhe etnisë. Dy prej këtyre akademikëve, Rexhep Qosja dhe Mehmet Kraja, e kanë treguar botërisht mosdijen e vet lidhur me këtë dallim." (Nexhmedin Spahiu, Foshnjëria e kombit kosovar, Prishtinë, 2014, f.173). Kjo është një e pavërtetë e madhe, sepse ja se ç'thotë Stalini për kombin në përkufizimin e tij :" Historikisht kombi është formuar si një bashkësi e qëndrueshme e njerëzve në bazë të gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike , të konstitucionit psikologjik dhe kulturor të përbashkët." ( Shih në: Stalin, 'Marxism and the National Question, pp. 303-314). Në këtë përkufizim, Stalini, në asnjë fjalë a fjali nuk e ka përmendur elementin etnik, e as nuk ka bërë "barazimin" e tij me "kombin", ashtu siç ka shpifur N. Spahiu në librin e tij të sipërtheksuar. Ndaj, akuza e tij perfide dhe urrejtëse ideologjiko-politike ndaj Stalinit, si dhe ndaj gjithë elitës dhe institucioneve akademike të Kosovës, duke i quajtur "stalinistë të paditur", se gjoja kanë bërë "barazimin e etnisë dhe kombit", është e paqëndrueshme dhe e pajustifikuese, sepse as Stalini , as akademikët e ASHAK-ut nuk kanë bërë një gabim të tillë të shpifur nga "babai" i "kombit kosovar", N.Spahiu. Thjesht, për faktin se një gabim i tillë nuk figuron në nocionin e konceptuar të Stalinit.
 

(Kosova Sot)