Kur luftimi i lajmeve të rreme ndihmon censurën - Opinione - Kosova Sot
Kur luftimi i lajmeve të rreme ndihmon censurën

Kur luftimi i lajmeve të rreme ndihmon censurën

NJË FENOMEN GAZETARESK

Bundestagu miratoi ligjet që vinin gjoba deri në 50 milionë euro ndaj kompanive mediatike që nuk largojnë përmbajtjen ilegale

Shkruan: Courtney C. Radsch 

Shumë analistë të medieve kanë identifikuar me të drejtë rreziqet që vijnë nga 'lajmet e rreme', por shpesh nuk arrijnë që të kuptojnë se çka nënkupton ky fenomen për vetë gazetarët. Kjo nuk është bërë vetëm një metodë e shpejtë e demonizimit të një industrie të tërë; autokratët e përmendin atë si arsyetim për të burgosur reporterët dhe për ta justifikuar censurën, shpesh bazuar në akuzat e mbështetjes së terrorizmit. Në tërë botën, numri i gazetarëve të sinqertë të burgosur për publikimin e lajmeve të rreme, apo të trilluara, paraqet një rekord të të gjitha kohëve, me të paktën 21 të tillë. Derisa liderët jo demokratikë përdorin gjithnjë e më shumë arsyetimet e luftimit të 'lajmeve të rreme' për të bërë presion ndaj mediave të pavarura, ky numër ka të ngjarë që të rritet. SHBA-ja, dikur lidere botërore e mbrojtjes së fjalës së lirë, tani është tërhequr nga ky rol. Postimet e presidentit Donald Trump rreth 'lajmeve të rreme' iu ka dhënë regjimeve autokratike një shembull për të justifikuar veprimet e veta shtypëse ndaj mediave. Në dhjetor, e përditshmja popullore shtetërore e Kinës, mirëpriste 'pallavrat' e Trumpit rreth lajmeve të rreme, duke thënë se 'kjo është e vërteta më e madhe rreth mediave perëndimore'. Kjo erdhi pas lavdërimeve të cilat administratës Trump ia bëri qeveria e Egjiptit, në shkurt të vitit 2017, kur ministri i jashtëm i këtij vendi kritikoi gazetarët perëndimorë për shkrimet e tyre rreth terrorizmit global. 

Qortimi i gazetarit të CNN-së

Dhe, në janar të vitit 2017, presidenti turk Recep Tayyip Erdo?an lavdëroi Trumpin për qortimin që ky i fundit ia kishte bërë një reporteri të CNN-it, gjatë një konference 'live' për shtyp. Erdo?an, i cili e kritikoi këtë rrjet për 'mbulimin' e protestave prodemokratike në Turqi, në vitin 2013, tha se Trump ia kishte treguar vendin gazetarit. Trump ia ktheu këtë kompliment Erdoganit, gjatë takimit të tyre, disa muaj më vonë. Duke lavdëruar homologun e tij për shkak të të qenit aleat në luftën kundër terrorizmit, Trump nuk përmendi aspak rekordin e turpshëm të Erdo?anit në lidhje me lirinë e shtypit. Nuk është rastësi që këto tri vende kanë qenë më të shpejtat në përqafimin e shprehjes së Trumpit rreth 'lajmeve të rreme'. Kina, Egjipti dhe Turqia kanë burgosur më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të gazetarëve të burgosur në botë, gjatë vitit 2017, duke vazhduar një trend nga viti i kaluar. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare përballë këtyre sulmeve të qeverive ndaj mediave të pavarura, duket se është kuptuar si pajtim. Në Turqi, vend i cili tash e dy vjet mban rekordin botëror sa i përket burgosjes së gazetarëve, keqësimi i fjalës së lirë ka qenë tepër i shpejtë. Që nga dështimi i puçit në vitin 2016, gjykatat e Turqisë kanë proceduar rreth 46,000 raste, që përfshinin njerëzit e akuzuar për ofendim të presidentit, popullit apo institucioneve të vendit. Secili nga 73 gazetarët, që tani gjenden prapa grilave, janë të akuzuar, apo të hetuar për krime antishtetërore. Akuza më e shpeshtë kundër reporterëve ka të bëjë me ofrimin e ndihmës, apo propagandimin në dobi të organizatave terroriste. Diskreditimi i raportimit legjitim Ligjet jo mirë të formuluara, të cilat përziejnë raportimin rreth terrorizmit me mbështetjen ndaj tij, ofrojnë mbulim për regjimet që kanë ndërmend të parandalojnë mbulimin jo të favorshëm me lajme. Për shembull, tentimi për të shkruar rreth Partisë së punë- torëve të Kurdistanit (PKK) në Turqi, Vëllazërisë myslimane në Egjipt, apo ujgurëve në Kinë, mund t'i futë reporterët shpejt në burg për shkak të përfshirjes së simpative ndaj terroristëve. Gati tri të katërtat e 262 gazetarëve sa gjenden në burgje anekënd botës, janë duke u mbajtur në bazë të akuzave kundërshtetërore, thotë Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve. Edhe në rastet kur gazetarët nuk arrestohen, autokratët janë duke përdorur gjithnjë e më shumë pretekstin e 'lajmeve të rreme' për të diskredituar raportimin legjitim. Dhe këtu, për ironi, përpjekjet e disa qeverive perëndimore për të pastruar mediat sociale nga lajmet e rreme, apo materialet e dhunshme, kanë shkuar në dobi të autokratëve. Derisa qëllimet e këtyre përpjekjeve mund të jenë të mira, një pasojë e paqëllimshme ka qenë censura ndaj gazetarëve të ndershëm që raportojnë rreth ngjarjeve reale në disa prej vendeve më të rrezikshme në botë. Mendoni se çka ndodhi vitin e kaluar ndaj videos së luftës civile në Spanjë. Duke tentuar që ta largonte përmbajtjen ekstremiste, "YouTube" largoi me qindra video që kishin lidhje me konfliktin, duke përfshirë edhe shumë video të postuara nga rrjeti i lajmeve "Shaam", agjencia "Qasioun" dhe qendra mediave "Idlib", ku që të gjitha këto janë burime të pavarura të lajmeve që dokumentojnë këtë katastrofë. Ngjashëm me këtë, 'Facebook' ka mbyllur profilet e individëve dhe organizatave që përdorin këtë platformë për ta dokumentuar dhunën kundër myslimanëve rohingya në Mianmar, një krizë të cilën OKB-ja e ka quajtur "shembull shkollor të spastrimit etnik". "Facebook" ka deklaruar se ka vepruar si reagim ndaj shkeljes së 'standardeve të komunitetit' të kësaj platforme. 

Censorët e "Twitter"-it kanë goditur edhe në Evropë

Dhe, në Egjipt dhe Siri, 'Twitter' ka bllokuar 'qytetarët gazetarë' nga raportimet rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut. Censorët e "Twitter"-it kanë goditur edhe në Evropë; në janar, një revistë gjermane e satirave ishte bllokuar në këtë platformë pasi që Bundestagu miratoi ligjet që vinin gjoba deri në 50 milionë euro ndaj kompanive mediatike të cilat nuk largojnë përmbajtjen ilegale. Edhe vendet tjera evropiane tani janë duke shqyrtuar masa të ngjashme për të detyruar kompanitë e internetit për të luftuar keqinformimin dhe ekstremizmin. Ligjet që kanë ndërmend luftimin e fjalimeve të urrejtjes, dhunës, apo 'lajmeve të rreme', mund të kenë qëllim të mirë, por implementimi i tyre ka qenë jo sistematik, me shumë pak mekanizma për ta siguruar llogaridhënien, transparencën, apo reversibilitetin. Liderët e demokracive botërore duhet t'iu rezistojnë sulmeve jo liberale ndaj organizatave të pavarura të lajmeve dhe, kjo nënkupton rishikimin e ligjeve jo mirë të përkufizuara, të cilat mund të keqpërdoren. Mediet e lira dhe vibrante janë vitale për funksionimin e një shoqërie të shëndetshme dhe, keqinformimi mund ta rrezikojë këtë. Por, veprimet zyrtare që ua mbyllin gojën gazetarëve, janë 'ilaç më i dëmshëm sesa sëmundja'. 

(Courtney C. Radsch është drejtoreshë e Komitetit për mbrojtjen e gazetarëve dhe autore e librit "Cyberactivism and Citizen Journalism in Egypt: Digital Dissidence and Political Change").

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

 

8 orë e 14 minuta më parë
12/12/18