Deri kur OKB-ja do ta tolerojë Serbinë ta shkelë të drejtën ndërkombëtare?

Deri kur OKB-ja do ta tolerojë Serbinë ta shkelë të drejtën ndërkombëtare?
  • 30 December 2018 - 08:14

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Në një të ardhme të afërt, do të përballen me krizat dhe me konfliktet e armatosura të Serbisë kundër vendeve fqinje, ashtu sikurse në dekadën e fundme të shekullit XX (1990-1999), me ç' rast kreu 3 agresione dhe 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, si pasojë e mosndërhyrjes me kohë të OKB-së dhe të BE-së kundër Serbisë gjenocidiale të Slobodan Milosheviqit Pse shkelja e dispozitave të Kartës së Kombeve të

Bashkuara, e rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, e të drejtës ndërkombëtare dhe PËRZIERJA direkte e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës nuk po pengon OKB-në, BE-në dhe OSBE-në e as drejtësinë evropiane dhe ndërkombëtare?! Deri tani (2008- 2018) Kosova nuk e ka mbështetjen ndërkombëtare të OKB-së, të BE-së dhe të OSBE-së, kur është fjala për parandalimin dhe për neutralizimin e ndërhyrjes dhe të përzierjes së Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, qëkur është pavarësuar më 17 shkurt 2008. Pikërisht për këtë arsye të pashpjegueshme ligjërisht, Tirana dhe Prishtina, domosdo, duhet ta bëjnë çështje ndërkombëtare përzierjen dhe ndërhyrjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Ndryshe (brenda një kohe shumë të shkurtër), do të përballen me ndërhyrje direkte të armatosur nga ana e Serbisë. Për këtë gjendje të pajustifikueshme, një pjesë të fajit dhe të përgjegjësisë e mban edhe Shqipëria si anëtare e OKB-së, ngase asnjëherë deri tani (2008-2018) nuk e ngriti për debat përzierjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, si dhe të Shqipërisë ngase Beogradi zyrtar që nga vitet e 90-të shekullit XX e deri më sot e akuzojnë Tiranën zyrtare kinse për përzierje të saj në çështje të brendshme të Serbisë, sidomos kur është fjala për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shqipërisë. Së pari, duhet të rikujtojmë faktet e një historie jo të largët të marrëdhënieve ndërkombëtare (1990-1999), kur OKB-ja, së pari pati toleruar Serbinë (si anëtare e OKB-së) e Slobodan Milosheviqit, që t'i kryente tri (3) gjenocide në hapësirat e ish-RSFJ-së: Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkaq, pas pavarësimit të Kosovës (2008-2018), OKB-ja ka lejuar Serbinë e ultranacionalistëve shovinistë antidemokratë dhe antievropianë: Tomislav Nikoliq, Aleksandar Vuçiq, Ana Bërnabiq, Aleksandar Vulin, Marko Gjuriq, si dhe patriarkun Irinej të KOS-it…, etj., që në mënyrë brutale të përzihen në çështje të brendshme të Kosovës. Kjo tolerancë është në shpërputhje të plotë me parimet dhe me qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare si vlera kryesore universale të bashkësisë ndërkombëtare dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar.

Për të faktuar këtë të vërtetë, së pari, duhet të vëmë në dukje këto argumente të qëndrueshme : -Serbia ka futur në Kushtetutën e saj (2008) klauzolën se "Kosova është provincë serbe". Mirëpo, për këtë akt precedent juridiko-ndërkombëtar, që është në kundërshtim flagrant me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, me të drejtën ndërkombëtare dhe me Aktin Final të Helsinkit të KSBE-së (1975), deri më sot nuk e kanë kundërshtuar dhe nuk e kanë dënuar as Kombet e Bashkuara, as OSBE-ja e as BE-ja. Po sikur të kishte vepruar kështu p.sh. Gjermania, duke e futur në Kushtetutën e saj ndonjë nen a paragraf se "Polonia është pjesë territoriale e saj", çfarë do të kishte ndodhur deri tani, do të kishin reaguar Kombet e Bashkuara, do të kishte reaguar OSBE-ja, BE-ja, NATO-ja, Amerika, Kina Rusia etj.? - Sigurisht se po, duke marrë masa përkatëse në përputhje me Kartën e OKBsë dhe me të drejtën ndërkombëtare për të mbrojtur sigurinë, rendin dhe paqen ndërkombëtare. Mirëpo, pse OKB-ja dhe OSBE-ja, qe 10 vjet (2008-2018) asnjëherë nuk ia kanë tërhequr vërejtjen Serbisë, që të mos përzihet në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, duke e cenuar integritetin dhe sovranitetin territorial të saj. Këtë e provon edhe "okupimi paqësor" i territorit verior të Kosovës (1999-2018). Kjo formë ndërhyrëse e okupimit të pjesës veriore të Kosovës nga ana e Serbisë, direkt dhe indirekt provokon dhe kërcënon sigurinë dhe paqen ndërkombëtare.

Arsyet e ligjshme pse OKB-ja duhet penalizuar Serbinë 1. Shkelja e qëllimeve dhe e parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke u përzier në çështje të brendshme të Kosovës (2008-2018). 2. Mosharmonizimi i së drejtës së brendshme dhe i Kushtetutës me parimet, me rregullat, me normat, me obligimet dhe me përgjegjësitë e marra përsipër si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe si anëtare e Kombeve të Bashkuara, duke qenë se Serbia në mënyrë arbitrare ka stipuluar në Kushtetutën e saj (2006) klauzolën se "Kosova është provincë e Serbisë". 3. "Pushtimi paqësor" i pjesës së territorit verior të Kosovës, duke shpërngulur me dhunë, me forcë dhe me terror qindra e mijëra banorë shqiptarë nga shtëpitë nga pasuritë dhe nga pronat e tyre të paluajtshme, me qëllim të ndryshimit të hartës demografike, duke sjellë kolonistë të rinj serbë. 4. Mospranimi i tërheqjes së vijës së demarkacionit kufitar me shtetin e ri të pavarur dhe sovran të Kosovës (2008- 2018). 5. Ndërhyrja dhe përzierja në çështjet e brendshme Jo vetëm të Kosovës, por edhe të shteteve anëtare të OKB-së, duke ushtruar diktat dhe trysni ndaj tyre, që të tërhiqnin njohjet e tyre ndërkombëtare të Kosovës, si dhe tek ato të tjerat, që deri tani nuk e kanë njohur Republikën e pavarur të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim se kjo formë e lobimit, duke u përzier në çështje të brendshme të shteteve të tjera, që të mos e njohin Kosovën e pavarur, është e dënueshme sipas Nenit 2, paragrafi 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara: "Asnjë dispozitë e kësaj Karte nuk i autorizon Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë në çështje që i përkasin krejtësisht juridiksionit kombëtar të një shteti, as nuk i detyron anëtarët të ngrenë çështje të kësaj natyre për t'i zgjidhur sipas mënyrës së parashikuar në këtë Kartë. Megjithatë, ky parim nuk e cenon aspak zbatimin e masave detyruese të parashikuara në KREUN VII." (Karta e OKB-së, 1987, f. 13- 14).

Zbatimi i Nenit 2, paragrafi 7 kundër përzierjes në çështje të brendshme, siç është rasti i Serbisë në përzierjen e punëve të brendshme të Kosovës, si dhe në përzierjen e çështjeve të brendshme të shteteve të tjera-anëtare të OKB-së, që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, assesi nuk e cenon e as nuk e vë në pikëpyetje zbatimin e masave të detyrueshme të parashikuara në KREUN VII për ta ndëshkuar ligjërisht përzierjen e Serbisë në punë të brendshme të Kosovës, si dhe të shteteve dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, siç janë edhe UNESKO dhe INTERPOLI në të cilat përzierja direkte e Serbisë pati për pasojë, që Kosova të mos pranohej si anëtare e tyre. Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, kjo nuk do të thotë se OKB-ja nuk gëzon të drejtën ligjore për të reaguar dhe për të penalizuar ndërhyrjen dhe përzierjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Përkundrazi, reagimi i OKB-së është i detyrueshëm dhe i domosdoshëm për penalizimin ligjor të ndërhyrjes dhe të përzierjes së Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, sepse rrezikon jo vetëm shthurjen e shtetit të Kosovës, por edhe stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Ballkan dhe në Evropë e më gjerë në dimensione ndërkombëtare. Një përzierje e këtillë e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës dhe të shteteve të tjera të OKB-së, që të mos e njohin Republikën e pavarur të Kosovës, është në kundërshtim flagrant me parimet dhe me objektivat e Kartës së Kombeve të bashkuara. Si rrjedhim, OKB-ja e ka për detyrë parësore mbrojtjen dhe respektimin e Kartës së saj, e cila është alfa dhe omega e sistemit juridik pozitiv ndërkombëtar. Pavarësisht nga ambiciet dhe pretendimet territoriale hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë për përthithjen e territorit indigjen të Kosovës, duke e konsideruar dhe trajtuar para bashkësisë ndërkombëtare si "pronë legale" të veten, është koha e fundit që OKB-ja ta sanksionojë Serbinë në bazë të dispozitave të Kartës së vet dhe të rendit juridik ndërkombëtar mbase duke u përzier intensivisht (jo më pak se 10 vjet) në çështje të brendshme të Kosovës (2008-2018) Serbia antidemokratike dhe antiperëndimore po vepron sikurse dikur Gjermania nazifashiste e Adolf Hitlerit, duke u përzier dhe duke ndërhyrë në punë të brendshme të shteteve të tjera fqinje evropiane, gjë që një përzierje e tillë antiligjore dhe antihumane shkatërroi sistemin e sigurisë kolektive të Lidhjes së Kombeve (1919), si dhe shkaktoi agresione të njëpasnjëshme pushtuese të vendeve fqinje në Evropë e më gjerë (1939- 1945).Gjithashtu, Serbia e sotme e ashtuquajtur "demokratike" dhe "neutrale" po vepron me të njëjtat metoda dhe parametra të strategjisë pushtuese të regjimit policor dhe militar të Slobodan Milosheviqit (1990- 1999), i cili në mënyrën më brutale dhe më antinjerëzore shkeli të gjitha dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe të gjitha rregullat, normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare publike dhe asaj humanitare, me qëllim të zgjerimit të kufijve territorialë të Serbisë së Madhe (1844- 1999), duke kryer tri (3) agresione dhe gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999). Të njëjtën strategji dhe politikë të Slobodan Milosheviqit (por me rrugë paqësore, jo me luftë dhe, jo me gjenocid sikurse Milosheviqi. Kjo është e vetmja asimetri e politikës së sotme e Serbisë së Aleksandar Vuçiqit, në krahasim me politikën gjenocidale të S.Milosheviqit), është duke zbatuar edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila në emër të mbrojtjes së interesit nacional të Serbisë (direkt dhe indirekt po përzihet në çështje të brendshme të Kosovës), si dhe në emër të "normalizimit" të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës po synon dhe po vepron për të ripushtuar Kosovën, natyrisht duke shfrytëzuar dhe kapitalizuar Dialogun e Brukselit (2010-2018), si dhe ndihmën direkte të Rusisë dhe të Kinës. Serbia kundër OKB-së, BE-së dhe OSBE-së, si Gjermania e Hitlerit kundër Lidhjes së Kombeve (1939) -Ndaj, OKB-ja si Organizatë Ndërkombëtare Universale në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë së rendit botëror, nuk duhet ta lejojë Serbinë që, në mënyrë arbitrare dhe në shpërputhje me normat, me parimet dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe të rendit normativ të Kombeve të Bashkuara, të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës e as të shteteve të tjera, por sine qua non, duhet ta trajtojë njësoj sikurse 192 shtetet e tjera të saj. Duke qenë se përzierja e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës është akt i hapur kërcënues ndaj integritetit dhe sovranitetit territorial dhe të pavarësisë së Kosovës (2008-2018) , dispozitat e Kartës së OKB-së lidhur me shtetet joanëtare të saj, siç është edhe Kosova e pavarur, janë të qarta në të dy kahet: 1) Shtetet joanëtare të Kombeve të Bashkuara janë të obliguara të veprojnë sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe 2) OKB-ja është e obliguar të veprojë, t'i zbatojë dhe t'i respektojë dispozitat e Kartës së vet edhe ndaj shteteve joanëtare të saj. Këtë detyrim të ndërsjellë e parashikon edhe Neni 2, paragrafi 4 i Kartës së OKB-së, i cili garanton mbrojtjen e integritetit territorial dhe pavarësinë politike të gjitha shteteve qoftë atyre anëtare apo atyre joanëtare të Kombeve të Bashkuara. Ja se çfarë thuhet saktësisht në përmbajtjen e këtij neni dhe paragrafi të theksuar : "Në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, anëtarët e Organizatës heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, qoftë kundër tërësisë territoriale ose pavarësisë politike të cilitdo shtet, qoftë në çdo mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. (Neni 2, pararafi 4). Po ashtu, edhe në paragrafin 6 të këtij Neni, thuhet se: "Organizata vepron në mënyrë të tillë që shtetet, të cilat nuk janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, të veprojnë në përputhje me këto parime në masën e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare.

" Sipas këtij paragrafi të Nenit 2, do të thotë se as shtetet joanëtare të OKB-së (as në kuptimin pozitiv dhe as në atë negativ) nuk janë kurrfarë PËRJASHTIMI i sistemit juridik të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, duke qenë se Kosova po rrezikohet dhe po kërcënohet nga ndërhyrja dhe nga përzierja direkte dhe indirekte e Serbisë në çështje të brendshme të saj, me qëllim që ta copëtojë territorin verior të Kosovës, përkatësisht ta rikolonizojë, duke rrezikuar drejtpërdrejt pavarësinë e saj politike dhe integritetin territorial dhe shtetëror, është e qartë se OKB-ja ligjërisht sipas Kartës së saj, është e detyruar, që të marrë masa përkatëse ndëshkuese për të parandaluar ndërhyrjen dhe përzierjen e Serbisë në punë të brendshme të Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht qe 10 vjet (2008-2018), OKB-ja nuk ka ndërmarrë asnjë masë preventive në frymën e Kartës së saj, që ligjërisht t'i parandalonte veprimet negative dhe arbitrare të Serbisë, kur është fjala për kërcënimet dhe për ndërhyrjet e saj në çështje të brendshme të Kosovës. Edhe pse OKB-ja në bazë të dispozitave eksplicite të Kartës së saj ishte e obligueshme, që të angazhohej në parandalimin dhe në pezullimin e akteve dhe veprimeve të përzierjes së Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, si dhe të shteteve të tjera anëtare të OKB-së ( siç janë Grenada, Republika Dominikane, Surinami, Liberia, Sao Tome e Principe, Guinea Bisao, Burundi, Papua Guinea e Re dhe Lesoto, të cilat, edhe pse e njohën pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse 100 shtete të tjera të OKB-së, Serbia me lobimin e saj, duke ushtruar trysni, diktat dhe kushtëzime të tjera në çështjet e tyre të brendshme, i detyroi këto shtete, që t'i tërhiqnin njohjet e tyre të shtetit të pavarur të Kosovës) as Këshilli i Sigurimit e as Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk reaguan kundër një akti të këtillë antiligjor kërcënues dhe të rrezikshëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë kolektive ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se mosreagimi 10-vjeçar (2008-2018) i OKB-së për parandalimin e përzierjes së Serbisë në çështje të brendshme të shteteve të tjera anëtare të OKB-së, si dhe në rastin konkret të Kosovës, që nuk është anëtare e OKB-së, na sjell në konkluzion se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk është thjesht instrument juridik, por edhe politiko-juridik, duke qenë se mekanizmi juridik i Kartës së OKB-së ipso facto nuk vepron automatikisht në kontekstin e krijimit të fakteve të caktuara juridike. Serbia ka shkelur edhe Aktin Final të Helsinkit (1975) Edhe pse Serbia është anëtare e OSBE-së, kjo krahas shkeljes së qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së ka shkelur edhe këtë parim të Deklaratës së Aktit Final të Helsinkit : " Shtet anëtare të OSBE-së nuk do të kryejnë asnjë ndërhyrje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individuale ose kolektive në punët e brendshme ose të jashtme, që janë objekt i kompetencës kombëtare të një shteti tjetër, cilado qofshin marrëdhëniet e tyre të ndërsjellë." (Të drejtat e njeriut në të drejtën ndërkombëtare/Aktet themelore të Këshillit të Evropës dhe të KSBE-së/), Albinform, Tiranë, 1994, f.154). Përzierja e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, gjithashtu, është në kundërshtim flagrant edhe me Aktin Final të Helsinkit të KSBE-së (1975), sepse cenon integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008). Këtë e provon edhe Kushtetuta e Serbisë (2006) sipas së cilës "Kosova është provincë e Serbisë". Mirëpo, këtë precedent juridiko-kushtetues të Serbisë (qe 12 vjet) nuk e ka bërë çështje për zgjidhje as OKB-ja, as OSBE-ja e as BE-ja, edhe pse një akt i këtillë është shkelje flagrante e normave dhe e parmeve të së drejtës ndërkombëtare, sepse është ndërhyrje direkte agresive në çështje të brendshme të Kosovës, si dhe shkelje e paprecedent e Rendit Juridik Ndërkombëtar. Sa më sipër, kjo ndërhyrje dhe përzierje e Serbisë në punë të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, është në kundërshtim me këto parime të "Deklaratës mbi parimet që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve anëtare të KSBE-së-OSBE-së: I. Barazia sovrane, respektimi i të drejtave thelbësore të sovranitetit. II.

Moskërcënimi dhe mospërdorimi i forcës. III. Paprekshmëria e kufijve. IV. Integriteti territorial i shteteve. V. Rregullimi paqësor i mosmarrëveshjeve. VI. Mosndërhyrja në punët e brendshme. VII. Barazia e të drejtave të popujve dhe e drejta e vetëvendosjes." ((Të drejtat e njeriut në të drejtën ndërkombëtare/Aktet themelore të Këshillit të Evropës dhe të KSBE-së/), Albinform, Tiranë, 1994, f.151- 156). Duke qenë se Serbia ka shkelur të gjitha këto akte dhe instrumente juridike ndërkombëtare, duke u përzier dhe ndërhyrë në çështje të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, OKB-ja, OSBE-ja dhe BE-ja, duhet të reagojnë njëzëri, që ta detyrojnë Serbinë t'i përmbushë obligimet dhe përgjegjësitë e saj ndaj tyre, në mënyrë që të heqë dorë punë të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, si dhe të shteteve të tjera të bashkësisë ndërkombëtare. Ndryshe, në një të ardhme të afërt, do të përballen me krizat dhe me konfliktet e armatosura të Serbisë kundër vendeve fqinje, ashtu sikurse në dekadën e fundme të shekullit XX (1990-1999), me ç' rast kreu 3 agresione dhe 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, si pasojë e mosndërhyrjes me kohë të OKBsë dhe të BE-së kundër Serbisë gjenocidiale të Slobodan Milosheviqit.

(Kosova Sot)