A po komplotohet edhe KEK-u?

A po komplotohet edhe KEK-u?
  • 02 January 2019 - 07:55

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

Vetë kolektivi i KEK-ut duhet të ndërgjegjësohet, që të mos komplotohet KEK-u nga realizimi i kësaj kontrate kriminale 

Alternativë e gjithë kësaj është, ta vuajmë varfërimin e mëtutjeshme të Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, vetëm për shkak që disa idiotë në pushtet duhet të kenë marrë ryshfet korruptues, që ta firmosin atë kontratë (me 1000 faqe!)!

F atkeqësisht, Aeroporti "Adem Jashari" dhe rrjeti i shpërndarjes dhe tregtimit të rrymës, KEDS, janë tjetërsuar, edhe pse janë me rëndësi të madhe edhe për siguri shtetërore! Aeroporti ishte edhe fitimprurës. Tani pronarët turq, - të cilët edhe në Turqi janë të përfolur për krim të organizuar, - jo vetëm që i kanë shtrenjtuar shumë shërbimet, por edhe po na poshtërojnë, duke manifestuar vulgarisht turqizimin e tyre agresiv! Ndërsa, KEDS kishte vështirësi financiare, për shkak se një pjesë e madhe e konsumatorëve nuk e paguanin rrymën që shpenzonin. Sidomos banorët serbë në Kosovën veriore, nuk paguanin fare. Megjithatë, KEDS detyrohej t'i furnizonte me rrymë, pa ndërprerje (si të ishin "lopë hinduse"), sepse qeveria i favorizonte për t'i joshur që të bëhen bashkëqytetarë luajalë të Republikës së Kosovës...

Konsumatorët nuk furnizohen përherë me rrymë

Për ata që nuk kanë informacion konkret, KEDS-in e pati privatizuar qeveria me një çmim simbolik, duke bërë pronarë të njëjtit turq që "grabiten" edhe Aeroportin. Për krahasim, Maqedonia privatizoi 75 % të rrjetit të shpërndarjes së rrymës, duke ia shitur firmës shtetërore austriake EVN për 260 milionë euro. Ndërsa, Rrjeti i Kosovës, më me shumë konsumatorë, u privatizua i tëri për vetëm 24 milionë euro. Kështu, turqve iu dha monopoli i tregtimit të rrymës në Kosovës. Fatkeqësisht, asnjëherë nuk është publikuar kontrata, që të dimë, për sa vite u është dhënë monopoli kriminelëve turq, dhe cilat janë obligimet e tyre për të furnizuar me rregull konsumatorët. Nuk jemi të informuar as përse KEK-u ia shet të gjithë rrymën KEDS-it, tashmë turk, për vetëm 28 euro MWh, kur turqit ne na e shesin rreth 75 MWh (amvisive shtëpiake) dhe 120 euro MWh bizneseve! KEK do të mund ta eksportonte ndonjëherë edhe për 100 euro MWh (varësisht nga çmimi në bursën evropiane). Është duke munguar edhe transparenca, përse konsumatorët nuk furnizohen përherë me rrymë, edhe pse KEDS-i turk e ka detyrim, meqë konsumatorët paguajnë ekstra për furnizim të përhershëm të rrymës (që nuk po na ofrohet). Cilat janë përmasat dhe pasojat për mosfurnizim të përhershëm me rrymë, mund që i dimë të gjithë tashmë, meqë edhe po i vuajmë. Por tani po na troket në portë edhe një komplot akoma më i kobshëm: zhdukja e KEKut! Me kontratën që qeveria ka firmos me një firmë amerikane (Company Contour Global), KEK-ut po i troket në derë një konkurrencë tepër diskriminuese. Deri tani dimë se është kontraktuar ndërtimi i një termoelektrane (TEC) - me emërtim mashtrues "Kosova e Re" (më saktë do të ishte: "Kosova e plagosur"). Ai TEC parashihet të ketë kapacitet 500 MWh dhe ndërtimi i tij duhet të kushton rreth 1.3 miliard euro, siç ka mashtruar firma amerikane. Ajo gjoja do të investon 300 milionë euro, kurse për NJË miliard euro, gjoja kredi, që do t'i "huazojë" ajo firmë amerikane, duhet të garantojë Qeveria e Kosovës. E, dihet, kush e garanton kredinë, rëndom e paguan. Dhe, gjithë këto spekulime kriminale për një TEC që mund të ndërtohet për 350 deri në 500 milionë euro. Një TEC me të njëjtin kapacitet është planifikuar të ndërtohet në Korçë, për vetëm 350 milionë euro!

KEK-u le të përgatisë ceremoninë mortore të tij!

Komploti që po i ndodh KEK-ut, gjegjësisht Kosovës, nuk mbaron me kaq. Qeveria e ka garantuar firmën amerikane, se rryma që do të prodhojë TEC i saj "Kosova e Re" do të ketë çmim të garantuar, minimum 80 euro për MWh (kur KEK është duke ia shitur KEDS-it për vetëm 28 euro)! Firma amerikane, pa investuar asnjë cent, meqë TEC-i do të ndërtohet nga mjetet e NJË miliard të kredisë, për të cilat do të garantojë Qeveria e Kosovës, do të ketë fitim neto rreth 260 milionë euro në vit (500 MWh, herë 24 orë në ditë, herë 350 ditë në vit, herë 80 euro për MWh, bëjnë 336 milionë euro). Meqë rryma që do të prodhojë "Kosova e Re" detyrimisht do të favorizohet, siç është firmosur kontrata, KEK-ut do t'i ndodhë komploti, sepse Kosova, ta zëmë, nga ora 12 e natës deri në 6 të mëngjesit, për momentin, konsumon pothuajse vetëm rreth 200 MWh. Në këtë kohë ku do të harxhohen 500 MWh të "Kosovës së Re" dhe rreth 800 MWh që i prodhon KEK-u. Pa e zgjatur me shifra, - bezdisëse për ata që nuk i kuptojnë, - nëse realizohet kontrata me firmën amerikane, KEK-u le të përgatitë ceremoninë mortore të tij! Vetëm edhe një mundësi shpëtimi ekziston: Kuvendi të mos e ratifikojë atë kontratë, edhe pse do të duhej t'i paguhen 19 milionë dënim firmës amerikane për dalje nga kontrata. Në të njëjtën kohë Kuvendi do të duhej ta ngarkojë Qeverinë t'ia mundëson KEK-ut rreth 400 milionë euro kredi, që vetë KEK-u t'i kthejë ato dhe të jetë pronar edhe i TEC-it të ri, duke i garantuar 50 euro MWh për çmim shitjeje (amerikanëve u është garantuar minimum 80 euro). Kështu, buxheti i Kosovës, në vend që t'i paguajë haraç vjetor firmës amerikane rreth 260 milionë euro, do të ketë përfitim, meqë TEC-i i ri do të ishte pronësi e KEK-ut. Vetë kolektivi i KEK-ut duhet të ndërgjegjësohet, që të mos komplotohet KEK-u nga realizimi i kësaj kontrate kriminale. Prandaj, duhet të lobojnë që deputetët të mos e ratifikojnë atë kontratë. Alternativë e gjithë kësaj është, ta vuajmë varfërimin e mëtutjeshme të Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, vetëm për shkak që disa idiotë në pushtet duhet të kenë marrë ryshfet korruptues, që ta firmosin atë kontratë (me 1000 faqe!)! 

 

(Kosova Sot)