Rrenat e ministres serbe për shqiptarët

Rrenat e ministres serbe për shqiptarët
  • 03 January 2019 - 08:41

Shkruan: Mehdi Hyseni

Kështu, diç skandaloze mund të deklaronte vetëm ndonjë lider politik nacionalshovinist i sëmurë i "sagës" së regjimit kriminal policor dhe militarist i Serbisë së Slobodan Milosheviqit, që Kosovën e quanin "çështje të brendshme" të Serbisë. Ndërkaq, e vërteta ishte ndryshe, Kosova ishte çështje e shqiptarëve dhe e Shqipërisë (e Tiranës dhe e Prishtinës) ngase 100 vjet statusin e kishte koloni e Serbisë. Rrenë qoftë kjo "evropiankia" Jadranka Joksimoviq, ministre e Serbisë, se e vërteta historike është krejtësisht ndryshe! Serbia është ajo, që me luftërat e përgjakura aneksioniste, kolonialiste, hegjemoniste dhe gjenocidale shekullore (1878-1999) ka përflakur në zjarr Ballkanin, Evropën dhe botën. Këtë e provojnë edhe 3 gjenocidet e fundit kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999).-JO SHQIPËRIA DEMOKRATIKE PAQËSORE, e viktimizuar, e copëtuar, e aneksuar dhe e kolonizuar nga Serbia e madhe (1878-2019). Ky provokim, kjo gënjeshtër, kjo akuzë, kjo intrigë me përmasa evropiane dhe ndërkombëtare e ministres serbe për integrime evropiane, Jadranka Maksimoviq është tezë e vjetër serbocentriste "napad je najbolja odbrana", që ka për qëllim të fundit justifikimin dhe abolimin e krimeve të gjenocidit të tyre mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike (1878-2019). E pyesim "demokraten" e qeverisë serbe të Ana Bërnabiqit, çka do të thotë për të dhe për Serbinë e saj ky bilanc i krimeve të gjenocidit në Kosovë? - "Të vrarë: 11.840 shqiptarë; 1.392 fëmijë deri në moshën 18-vjeçare; 296 fëmijë deri në moshën 5- vjeçare; 1.739 gra; 1.882 pleq deri në moshën 65-vjeçare dhe kanë zhdukur 1.450 njerëz, si dhe kanë dhunuar 20.400 femra shqiptare." Ky gjenocid-vepër penale ndërkombëtare, nuk i trandi dhe nuk i rrezikoi themelet dhe vlerat e Evropës së civilizuar dhe demokratike?

Kolonializmi shekullor serb mbi shqiptarët

Si ishte e mundur, që ky krim i gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe djegien e Kosovës, nuk tronditi dhe nuk shembi themelet e Evropës( "sigurinë kolektive, demokracinë, sundimin e së drejtës, ekonominë sociale dhe të tregut të lirë, vlerat universale , të drejtat dhe liritë e njeriut , rendin dhe respektimin e të drejtave të njeriut etj."?! E, heqja në mënyrë demokratike, me marrëveshje vëllazërore dhe paqësore e kufirit gjenocidal shekullor serbo-jugosllav (1912- 1999) mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas ministres "demokrate" serbe Jadranka Maksimoviq na "qenka" hiq më pak se "fillimi i shembjes së themeleve të Evropës, të ndërtuara nga OSBE-ja dhe nga BE-ja, që një Evropë të tërë dhe të lire"!? Kjo deklaratë shpifëse dhe akuzuese është më shumë se amorale, joligjore, antihumane, antishqiptare, antidemokratike dhe anticivilizuese. Si mund të cilësohen antihumanizëm, antiliri, anievropianizim, antidrejtësi dhe antidemokraci rikthimi i të drejtave legjitime dhe legale dhe historike të shqiptarëve mbi territoret e tyre indigjene, të cilat para më se 140 vitesh serbët, malazezët, grekët dhe, së fundi edhe maqedonasit i kanë aneksuar dhe kolonizuar me forcë dhe me gjenocid?! E, në anën tjetër, Jadranka Joksimoviqit i ka "kërcyer kanari" dhe "është shqetësuar aq shumë" nga heqja e kufirit serbo-jugosllav gjenocidal mes Kosovës dhe Shqipërisë, (i imponuar me dhunë, me agresion, me gjenocid dhe me miliona viktima,1912-1999), saqë ka paralajmëruar Evropën se gjoja një akt i tillë " rrënon vlerat e sigurisë, të rendit, të drejtësisë , të demokracisë dhe të paqes" !? Kjo është vetëm një floskulë propagandistike, që nuk ka asnjë mbështetje morale, profesionale e as ligjore të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar mbase heqja e kufirit Kosovë-Shqipëri është çështje e brendshme sovrane vetëm e këtyre dy shteteve, JO e Serbisë, e cila nuk ka asnjë të drejtë të përzihet në çështje të brendshme e as të jashtme të Kosovës dhe të Shqipërisë, heqja e kufijve ose bashkimi i tyre nuk varet nga Serbia si shtet i dikurshëm dhe i sotshëm kolonialist (sepse ende nën sundimin e kolonializmit gjenocidal të saj mban Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, 1878- 2019). Ky lloj kolonializmi shekullor serb mbi shqiptarët dhe mbi pjesën lindore të Shqipërisë Etnike, qe 140 vjet po minon, po i lëkund dhe po i nxin themelet dhe vlerat e Evropës (sigurinë, rendin, drejtësinë, lirinë, sigurinë, paqen, integrimin dhe demokracinë, mohimin e të drejtave dhe lirive të njeriut).

Heqja e murit gjenocidal serb, Shqipëri-Kosovë, fitore historike për bashkimin

Kufiri Kosovë-Shqipëri ishte më famëkeq dhe më vdekjeprurës për kombin shqiptar sesa Muri i Berlinit (1961-1989), sepse për kalimin e tij 100-vjeçar (1912-1999) SerboJugosllavia ka vrarë dhe burgosur më se një milion shqiptarë, duke mos dhënë llogari asnjëherë para ndonjë gjyqi evropian apo ndërkombëtar. Kryeministri i qeverisë dhe heroi i shquar i Kosovës së lire dhe të pavarur, Ramush Haradinaj me deklaratën e tij zyrtare të datës 29 dhjetor 2018 na gëzoi të gjithë shqiptarëve se që "Nga sot, kufiri i Kosovës drejt Shqipërisë nuk ekziston. Do të kemi vetëm një ndalje të përbashkët. Puna do të vazhdojë dhe në Mars të vitit qe po hymë, do të përfundojë edhe faza e dytë e heqjes së plotë të kufirit Kosovë - Shqipëri, i bazuar në parimet e Schengen-it. Urime Kosovë, Urime Shqipëri".

Edhe kjo deklaratë zyrtare e kryeministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dëshmon se ky me homologun e tij, Edi Rama po bashkojnë Kosovën me Shqipërinë, ju lumtë Avni Rrustemëve të shqiptarisë! Këtë e do populli shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë! Kush është kundër le të ankohet te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i Serbisë ose dhe te presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është e drejtë legjitime dhe tërësisht legale sipas së drejtës historike dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ky akt kombëtar dhe shtetëror, pa dyshim se është një nga ngjarjet më të rëndësishme politike dhe historike për shqiptarët në Ballkan pas pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008. Prandaj, shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, këtë ngjarje të madhe të shembjes së Murit gjenocidal serbo-jugosllav, i cili më se 100 vjet ndante shqiptarët dhe Shqipërinë, duhet ta shënojnë dhe ta festojnë si datë të shenjtë historike, sepse është në frymën e akteve dhe të vendimeve historike, politike, juridike, kombëtare e shtetërore të formimit të qeverisë gjithëshqiptare të Ismail Qemalit (28 Nëntor 1912).

Ky është hapi i parë drejt rikthimit gradual të territoreve dhe të popullit shqiptar brenda kufijve natyralë, historikë, legjitimë dhe legalë të SHQIPËRISË ETNIKE në Ballkan, që pa dyshim se, do të forcojë dhe integrojë edhe më shumë Evropën e sotme demokratike. Vështruar në kontekstin historik, etnik, territorial, gjuhësor, kulturor, gjeopolitik etj. nuk duhet të ketë kurrfarë kufijsh brenda shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, sepse është fjala për të njëjtin popull, për të njëjtin territor dhe për të njëjtin shtet në Ballkan. Prandaj, vendimi historik, politik dhe nacional i të dy qeverive të Tiranës dhe të Prishtinës, që të hiqen kufijtë artificialë, të padrejtë, të imponuar me forcë, me agresion dhe me gjenocid nga Serbia dhe nga fuqitë e mëdha të dikurshme (1878, 1913, 1915, 1919-20, 1945), është plotësisht i drejtë, legjitim dhe legal, pavarësisht nga krrokatjet, nga intrigat, nga shantazhet, nga shpifjet dhe nga gënjeshtrat vajtuese të politikës, të propagandës dhe të diplomacisë akuzuese të lidershipit të Serbisë me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq, me nënministrin dhe me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq, me ministrin e Mbrojtjes, Aeksandar Vulin, me "ambasadorin" Marko Gjuriq etj. se gjoja heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë "po i shembka themelet e Evropës" sipas ministres serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq!?

Përkundrazi, heqja e barrierave kufitare Kosovë-Shqipëri, është garancia më e fuqishme dhe afatgjatë e themeleve të Evropës së sotme demokratike dhe të integruar. Për më tepër, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk e dobëson dhe nuk e rrezikon në asnjë formë paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe bashkëpunimin e Evropës me rajonin ballkanik, por e intensifikon dhe , do të jetë faktori më i rëndësishëm për ndërtimin e ekuilibrit të marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike, politike, tregtare dhe kulturore të qëndrueshme të të githa shteteve ballkanike, sepse pa shkolonizimin dhe, pa njohjen e të drejtës së vetëvendosjes së gjithë popullit shqiptar në Ballkan, bashkëpunimi, stabiliteti, paqja, siguria, mirëqenia, në vazhdimësi, do të jenë të brishta dhe në rrezik, që mund të bartë me vete edhe konflikte të armatosura mes popujve të armiqësuar në Ballkan.

 

(Kosova Sot)