E ardhmja e Evropës varet nga ne

E ardhmja e Evropës varet nga ne
  • 07 January 2019 - 08:18

Shkruan: Michel Barnier

Askush nuk duhet të lihet pa mundësi ekonomike apo qasje në shërbimet publike 

Jo larg nga zyra ime në Bruksel, ekziston një afresk i madh me mbishkrimin "E ardhmja është Evropa". Njëherë një e vërtetë e mbështetur nga shumica e evropianëve, ky besim po sfidohet gjithnjë e më shumë sot. Natyrisht, pesimizmi bëhet i lehtë në ditët e sotme. Derisa efektet dëmtuese të ndryshimeve klimatike po shfaqen përpara syve tanë, zgjedhja e unilateralizmit të Shteteve të Bashkuara, rritja e Kinës dhe shkallëzimi i tensioneve gjeopolitike në vende të tjera po paraqesin sfida të reja për prosperitetin dhe sigurinë evropiane.

Kjo mund të thuhet gjithashtu edhe për përhapjen e dezinformatave dhe sulmeve terroriste në zemër të qyteteve tona, siç pamë përsëri këtë sezon të Krishtlindjeve në Strasburg, Francë. Megjithatë, kjo nuk është kohë për defetizëm. Tani më shumë se kurrë, ne evropianët kemi nevojë për veprim kolektiv në mbrojtjen e vlerave tona dhe një rend ndërkombëtar të bazuar te rregullat. Ky mund të jetë momenti i Evropës, bazuar në një Bashkim Evropian më të fuqishëm dhe vendimtar, siç bëri thirrje kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit.

Katër prioritetet kryesore

Për të arritur këtë, evropianët duhet të bashkohen për të trajtuar sfidat e sovranitetit tonë dhe për të siguruar një qeverisje të përgjegjshme. Kjo do të thotë të pohosh sovranitetin kombëtar dhe evropian në tregti, mbrojtje dhe sektorin digjital, që Kina dhe SHBA-ja të mos na i imponojnë rregullat e tyre. Dhe, kjo do të thotë që qeveritë kombëtare dhe institucionet e BE-së të afrohen me qytetarët evropianë. Sikur që kanë treguar Brexiti, po ashtu dhe protesta "Xhaketat e verdha", problemet e shumta në shoqëritë evropiane nuk mund të shpërfillen. Për të kapur momentin në vitin 2019, udhëheqësit evropianë duhet të përqendrohen në katër prioritete kryesore.

E para është ndërtimi i një "Evrope të gjelbër". Nëse çdo vend në botë ka të njëjtën gjurmë burimesh si shumica e vendeve evropiane, bota do të ketë nevojë për tre herë më shumë burime natyrore për t'i mbajtur të gjithë. Ky nuk është vetëm një problem për gjeneratat e ardhshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se ndotja e ajrit përbën më shumë se 3.4 milion vjet jetë të humbur në të gjithë BE-në në vit. Një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj kësaj sfide duhet të përdorë të gjitha levat e politikës në dispozicion, nga mbështetja e financës së gjelbër (ekologjike) për të reduktuar mbetjet dhe dekurajuar vjetërsinë e planifikuar nga ana e prodhuesve. Por, ne gjithashtu duhet të mendojmë dhe të veprojmë me guxim, në frymën e atyre në SHBA që tani bëjnë thirrje për një "marrëveshje të re të gjelbër".

Evropa mund të jetë lider global në zhvillimin e një ekonomie rrethore dhe në bërjen e kontinentit të parë plotësisht energjik nga viti 2030 në bazë të transportit të pastër dhe automjeteve elektrike. Për më tepër, masat për arritjen e këtyre qëllimeve nuk duhet të jenë shoqërisht regresive. Nëse politikat janë të drejta dhe të dizajnuara mirë, ato mund të përmirësojnë mirëqenien tonë kolektive dhe të stimulojnë rritjen ekonomike pa imponuar një barrë të patolerueshme për ata që janë më pak të aftë ta përballojnë atë.

Prioriteti i dytë, atëherë, është ndërtimi i një ekonomie që u shërben të gjithëve. Aktualisht, ende ekzistojnë rreth 17 milionë njerëz të papunë në Evropë, duke përfshirë 35% ose më shumë të rinj në Itali, Greqi dhe Spanjë. Me të ardhurat në shumë shtete anëtare të BE-së, që janë më të ulëta sesa mesatarja, konvergjenca ekonomike mund të themi se ka ngecur. Në një botë me rritje të konkurrencës gjeoekonomike, ne duhet të konsolidojmë themelet tona nëse duam të ruajmë modelin tonë të tregut social. Kjo nënkupton thellimin e tregut të përbashkët dhe sigurimin se nuk ka standarde të dyfishta në mënyrën se si trajtohen qytetarët dhe kompanitë në të gjithë BE-në.

Përveç kësaj, ne duhet të forcojmë më tej Bashkimin Monetar Evropian, të forcojmë rolin ndërkombëtar të euros dhe të drejtojmë investime masive të përbashkëta drejt teknologjive strategjike, veçanërisht në sektorin digjital. Menaxhimi i globalizimit do të thotë që askush nuk duhet të lihet pa mundësi ekonomike apo qasje në shërbimet publike. Për t'iu përgjigjur presioneve financiare dhe demografike, ne duhet të modernizojmë politikat sociale dhe arsimore. Mund të fillojmë duke hartuar aftësitë dhe punët që do të nevojiten në vitin 2030, në mënyrë që të parashikojmë ndryshimet që janë tani aktuale. Por ne gjithashtu duhet të sigurojmë që kompanitë shumëkombëshe të paguajnë pjesën e tyre të barabartë të taksave dhe që konkurrenca në epokën digjitale të është e drejtë.

Sikur që, kohët e fundit, vuri në dukje Guy Verhofstadt nga Parlamenti Evropian, kjo nënkupton përgjegjësinë e kompanive të mëdha teknologjike. Prioriteti i tretë është të kontrollojmë kufijtë tanë dhe të merremi me sfidat e migracionit. Përgjigja jonë nuk mund të bazohet në frikë dhe mite, por as nuk mund t'i injorojmë debatet dhe identitetet kombëtare. Ne duhet të përqendrohemi në mekanizmat që aktualisht funksionojnë. Përveç konsolidimit të sistemit të menaxhimit të kufijve të Frontex të BE-së dhe krijimit të pikave të nxehta të përbashkëta në kufijtë tanë të jashtëm dhe më gjerë, ne gjithashtu duhet të harmonizojmë politikat e migracionit dhe azilit në nivel kombëtar sa më shumë që të jetë e mundur. Po aq e rëndësishme, ne duhet të përforcojmë mekanizmat e solidaritetit dhe të kompensojmë shtetet anëtare që janë relativisht më të ekspozuara ndaj efekteve të migrimit ose bëjnë më shumë se të tjerët.

Dhe, ne duhet të punojmë me partnerët tanë jashtë BE-së, jo më pak duke zhvilluar një partneritet gjithëpërfshirës me Afrikën mbi zhvillimin ekonomik dhe migrimin e menaxhuar. Në fund të fundit, deri në vitin 2050, Afrika do të jetë shtëpi e 2.5 miliardë njerëzve, gjysma e tyre nën moshën 25 vjeçare. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Evropa nuk mund t'ia lejojë vetes transferimin e sigurisë së saj. Thënë këtë, Evropa është e dyta vetëm pas SHBAsë, sa iu përket shpenzimeve të mbrojtjes. Por, investimet tona janë fragmentare. Për shembull, ne prodhojmë 17 modele të ndryshme të tankeve, ndërsa SHBA mbështetet kryesisht në vetëm një model.

Kjo dukuri i kushton Evropës 20 miliardë euro (23 miliardë dollarë) në vit. Askush nuk do të bëjë për ne atë që nuk do të bëjmë ne për veten tonë. Për fat të mirë, nën udhëheqjen e Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, kemi bërë progres në drejtim të prodhimit së bashku të pajisjeve dhe teknologjive nëpërmjet Fondit Evropian të Mbrojtjes, duke i dhënë fund konkurrencës midis BE-së dhe NATO-s dhe duke nxitur bashkëpunimin mes industrive të mbrojtjes kombëtare.

Tani duhet të ndërtojmë këto nisma dhe të shkojmë më tej, duke përforcuar mjetet tona të menaxhimit të krizave dhe duke zhvilluar një kulturë të përbashkët strategjike të bazuar në forcat e përbashkëta dhe aftësitë e përbashkëta kombëtare. Përmbushja e sfidave të Evropës do të kërkojë guxim politik në nivel kombëtar dhe në BE. Por do të kërkojë gjithashtu transparencë, debate në terren (dhe jo vetëm në kryeqytete), drejtime efektive dhe të përgjegjshme, dhe mënyra të reja të angazhimit të qytetarëve. Vetëm atëherë njerëzit do të besojnë me të vërtetë se Evropa është e ardhmja e tyre, e jo vetëm një dëshirë e thjeshtë. 

(Kosova Sot)