Thaçi me 'korrigjimin' e kufirit ka shkelur me të dyja këmbët në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovën

Thaçi me 'korrigjimin' e kufirit ka shkelur me të dyja këmbët në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovën
  • 23 February 2019 - 07:35

Shkruan: Ragip Guraziu

Shtrohet pyetja pse në 11-vjetorin e Pavarësisë Kosovës po i rrezikohen copëtimi dhe shpërbërja e saj .Mendoj që përgjegjësi kryesor është presidenti Hashim Thaçi, i cili vazhdimisht po deklarohet se është i gatshëm të bisedojë për korrigjimin e kufijve të Kosovës në raport me Serbinë. Është e vërtetë që për këto vite që po mbeten pas shteti ka dështuar pothuajse në çdo sferë, në këto 11 vite, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë, arsimin e shumë fusha tjera.

Kjo klasë politike e inkriminuar e ka sjellë në pikëpyetje të madhe edhe vetë ekzistimin e shtetit të Kosovës, pikërisht në përvjetorin e 11 të funksionimit dhe të njohjes ndërkombëtare nga 115 shtete, duke e nxjerrë në tavolinë të bisedimeve me Serbinë rishkrimin dhe rivizatimin e hartës së Kosovës në raport me interesat filoruso- serbe. Mundin, djersën, sakrificën e UÇK-së dhe qytetarëve, të Kosovës,Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), dëshmorëve,veteranëve e invalidëve,martirëve, etj. nuk mundën dhe as që guxojnë të shkelin vlerat e tyre askush në botë, e lë më Rama e Thaçi...

Iniciatorët e idesë për t`ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës

Së fundi edhe ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka goditur kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur "postier" të Serbisë si dhe akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po shkel në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovën. Kjo do thotë se po shkel Hashim Thaçi me të dyja këmbët në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovë, ku 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë po ia dhuron Serbisë veriun e Kosovës.

Po siç jemi në dijeni, ishte vetë Edi Rama bashkë me Aleksandar Vuçiqin iniciatorë të idesë për t`ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës, duke rrezikuar shtetin e Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi dhe klika e tij, vetëm e vetëm që të shpëtoj nga Gjykata Speciale dhe të mos përballet me akuza në Gjykatën Speciale. Ndryshe edhe deputetja Besa Gaxherri e kishte akuzuar presidentin e Kosovës për vrasje, duke thënë se Thaçi për ta shpëtuar vetën ka shkelur mbi kufoma, ka vrarë kundërshtarët politikë e ka shkelur mbi vlerat e luftës.

Dhe ky është qëllimi i Hashim Thaçit, me skenarin e Vuqiqit dhe Ramës, që për të shpëtuar vetën nga specialja, ta shkatërrojë dhe gjymtojë shtetin e Kosovës. Kjo po na kthen 20 vite mbrapa kur në Kumanovë ishte pikërisht marrja e veriut të Kosovës, dëshira e diktatorit serb, Sllobodan. Me një politikë të inkriminuar dhe një drejtësi të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet një sfidë gati e patejkalueshme. Kjo është një arsyeje sepse në Kosovë edhe 20 vite pas çlirimit nuk kemi drejtësi, por kemi krim të organizuar.

Gjendja mbetet alarmante

Edhe kësaj radhe, Kosova po e pret 20-vjetorin e çlirimit te saj me korrupsion, krim të organizuar, papunësi, varfëri e nëpërkëmbje nga sunduesit e ri të saj. E konfirmoi këtë edhe hulumtimi i UNDP-së se mandati i tanishëm i institucioneve të Kosovës është përbërja më e urryer nga qytetarët që kemi pasur deri më tash. Edhe pse po bëhen dy dekada nga çlirimi i vendit, gjendja mbetet alarmante dhe vendi ynë renditet në mesin e më të korruptuarve, sipas rangimit vjetor, që e bën organizata 'Transparency International'.

Me një politikë të inkriminuar dhe një drejtësi të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet një sfidë gati e patejkalueshme, që dëshmohet se në Kosovë edhe pas 20 vite pas çlirimit nuk kemi drejtësi,por kemi krim te organizuar dhe sot punë gjen vetëm nëse ke një lidhje politike, një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet në këmbim të një vendi pune në administratën publike.

Pyetja, pse 20 vite pas çlirimit ,mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi. 20 vjet pas çlirimit në Kosovë, mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë. Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit po përballet me një krizë të rëndë socio-ekonomike, e shkaktuar nga politika e korruptuar, e cila në vend se të punojë për ngritjen e mirëqenies, po angazhohet vetëm për trashjen e xhepave të inkriminuar.

(Kosova Sot)