Drejt një karte të re globale

Drejt një karte të re globale
Drejt një karte të re globale

Carl Bildt

  • 24 March 2019 - 08:33

Në gusht të vitit 1941, edhe para se Shtetet e Bashkuara të kishin hyrë në Luftën e Dytë Botërore, kryeministri britanik Winston Churchill dhe presidenti i SHBA Franklin D. Roosevelt u takuan fshehurazi në brigjet e Njufaundlendit për të diskutuar se si bota mund të organizohej pas luftës.

Një veprimtari e ngjashme ishte përpjekur në Versajë pak më shumë se dy dekada më parë, por kishte dështuar në mënyrë të qartë. Puna e Churchillit dhe FDR-së rezultoi me Kartën e Atlantikut, e cila krijoi një sërë parimesh dhe institucionesh të përbashkëta që ende përcaktojnë rendin ndërkombëtar tetë dekada më vonë.

Në vitin 1944, konferenca Bretton Woods vendosi bazat për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe institucionet e tjera financiare globale; krijimi i Kombeve të Bashkuara së shpejti pasoi. Fuqitë humbëse të Boshtit u shndërruan në demokraci dinamike me ekonomi të tregut dhe u integruan në sistemin e ri global, ndërsa stabiliteti u ruajt nëpërmjet strukturave bashkëpunuese të sigurisë që përfshinë zonat transatlantike dhe të Paqësorit. Regjimet autoritare kanë ngritur pyetje rreth së ardhmes së demokracisë

Pastaj erdhën reformat ekonomike të Kinës, duke filluar nga fundi i viteve 1970, dhe rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe atëherë ëndrra e një qeverisjeje globale shumëpalëshe të parashikuar në Kartën Atlantike mund të fillonte të realizohej. Në vitin 1995, Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë e epokës Bretton Woods u zëvendësua me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe në më pak se dy dekada tregtia si pjesë e GDP-së globale është rritur nga rreth 40% në mbi 70% (pjesërisht për shkak të pranimit të Kinës në OBT në dhjetor të vitit 2001). Gjatë kësaj epoke të artë të multilateralizmit, globalizimit dhe zhvillimit social dhe ekonomik, më shumë se një miliard njerëz dolën nga varfëria ekstreme dhe demokracia u bë normë globale. Por është e qartë se dekada e dytë e shekullit njëzet e një ka shënuar ardhjen e një epoke të ndryshme. Kujtimet e viteve formuese të rendit ndërkombëtar dhe të tragjedive që e bënë të nevojshme atë, janë zbehur me kalimin e brezave.

Fuqitë e reja kanë dalë për të sfiduar dominimin perëndimor brenda një konteksti gjithnjë e më shumë polare. Dhe përhapja e kohëve të fundit e regjimeve autoritare ka ngritur pyetje rreth së ardhmes së demokracisë. Ndonëse strukturat themelore të rendit të pasluftës mbeten në vend, ato po zhvarrosen përballë revizionizmit rus, këmbënguljes kineze, përçarjes së SHBA-së dhe pasigurisë evropiane. Me qëllim të rishikimit të parimeve të Kartës Atlantike për këtë botë të rrezikshme të re, dy institutet e shquara, Këshilli Atlantik në SHBA dhe Qendra për Inovacionin e Qeverisjes Ndërkombëtare në Kanada, kohët e fundit mblodhën krijuesit e politikave dhe mendimtarët, përfshirë mua, nga 19 vende të ndryshme.

Kur përpiqesh të hartosh një grup të ri të parimeve të përbashkëta, sfida më e madhe është të vendosësh nëse do t'i bëjmë ato të zbatueshme vetëm për demokracitë e botës, apo edhe për ata që pëlqejnë Rusinë, Kinën dhe Arabinë Saudite. Natyrisht, demokracia është mënyra më e mirë për të siguruar respektimin e të drejtave individuale; por debati gjithashtu duhet të jetë i hapur për ata që mbrojnë vlera dhe interesa të ndryshme. Në rastin tonë, ne donim të prodhonim një dokument që do të rezononte si në "Perëndimin klasik", ashtu edhe në Brazil, Algjeri, Iran, Indi, Indonezi dhe Vietnam. Diskutimet tona rezultojnë në një Deklaratë Parimesh që kemi nxjerrë në Konferencën e Sigurisë të Munihut muajin e kaluar. "Frymëzuar nga të drejtat e patjetërsueshme që rrjedhin nga etika, traditat dhe besimet tona," thotë deklarata, "ne angazhohemi për të kërkuar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë dhe kombet tona. Ne do të mbrojmë vlerat tona, do të kapërcejmë dështimet e kaluara me ide të reja, do të përgjigjemi me të vërtetën, do të përballemi me agresionin me forcë dhe do të vazhdojmë me besimin se parimet tona do të mbizotërojnë ".

Deklarata e plotë përmban shtatë parime nën titullin "liria dhe drejtësia", "demokracia dhe vetëvendosja", "paqja dhe siguria", "tregjet e lira dhe mundësia e barabartë", "një planet i hapur dhe i shëndetshëm", "e drejta e ndihmës" dhe "veprim kolektiv ". Në secilën fushë, qëllimi ynë ishte të vendosnim parime që mund të shërbejnë si parime të një konsensusi të ri pas një debati gjithëpërfshirës global. Deklarata nuk është thjesht një rishqyrtim i besimeve të mbajtura më parë. Rendi i vjetër do të vazhdojë të prishet Çështjet mjedisore në mënyrë të qartë janë bërë më të shquara sesa që ishin më parë dhe çështjet e sovranitetit duhet të rirregullohen për një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të ndërvarur. Shqetësimet rreth asaj se si ndahet prosperiteti brenda dhe ndërmjet vendeve kanë fituar një vëmendje të konsiderueshme. Por, vlerat themelore, si respekti për të drejtat individuale mbeten thelbësisht të rëndësishme, sikurse besimi se "qeveritë që u përgjigjen qytetarëve të tyre dhe respektojnë sundimin e ligjit mund të zgjidhin më së miri pabarazinë, ta korrigjojnë padrejtësinë dhe t'i shërbejnë të mirës së të gjithëve".

Në të vërtetë, qeveritë injorojnë këtë kusht nën rrezikun e tyre. Si fryt i një viti të diskutimeve dhe rishikimeve, deklarata ka marrë mbështetje të gjerë nga këndet e ndryshme të botës. Por, qëllimi ynë është të fillojmë një debat më të madh, e jo ta kemi fjalën e fundit. Nuk kemi asnjë iluzion se kjo do ta konkurrojë Kartën e Atlantikut në aspektin e ndikimit të saj historik. Por, as nuk kemi ndonjë dyshim për urgjencën dhe domosdoshmërinë e një diskutimi të ri mbi parimet themelore të qeverisjes globale.

Pa një debat të tillë, rendi i vjetër do të vazhdojë të prishet, që do të zëvendësohet nga një xhungël Hobbesiane, e sunduar nga pushteti absolut dhe interesi i ngushtë vetjak. Ne të gjithë e dimë se çka soli kjo herën e kaluar.

(Kosova Sot)