Oligarku politik i Shqipërisë së sotme

Oligarku politik i Shqipërisë së sotme
  • 30 March 2019 - 19:03

Shkruan: Jakup B. GJOÇA

Parlamenti i sotëm shqiptar nuk është më i popullit. Deputetët nuk janë votuar nga populli, prandaj edhe ata të paktë që janë ulur në poltronet e Parlamentit nuk mund të shprehin më vullnetin e sovranit Popull. Deputetët janë thjesht numra, kartona, kukulla të Kryetarit të Partisë.

Kryetari i Partisë është ai që zgjedh, që shkruan në Listën e Partisë për deputet, për ministër, për Kryeprokuror të Shqipërisë, për Kryegjyqtar të Shqipërisë  emrin e cilitdo njeriu anonim që kryetari i partisë dëshiron, që pëlqen, sipas oreksit të tij, shijeve të tij, interesave të tij, kapriçove të tij.

Kryetari i Partisë nuk ka nevojë, nuk ka asnjë detyrim moral, e ca më pak ligjor, që të pyesë askënd, se kë do bëjë deputet, ( se kë do bëjë ministër, se kë do emërojë Kryegjyqtar dhe Kryeprokuror të Shqipërisë.) Kryetari i Partisë, duke mos pyetur askënd,  shpërfill, injoron dhe përçmon popullin, partinë. Shumë – shumë, Kryetari i Partisë mund të pyesë gruan, dashnoren, për emrin e deputetit, të ministrit, të Kryegjyqtarit dhe Kryeprokurorit që do shënojë në listën e tij. Dhe, të gjitha këto,Kryetari i Partisë i bën, siç thotë vetë, NË EMËR TË POPULLIT PËR TË MIRËN E SHQIPËRISË.

Dhe, mos harroni!

Kryetari i Partisë, duke u sjellur kështu, nuk ka shkelur aspak Kushtetutën e Shqipërisë.

Përkundrazi!

Është Kushtetuta  e Shqipërisë që i jep Kryetarit të Partisë  këto Kompetenca Kushtetuese, ligjore, morale, që ta trajtojë Parlamentin, Qeverinë, Shqipërinë, si të jetë plaçkë malli e pronësisë së tij!

Edhe atëhere, kur Kryetari i Partisë mund të jetë përdorues i përditshëm i Drogave, Kushtetuta e Shqipërisë e ndalon Ligjin që ta hetojë  gjendjen patologjike të Kryetarit të Partisë.

Dhe e dini përse?

Sepse Kushtetuta e Shqipërisë i ka dhënë Kryetarit të Partisë komptencën kushtetuese që të jetë Oligarku Politik i Shqipërisë!

Oligarku Politik është ai që të shënon emrin në listën për  t’u  bërë deputet, pavarësisht se je anonomi.

Oligarku Politik është ai që të shënon emrin në listën për t’u  bërë ministër, pavarësisht se je Hiçi.

Oligarku Politik është ai që të shënon emrin në listën për t’u  bërë Kryeprokurori i Shqipërisë, pavarësisht se je analfabeti.

Oligarku Politik është ai që të shënon emrin në listën për t’u  bërë Kryegjyqtari i Shqipërisë, pavarësisht se je krimineli.

Pasandaj…

Oligarku Politik është ai që të shënon emrin në listën për t’u  bërë  Oligarku ekonomik i Shqipërisë.

Oligarku Politik ia jep pasurinë e Shqipërisë kujt të dojë ai, sepse Ligji është Oligarku Politik.

Oligarku Politik ia jep pasurinë e Shqipërisë kujt të dojë ai, sepse Kryeprokurori është Oligarku Politik, pranda ligji nuk e heton dot Oligarkun Politik, çfarëdo vendimi që vulos.

Oligarku Politik ia jep pasurinë e Shqipërisë kujt të dojë ai, sepse Kryegjytari është Oligarku Politik, pranda ligji nuk e gjykon dot Oligarkun Politik, çfarëdo vendimi që vulos.

Oligarku Politik në Shqipëri ka kam forcë, sa mund të blejë jo një ambasador të huaj të akredituar në Shqipëri, por, edhe 5, edhe 10, madje edhe të gjithë ambasadorët e karedituar në Shqipëri, por edhe gjithë kokën drejtuese të Bashkimit Europian, nëse duhet që Oligarku Politik t’i tregojë  popullit të vet muskujt e Pushtetit të tij, që ata, të këndojnë  të gjithë bashkë në korr: Oligarku Politik është vetë Demokracia në Shqipëri!!!

Kjo është sot Shqipëria.

Mbretëria e Oligarkut Politik….

Kush do të bëhet disident i Oligarkut Politik, rrugën e ka të hapur, të sikteroset nga Shqipëria.

Jo vetëm një, dhjetë, njëmijë  disidentë të Oligarkut Politik, por edhe sikur gjithë populli të bëhet disident e të sikteroset nga Shqipëria, sërish Shqipëria mbetet  mbretëria e Oligarkut Politik.

Sepse, edhe sikur të mos mbesë asnjë shqiptar në Shqipëri, që të shkruhet në listën e Oligarkut Politik për deputet, për ministër, Oligarku Politik, ka kaq para,  sa të blejë milet internacionalist, edhe nga Azia, edhe nga Afrika e të mbushë listën e Partisë së tij me mallin- njeri!!!

(Kosova Sot)