Gazeta “KOSOVA SOT”- “zëri i lirisë” dhe “roja e demokracisë”

Gazeta “KOSOVA SOT”- “zëri i lirisë” dhe “roja e demokracisë”
Gazeta “KOSOVA SOT”- “zëri i lirisë” dhe “roja e demokracisë”

Skender Kapiti

  • 03 April 2019 - 09:07

Kundër mashtruesve dhe keqbërësve publikë dhe tradhtarëve të shtetit e të shoqërisë

GAZETA “KOSOVA SOT” është në antitezë të thellë dhe kundër të gjitha të këqijave demokratike, kundër krimit të organizuar, atij ordiner, atij të vjedhjeve të pasurive kombëtare e të qytetarëve, kundër krimit e korrupsionit

Historia njerëzore është luftë dhe përpjekje e pandërprerë për lirinë. Liria kombëtare, fjala dhe mendimi i lirë, liria politike, liria ekonomike dhe të drejtat kombëtare, qytetare, shtetërore dhe njerëzore, vijnë dhe sigurohen në një shtetkomb të lirë dhe demokratik.

Përparimit dhe emancipimit të lirisë u ka paraprirë gjithmonë liria e shkruar, pra liria e penës. Moderniteti demokratik nuk do të kishte arritur sot deri këtu pa lirinë e shtypit, të shkrimit, botimit dhe përhapjes së lirisë që sot quhet liria e medias.

Hakmarrja e verbër

Gazeta gjithëkombëtare “KOSOVA SOT” që me lindjen e saj kishte misionin në shërbim të lirisë dhe çlirimit kombëtar të Kosovës; kundërvënies së guximshme të saj kundër makinerisë propagandistike mediatike të regjimit serb; kundër makinerisë kriminale, vrastare dhe genocidiste të shtetit kriminal serb të Milosheviqit. Dhe, si hakmarrje e verbër kundër këtij misioni kombëtar dhe çlirimtar që pati dhe luajti në ato kohë të vështira gazeta “KOSOVA SOT”, pikërisht dhe ditën kur NATO-ja filloi bombardimet mbi Serbinë, ditën kur filloi pashmangshmërisht çlirimi i Kosovës, më 24 mars 1999, u dogj , u shkatërrua dhe u rrënua edhe shtypshkronja e gazetës “KOSOVA SOT”.

Edhe pas çlirimit të Kosovës, prej 20 vitesh “KOSOVA SOT” vazhdon rolin dhe misionin e saj si tribunë e të vërtetave dhe të drejtësisë në mbrojtje të lirisë, të dinjitetit njerëzor e kombëtar në përballje të guximshme me padrejtësitë, krimin, korrupsionin dhe me vjedhjet, mashtrimet e manipulimet e politikës dhe të pushtetit, të politikanëve e të pushtetarëve; kundër pafytyrësisë, papërgjegjshmërisë dhe pandershmërisë së tyre; kundër zullumeve dhe tradhtive të zullumqarëve; kundër mashtruesve dhe keqbërësve publikë dhe tradhtarëve të shtetit e të shoqërisë.

“KOSOVA SOT” është dhe luan rolin e ligjit moral

Pra, gazeta “KOSOVA SOT” është në antitezë të thellë dhe kundër të gjitha të këqijave demokratike, kundër krimit të organizuar, atij ordiner, atij të vjedhjeve të pasurive kombëtare e të qytetarëve, kundër krimit të korrupsionit. Pra, do të thotë se “KOSOVA SOT” është dhe luan rolin e ligjit moral, edhe si “roje e demokracisë” dhe të vlerave kombëtare e demokratike, kundër pseudodemokracisë dhe patriotizmit të rrejshëm, kundër korrupsionit e tradhtisë, të cilat po i mbajnë peng shtetin, demokracinë, drejtësinë dhe integrimin; kundër shkaktarëve, prej të cilëve populli po vuan padrejtësie, papunësie, varfërie dhe që detyrohet që të marrë rrugët e eksodit dhe azilit.

(Kosova Sot)