Si po izolohen politikanët e Kosovës?!

Si po izolohen politikanët e Kosovës?!
Si po izolohen politikanët e Kosovës?!

Ragip Guraziu

  • 06 April 2019 - 08:06

Perëndimi nuk i bën hesap më këta pushtetarë

Klasa politike kosovare ka treguar se është e gatshme ta dëmtojë shtetin në mënyrë të pariparueshme. Nuk na ndau nga trualli pushtimi shekullor osman e serb, po na ndan papërgjegjësia e pushtetarëve tanë, të cilët janë mësuar të shëtisin jashtë vendit edhe për gjëra koti, por më nuk i thërret askush

Këta liderë të Kosovës nganjëherë duket se nuk e dinë as ABC-në e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke menduar gabimisht se përgjegjësitë dhe obligimet i takojnë vetëm palës tjetër. Me trajtimin e çështjes së demarkacionit, veçanërisht me tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale – pavarësisht a janë të drejta ose jo ato – klasa politike kosovare ka treguar se është e gatshme ta dëmtojë shtetin në mënyrë të pariparueshme. Perëndimi nuk i bën hesap më këta njerëz.

Këto ditë në mediet tona është folur dhe shkruar, madje janë emetuar edhe kronika filmike, për një dukuri të theksuar ikjeje njerëzish, kryesisht të rinj, nga Kosova. Dhe kjo detyrimisht të çon te konstatimi se nuk shihet gjëkundi perspektivë për ta në Kosovë, ndaj edhe vendimi i rëndë dhe i dhimbshëm i tyre për t’ia kthyer shpinën me lot e dhimbje Kosovës. Por, në esencë, ky lajm duhet të jetë më shqetësues për qeveritarët tanë, të cilët, me sa duket, vazhdojnë të mos e prishin “rehatinë” e tyre. Pos qeveritarëve dhe “komoditetit” të tyre të pushtetshëm duhet të ketë një shqetësim elementar qytetar sepse një fat i tillë mund të na përcjellë një ditë secilin nga ne. Kjo që po ndodh, 20 vjet pas lirisë së Kosovës, është më shumë se e dhimbshme.

Shpresat e thyera

Njëzet vjet më parë në drejtim të Kosovës vërshonte një lumë i njerëzve të mbushur plot shpresë e besim për të ardhmen e tyre. Dhe ç'metamorfozë (shndërrim) njëzet vjet më vonë: besim i humbur, shpresa të thyera, lumi ka ndryshuar rrjedhën në prapakthim! Ku u tret entuziazmi i këtyre njerëzve, ku humbën energjitë e tyre pozitive të atdhedashurisë, të shtetndërtimit dhe të jetës së re? Ku dhe pse u tret besimi në shtetin e lirë, të pavarur, sovran e demokratik? Në shtetin e zhvilluar, ku sundon rendi e ligji, drejtësia e barazia mes njerëzve?

Përse këta njerëz që nuk i ndau dot nga trualli stërgjyshor pushtimi shekullor osman e serb, po i ndan papërgjegjësia, por edhe babëzia e pushtetarëve të të gjitha niveleve, të këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të lirisë që brenda vetes kanë pesë vjet të pavarësisë. Hapësira jetësore ka degraduar, duke filluar nga kryeqyteti ynë, Prishtina dhe më gjerë, në të gjitha anët e Kosovës. Kudo e kahdo të zihet fryma.

Pastaj, a mund të mbahet shteti nga njerëzit që gjithçka që kanë arritur apo krijuar, e kanë krijuar me mashtrime e me rrugë të paligjshme brenda e jashtë atdheut?! Skandalet që po dalin përditë në qeverisje e në procesin e privatizimit si tenderomania në dy nivelet e pushtetit etj. a nuk e konfirmojnë këtë? Përse nuk i bëhet një analizë gjithë procesit të privatizimit, përse jo edhe të tenderomanisë në institucionet e shtetit (të të dy niveleve) dhe të ndërmarrjeve publike? Përse edhe ndërkombëtarët nuk e iniciojnë një gjë të tillë?

Përse ata merren me “krimet” e luftës e nuk merren me pyllin e krimeve politike dhe ekonomike të pasluftës? Përse nuk kujdesen për perspektivën e këtyre njerëzve e të këtij vendi për ç’gjë edhe kanë investuar? Nëse kanë ardhur për ta ndihmuar demokracinë, për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik, për të garantuar siguri dhe për t’i vendosur rendin dhe ligjin, për ta vendosur drejtësinë, atëherë përse nuk i bëjnë këto, por na përrallisin me “krimet” e luftës, kur kriminelëve të vërtetë të luftës askush nuk ua prish “tymin e duhanit”.

Po fitojnë mafia vendore dhe ajo ndërkombëtare

Pse nuk bëni merak për fatin e fëmijëve tuaj që duhet të jetojnë e krijojnë familje në një vend ku sundon “Maliqi e jo ligji”? Bile edhe keni kapërcyer nëpër katrahura të vështira për jetën tuaj dhe të familjeve tuaja, rrugën që dikur e nisëm së bashku, por tani është më lehtë se atëherë, ndonëse jo pa peripeci, e këtë po e shohim gjithnjë e më qartë. Ju prisni si dhelpra pas dashit, se ndoshta i bien herdhet! Mrekullia dhe mund të ndodhë! Unë nuk besoj në mrekulli, por besoj, sikur thotë edhe një urti angleze, se “Zoti ta jep atë që je i zoti ta marrësh me duart tua!''.

Tani kush po prodhon e kush po ndërton me pasurinë tonë, me paratë tona publike? Po fitojnë mafia vendore dhe ajo ndërkombëtare, të lidhura si “mishi me thoin”, në qëllimin e tyre grabitqar. Përse ua keni futur kokat ndër shalë këtij apo atij muskulmadhi ose muskulforti, apo mashtruesi ordiner? Përse nuk merakoseni se njerëzit nuk po shohin më këtu perspektivën e tyre, në Kosovën e pasur të njerëzve të varfër? Ata po ikin! Po përse po ikin nga vendi i të parëve me begati të pashtershme?

Përse nuk merakoseni nga po ju shkon pasuria publike e kombëtare që brezat e ruajtën si sytë e ballit? Përse, së paku, nuk bëheni zë mbështetës i atyre që dëshirojnë, që dinë e duan që Kosovës dhe njerëzve të saj t’ua kthejnë besimin dhe shpresën për punë e jetë të dinjitetshme? Përse bëni tifo për “arushën” që po jua ha dinjitetin, që ju e krijuat me sakrifica të shumta si tuajat, ashtu dhe të gjithë popullit tonë fisnik e liridashës?

(Kosova Sot)