Vallë, a ha bukë populli i Kosovës?!

Vallë, a ha bukë populli i Kosovës?!
Vallë, a ha bukë populli i Kosovës?!

Muhamet Kelmendi

  • 11 April 2019 - 08:57

Shumë prona të paluajtshme u dhanë me spinof special, por ato kurrë nuk e mbajtën veprimtarinë e përcaktuar

Në Taxhikistan veprohet me mjetet financiare të fituara në mënyrë kriminale në Kosovë nga dy subjekte, ai i familjes së Thaçit dhe të Pacollit, të cilat janë bërë bashkë dhe po ndërtojnë edhe në Gjermani, në Austri etj. Kjo duhet hetuar"!? Nëse është kështu? Ku është prokuroria?!

Në kuadër të të ashtuquajturës privatizim i aseteve shoqërore dhe shtetërore të Kosovës", të bëra nga HABITAT dhe më vonë nga AGJENCIA KOSOVARE E PRIVATIZIMIT, është shndërruar Kosova në pronë private të disa korporatave mafioze të lidhura me mafinë në Serbi, në Maqedoni, në Turqi e deri në Rusi dhe në vendet arabe.

Shumë prona të paluajtshme u dhanë me spinof special, por ato kurrë nuk e mbajtën veprimtarinë e përcaktuar. Thjesht, u shndërruan në vende për veprimtari tregtare apo për ushtrime të ndryshme të punëve jo prodhuese. Përmenda se lidhjet e privatizimit shkojnë deri në Rusi dhe në vendet arabe, madje edhe përtej oqeaneve. E thashë këtë për të treguar nevojën që PROKURORIA SPECIALE të merret me këtë çështje. Mjafton thashetheme në popull:
"Në Taxhikistan veprohet me mjetet financiare të fituara në mënyrë kriminale në Kosovë nga dy subjekte, ai i familjes së Thaçit dhe të Pacollit, të cilat janë bërë bashkë dhe po ndërtojnë edhe në Gjermani, në Austri etj. Kjo duhet hetuar"!? Nëse është kështu? Ku është prokuroria?!

Po çka të thuhet nga privatizimi i bërë?

Fabrikat dhe kombinatet që kishte Kosova, sikundër edhe kooperativat bujqësore, prej nga u mbushnin hambarët e Kosovës me drithëra, sot janë në pronë të ETC-së, të Lesnës, të HIB, të Dukagjinit, të Devollit, të politikanëve, si të Thaçit, të Xhavit Halitit, të Selimit dhe të tjerëve, me 2 - 3 qind e më shumë hektarë tokë.
Kjo tokë e privatizuar po shndërrohet në parcela për ndërtimin e fshatrave të ndryshëm. Vetëm në Prishtinë dhe rreth saj janë 10 fshatra me mijëra hektarë tokë të shkatërruara, kryesisht tokë bujqësore. Po ku mbeten fabrikat dhe kombinatet? Ato u privatizuan dhe u shkatërruan. Në Pejë duhet përmendur fabrikën “Ramiz Sadiku”, kombinatin e drurit dhe të këpucëve, si dhe shumë tokë.

Në Ferizaj Fabrika e gypave, ajo e vajit dhe e mobilieve, të shkatërruara dhe të vjedhura. Në Prishtinë Amortizatorët, Fabrikën e Tepihëve, Kombinatin e tullave, mishtoren. E çka të thuhet për Mitrovicë. Atje asnjë fabrike nuk punon. Të gjitha janë shkatërruar dhe privatizuar. Kështu është edhe gjendja në Gjilan, në Prizren dhe në Gjakovë.


Kudo kemi kalim të pronës shoqërore e shtetërore në pronë private, e cila ka krijuar konflikte të ashpra në shoqëri. Ndërsa, toka bujqësore u shndërrua në tokë për ndërtim dhe shitje mbi bazën e parcelave tek stërshitësit e tjerë. Tash ka filluar i ashtuquajturi kooperim publiko - privat, si një formë tjetër e shkatërrimit të vendit, që do të shpie drejt shndërrimit të vendit tonë tërësisht në pronë të krimineleve dhe të mafiozëve.

Eksploatim i tipit skllavëror

Kështu po punohet në Gjilan, në Pejë, në Prishtinë dhe natyrisht se kjo formë ka gjetur mbështetje edhe në komunikacionin rrugor etj.
Ky privatizim ka krijuar një grup, e jo klasë, një grup tipike kriminal. Ai grup është ndërlidhur me politikën dhe me policinë, me gjyqësorin dhe me prokurorinë, si dhe ka krijuar gjendje të rëndë dhe një eksploatim të ashpër të tipit skllavëror.
Këtë skllavërim fillon dhe e gjen kudo në Kosovë. Nuk ka njeri në sektorin privat që merr më shumë të ardhura se 300 euro. Madje, në një përqindje të madhe, është nën 300 euro, duke shkuar deri në të ardhurat nën 200 euro në muaj. Këta punëtorë nuk kanë sigurime pensionale dhe invalidore, as sigurime shëndetësore dhe ato familjare. Punojnë pa sigurime dhe me orar të stërzgjatur.

Vetëm në vitin e kaluar kemi 17 veta që kanë humbur jetën në punë dhe tash familjet e tyre jetojnë në mjerim. Nuk gëzojnë pension familjar dhe sigurime të tjera, sikurse është ai shëndetësor.
E ata që marrin pension a ndihmë sociale mund të blejnë me 70 euro vetëm litarë për t’u vetëvrarë. Asgjë tjetër. Kemi kështu një gjendje të rëndë dhe të paperspektivë. Ndërsa, kriminelët dhe mafiozët, pushtetarët etj., jetojnë në jetë luksoze dhe vazhdojnë me eksploatim të ashpër të masave të gjëra. Vallë, a ha bukë populli i Kosovës?!

(Kosova Sot)