Nën qeverisjen e faktit të kryer

Nën qeverisjen e faktit të kryer
Nën qeverisjen e faktit të kryer

Lorenc Vangjeli

  • 14 April 2019 - 12:52

Pati një kuriozitet të ska jshëm, menjëherë mbas grabitjes në Rinas, për të gjetur se kush fshihej mbas maskës së silikonit të banditit të vrarë. Një englendisje publike, së cilës Policia i dha vetëm një përgjigje të pjesshme.

Në thelb, ajo ishte një përgjigje formale sepse mbas asaj maske të lëmuar plastike, me syze e pak mjekër, fshihej jo portreti i një individi me plumb në kokë, por shumë më shumë se kaq.

Ajo maskë fsheh fytyrë për fytyrë të gjithë ata njerëz, me pushtet të djeshëm dhe të sotëm, duke nisur që me ata që kanë dhënë koncesionin e aeroportit, ata që duhet të ndjekin menaxhimin e kontratës dhe duke përfshirë koncesionarin, nënkontraktorin e sigurisë, dhe një zinxhir të pafundmë hallkash të tjera sigurie që kanë dështuar paralelisht me njëra-tjetrën dhe në të njëjtën kohë nga padija, nga implikime korruptive, nga lehtësia kriminale përballë detyrës dhe nga dembelizmi tipik otoman që e kemi të trashëguar si kancer dhe që mbartet si kancer nga një sistem në tjetrin.

Guximi i një grushti banditësh që pushtoi aeroportin, afroi një mundësi dramatike për të rizbuluar dhe një herë sesa mëkatarë janë të gjithë ata që merren me një zeje kaq serioze sa fluturimi në veçanti dhe se sa amatoresk, sipërfaqësor dhe naiv është vetë shteti shqiptar. Një shtet që tenton të bëhet europian, por që vazhdon të sillet si një makinë e zhurmshme me avull në epokën e kompjuterave. Skandali i aeroportit e bëri politikën të ndahet dhe një herë, si përherë, në dy ekipe që luajnë pigpong me pataten e nxehtë të përgjegjësive dhe të denigrimit reciprok. Me një palë që e çon absurdin në ekstrem dhe e sheh Edi Ramën si organizator të grabitjes dhe nga ana tjetër me Edi Ramën që e sheh fajin të projektuar në Kinë.

Në të vërtetë, e gjithë java e grabitjes është pasqyrë e lehtësisë kriminale, me të cilën merren edhe gjërat më serioze në Tiranë. Në pasqyrë mund të shihen me radhë të gjithë ata, që edhe pse janë përgjegjës për të ndryshuar situatën në aeroport, nuk e kishin vënë re çfarë ndodhte dhe nuk bënë çfarë duhej që një gjë e tillë të mos ndodhte.

As koncesionari. As nënkontraktori i tij i sigurisë. As Presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetari i opozitës, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Transportit, deputetë të Komisionit të Sigurisë, drejtori i Policisë, grupi i menaxhimit të kontratës koncesionare dhe një batalion i tërë personazhesh të tjerë më pak të njohur, as njëri nga ta, pra, që duhet t’i kishin rënë me kohë kambanës së alarmit dhe që paguhen për të garantuar jo mrekullinë e munguar, por së paku normalitetin minimal, nuk ka reaguar. Ose ka reaguar pak e pamjaftueshëm në rastin më të mirë. 

Kjo indiferencë e përgjithshme, kjo rendje pas faktit të kryer, dëshmon mënyrën sesi reagojnë qeverisjet në Shqipëri përballë problemeve. Nuk quhet detyrë parashikimi, por vrapi me dihatje mbasi ka ndodhur hataja. Nuk kërkohen shkaqet, por synohet shërimi i pasojave. Nuk studiohet parandalimi, por nxitohet te ndjekja. Nuk zbulohet thelbi, por hyjnizohet forma. E thënë më thjesht, zjarri kujtohet kur i ka dalë flaka çatisë.

Kujtohet uji kur përmbytja ka marrë përpara shtëpitë. Kujtohet thatësira kur vapa ka kapur piskun dhe pikun e saj. Kujtohet rregulli kur hilja nuk mbaron më punë. Kujtohet doktori kur sëmundjes nuk i bën derman as Perëndia. Kujtohet Perëndia vetëm kur hesapi shkon drejt fundit dhe kur vajit i është tharë dhe pika e fundit e vajit. Apo e thënë më modernisht, siç do ta thoshin, fjala vjen në Lisbonë, kujtohet BEja vetëm kur vjen Brukseli në Tiranë.

Ndërsa Tirana sillet ende si një skaj province, ku burrat e politikës zihen si gratë për dashnorët e njëra-tjetrës dhe politika e burrave predikon ditën se dashurinë e blen vetëm dashuria dhe natën e paguan dashurinë me cash në dorë. Ky është problemi i vërtetë i asaj çfarë ndodhi këtë javë dhe jo çfarë realisht është parë se ka ndodhur. Prania e trupave ushtarake në Rinas e “çliroi” aeroportin nga papërgjegjshmëria e koncesionarit dhe do t’i mbajë larg tij banditët. Në fakt, mbas ngjarjes së fillimjavës, edhe nëse aty nuk do të kishte asnjë këmbë rojeje, askush nuk do të guxojë të afrohet për të grabitur. Më shumë se Ushtria e Policia, gardhin e shqyer të aeroportit do ta ruajë frika dhe vëmendja publike mbi të. Kështu do të vazhdojë të jetë edhe ca kohë kur për shkak të rutinës së të përditshmes, kjo histori do të harrohet dhe një grup tjetër banditësh do të hyjë sërish në aeroport për të grabitur. 

Dhe kjo javë do të jetë sërish një Déjà Vu, që do të rivihet në skenë me një njëjtin tekst, edhe nëse aktorët janë të ndryshëm. Tani për tani është koha për reflektim. Për të kuptuar se koncesioni i shitur lirë vite më parë, po i bën të gjithë shqiptarët të paguajnë më shtrenjtë për shumë vite me radhë. Tani, e gjithë shoqëria po paguan me turpin që na qeveris fakti i kryer. Kësaj here, fakti i kryer kishte pamjen e atyre që ikën në drejtim të paditur dhe me miliona euro në çanta dhe portretin e atij me maskë silikoni në fytyrë dhe një plumb të vetëm në kokë. Fatkeqësisht, mbas asaj maske, shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe politika lokale në veçanti, mund të shohë jo vetëm fytyrën e banditit të vrarë, por identikitin e saj hileqar dhe dembel, plot me vese dhe paaftësi ulëritëse.

(Kosova Sot)