Emigracioni...

Emigracioni...
Emigracioni...

Ibrahim Kelmendi

  • 15 April 2019 - 14:49

Tashmë dihet roli historik i emigracionit dhe i diasporës, në rend të parë, në rrjedhën e ngritjes së vetëdijes kombëtare (Rilindja Kombëtare Shqiptare e ka zanafillën tek diaspora shqiptare në Itali, në Rumani dhe në Turqi), pastaj kontributi në çlirimin e trojeve tona nga pushtuesit, po edhe rroli i tij gjatë shtet-bërjes dhe shtet-ndërtimit. Kujtesën e kemi të freskët dhe e dimë se sa shumë ka kontribuar emigracioni ynë gjatë këtyre katër dekadave, fillimisht duke ndihmuar në shkollimin e fëmijëve e të afërmve, duke ndihmuar për mbijetesë sociale dhe ekonomike, e veçmas ndihmat dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e një numri sish në luftë për çlirimin e Kosovës. 

Realitet është se në emigracion, nga Greqia deri në Finlandë, kemi mbi një milionë qytetarë të Kosovës, pothuajse kryesisht dhe tërësisht të etnisë shqiptare. Shteti zviceran ka statistika më konkrete për imigrantët shqiptarë nga Kosova, që është diku rreth 240 mijë veta. Në Gjermani duhet të jenë mbi 600 mijë, në Suedi rreth 80 mijë, e kështu me radhë, kurse në shtete të tjera, numri i tyre është më i vogël. Edhe përtej oqeaneve duhet të kemi të paktën 200 mijë emigrantë. Ky numër kaq i madh i emigrantëve, mbi një e treta e popullsisë se Kosovës, është një humbje e madhe demografike kombëtare, por është edhe një shans i madh për zhvillimin të përshpejtuar të shtetit tonë. 

Nga numri i përgjithshëm i emigrantëve, rreth 700 mijë duhet të jenë në marrëdhënie pune, kurse të tjerët të moshës rinore, ose ndonjë grua që është amvise klasike, si dhe pak pensionistë. Po të kishin gjithë këta vullnetin e mirë, i cili varet nga besimi se nuk do t’u keqmenaxhoheshin mjetet, dhe po të dinin se mjetet që do investoheshin në energjetikë, do t’u rriteshin rreth 20 për qind në vit, ky emigracion do të mund të investonte rreth 5 miliardë euro në Termoelektrana (TEC). Me këtë, në njëfarë mënyre, Kosova do ua kthente “borxhin” për kontributin që kanë dhënë emigrantët që katër dekada. Ata do të mund të vetorganizoheshin për t’i tubuar këto mjete dhe për t’i vetë-menaxhuar, sikur shteti ynë të garantonte dhe të merrte me seriozitetin e duhur çështjen e investimeve të tyre. Kursimet, patundshmëritë, bizneset e emigrantëve tanë u rritën mesatarisht 3 deri në 10 për qind në vit në vendet ku gjenden. Përse të mos duan ata që investimet e tyre në energjetikë këtu, në atdheun tonë, t’u rriten rreth 20 për qind në vit dhe kështu të motivohen kuadrot me përgatitje e përvojë të kthehen në Kosovë, për të përshpejtuar bashkarisht zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik? 

Dhe, po e patën të pamundur që të vetorganizohen për të bërë investim kaq fitimprurës për vetën e tyre, dhe kaq domethënës për zhvillimin e përshpejtuar të shtetit tonë, atëherë qeveria do duhej të angazhohej, duke ua kërkuar këto mjete, fillimisht si hua, me kamatë rreth 5 për qind në vit, duke u garantuar se do ua shndërronte në aksione kur TEC-i të fillonte me prodhimin e energjisë elektrike.

Vullneti i tyre tashmë për të investuar në zhvillimin e Kosovës (që unë do ta vlerësoja si një lloj ndihme patriotike), në rend të parë për interesa të tyre ekonomike, mund t’u rikthehet emigrantëve, nëse ata do të binden se klasa politike e Kosovës nuk i deshi ata vetëm sa për t’i shfrytëzuar deri në çlirim të Kosovës, që pastaj Kosovën e çliruar ta shndërronin në pashallëk privat, por për të krijuar mirëqenie për të gjithë. Asnjëri nga politikanët dhe qeveritarët as që u kujtua që t’u ofrojë një përfaqësim simbolik emigrantëve në Kuvendin e Kosovës (siç ka vepruar Kroacia, Italia,etj.).

Asnjëra qeveri nuk u kujtua të formojë ministri të emigracionit, siç e kanë disa shtete të botës që kanë më pak emigrantë se sa Kosova. Le të arsyetojmë se qeveritë e deritanishme nuk kishin kompetenca për t’u marrë me emigracionin, pasi UNMIK-u nuk ishte i predispozuar as që t’i pranojë që të regjistrohen emigrantët e Kosovës si banorë të Kosovës, e lëre më që t’i pranojë të rikthehen në Kosovë, kur disa shtete donin t’i kthenin ata që u kishte kaluar strehimi politikë. Qeveria e tanishme nuk do të mund të arsyetohet për mungesë të kompetencave, nëse do të vazhdojë të injorojë emigracionin. Të shohim si do të sillen në të ardhmen pushteti, policia, administrata, pasi u pavarësua Kosova.

Deri tani jemi dëshmitarë që vetëm sigurimet private i “mirëprisnin” emigrantët për t’i plaçkitur me sigurim “ekstra”, pa hyrë mirë automobilat e tyre në territorin e Republikës së Kosovës, ndonëse ato i kanë të siguruara. Deri tani jemi dëshmitarë se policët i “mirëprisnin” emigrantët që t’i gjobisnin për “rregulla komunikacioni”, për vendparkime “të ndaluara”, etj. 

Deri tani administratorët shtetërorë i “mirëprisnin” emigrantët për t’i maltretuar gjatë lëshimit të dokumenteve personale, duke i kushtëzuar me ryshfete. 

Deri tani gastronomia i “mirëpriste” emigrantët vetëm për të rritur fitimet e tyre. 

Më në fund, edhe familjarët po i “mirëpresin” emigrantët pothuajse vetëm për hir të ndihmave financiare dhe mirëpritja familjare ka nisur të zbehet për shkak se emigrantët nuk po kanë vullnet e mundësi për të ndihmuar si përpara. 

Në fund të fundit, emigracioni ynë ka rëndësi edhe si potencial turistik, pasi rreth 700 mijë emigrantë që vijnë gjatë pushimeve, mund të shpenzojnë në Kosovë një shumë të konsiderueshme gjë që shkon në dobi të ekonomisë së vendit. 

Në fund të fundit, emigracioni ynë ka rëndësi qoftë edhe vetëm si konsumatorë të prodhimeve bujqësore e blegtorale që Kosova ka nevojë t’i eksportojë. 

Disa emigrantë u angazhuan të investojnë në Kosovë, por pushteti nuk ishte i gatshëm t’i këshillojë, se ku është më me leverdi që të investojnë, nuk ishte i gatshëm t’u krijojë lehtësira procedurale ose që t‘i këshillojë që të mos i harxhojnë kursimet e tyre në ndërtimin e shtëpive luksoze e blerjen e banesave, pasi nuk është me leverdi që të investohet në to për t’i shfrytëzuar vetëm 2-3 javë në vit. 

Siç është i dëshpëruar populli në Republikën e Kosovës, e shkaqet mirëfilli dihen, edhe më shumë është i dëshpëruar emigracioni. Le të shpresojmë që qeveria e tanishme e Republikës së Kosovës, që kryesohet nga ish-emigranti Hashim Thaçi, do të përkushtohet për t’ua kthye vullnetin emigrantëve. Një gjest domethënës e ka bërë kryeministri Thaçi, duke emëruar emigrantë si këshilltarë për çështje të emigracionit e të diasporës. Sa mirë do të ishte që strukturat komunale të organizonin ndonjë mbrëmje rinore për rininë e emigracionit, ose ndonjë piknik, që t’ua bëjnë atyre më joshës vendlindjen e prindërve të tyre.Ndoshta, në të ardhmen e afërt, qeveria do të mund të ndajë mjete për të ndërtuar qendra pushimi e rekreacioni në bjeshkët e bukura të Kosovës për rininë tonë, brenda dhe jashtë shtetit, që atyre t’ua joshim më shumë Kosovën, të njihen me njëri-tjetrin, të shoqërohen e të miqësohen.

Bota investon për të joshur turistë, kurse Kosovës nuk i shkon ndërmend për t’i joshur emigrantët e saj, qoftë edhe vetëm si turistë. 

Në fund të fundit, se mos është më mirë që vetë emigrantët të organizohen për të ndërtuar në Kosovë qendra të vetat rekreacioni, për të organizuar lobingje për të mbrojtur interesat e tyre, duke gëzuar hisen e shtetit të Kosovës që u takon, pasi që për çlirimin e saj kontribuuan e sakrifikuan shumë.

(Kosova Sot)