“Beteja e Koshares” – sipas Xhavit Halitit

“Beteja e Koshares” – sipas Xhavit Halitit
“Beteja e Koshares” – sipas Xhavit Halitit

Ibrahim Kelmendi

  • 19 April 2019 - 12:37

Për shkak të (psudo)seriozitetit, do të kthej në tekst të shkruar disa fragmente nga intervistimi i gjatë i Xhavit Halitit, që mbrëmë (17.04.2019) e ka emetuar TV-Dukagjini.

Në fillim, të emisionit “debat plus”, moderuesi Ermal Panduri e prezantoi Xhavitin: “kemi në emision ish-themeluesin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së...” Xhaviti nuk bëri ndonjë korrigjim të këtij prezantimi.

Ju, Baca Jakup Krasniqi dhe Miku Dilaver Goxhaj, - meqë të tjerët, mercenarët, konformistët, konjukturalët, sikur nuk po i brengos komprometimi që UÇK-së po i bëjnë komplotistët Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi..., - nuk keni pas mundësi fizike e organizative të informoheni, drejtpërsëdrejti, por janë ish-anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes, Muhamet Kelmendi, Nënkryetar, Emrush Xhemajli, Sekretar, dhe të tjerë, që do të mund të informonin, nëse Xhaviti e ka formuar Shtabin e Përgjithshëm deri në maj 1998, kuar këta, edhe Xhaviti ishin në të njëjtën Kryesi të Lëvizjes, deri në Kuvendin e 5-të (maj 1998). 

Kam rastis të jem i pranishëm në mbledhjen e fundit të asaj Kryesia (prill 1998, në Tiranë), meqë më kishin thirr të informoja për ca zhvillime. Në të filluar të mbledhjes Xhaviti, në dukje krejt aksidentalisht dhe befasisht, ka shpërthye me kërcënimin, se tashmë UÇK-ja ka shtabin e saj të përgjithshëm, dhe Kryesia nuk guxon të zhvillon më aktivitete në Shqipëri për t’u përzier në çështje të brendshme të UÇK-së. (parafrazim). Për mua nuk ishte befasi ai kërcënim, ndërsa për kolegët e Xhavitit në atë Kryesi sigurisht që ishte, sepse ata, me fanatizëm e kanë përkrah deri në atë moment Xhavitin, sa herë që në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm e kemi kritikuar për sabotimet e UÇK-së. 

Gjatë këtyre 20 vjetëve nuk është prezantuar ndonjë akt themelimi, procesverbal apo protokoll, kur, kush, e ka themeluar atë farë shtabi që tani na prezantohet se e paskësh themeluar Xhavit Haliti. Mbase Baca Jakup dhe Miku Dilaver kanë par një dokument të tillë, meqë kanë pas qasje në arkivin përkatës.

E vërteta e hidhur është se Xhaviti duhet ta ketë themeluar “shtabin e rognerit”, në bashkëveprim me Azem Sylën dhe Hashim Thaçin, nëse nuk ka ndodh që Xhaviti t’i mashtron edhe ata me gënjeshtrën: “është themeluar shtabi i përgjithshëm dhe Daja i vogël (Azem Syla) është caktua komandant i përgjithshëm, Hashimi drejtor politik...” Nga ky matrapaz, me këtë karakter kontrovers që e shpërfaq gjatë këtij bashkëbisedimi, edhe ashtu mund të ketë ndodhur, meqë vet do të (dez)informon edhe kësaj radhe për në mori komplotesh. 

As kur është zgjedh Kryesia e re e Lëvizjes (maj 1998), nuk gjetëm të formuar një shtab të përgjithshëm të UÇK-së në Kosovë, por gjetëm vetëm një simulim nga këta tre komplotistë, që funksiononin tashmë si “shtab i rognerit”, nëse nuk po bëjë blasfemi që po e përdor këtë emërtim pezhorativ, tashmë famoz.

Fatkeqësisht komploti i tyre kishte ndodhur dhe ishte fuqizuar, sepse tashmë hapur e përkrahnin Jashar Salihu, Adem Graboci, Bilall Sherifi, Bardhyl Mahmuti, Agush Buja, Shaban Muja dhe të tjerë “krerë” të Lëvizjes, të angazhuar kryesisht në Nëndegën e Lëvizjes në Zvicër. Nga Gjermania nuk di të kenë pas përkrahës, por dy-tre anëtarëve në bazë, që kishin njohje të vjetër e familjare me Xhavitin. Rrjedhimisht as Kryesia e sapo zgjedhur nuk kishte potencial operativ për ta sanuar atë komplot, sepse në Kryesi Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Agush Buja i njihnin Xhavitin, Azemin dhe Hashimin si shtab legjitim, ndërsa Ali Ahmeti mbante qëndrim taktik, Sejdi Gega nuk ishte bollshëm i informuar për komplotin, prandaj nuk ishte i prerë në qëndrime, kurse Kryetari Bedri Islami nuk kishte ende informacion për komplotin që kishte ndodhur dhe pasojat e tij.

Në atë Kryesi fillimisht ngjaja sikur jam vetëm unë kundër “shtabit të rognerit”, sepse unë nuk isha në pozicionin e Aliut, që ishte më i informuar së unë, por që i duhej të taktizonte, që të mos e diskualifikonim për hakmarrës.
Të fortë “shtabin e rognerit” e bëri sidomos potenciali financiar, meqë në fillim ia dolën të grabisnin të gjitha mjetet e Fondit që grumbullonin veprimtarët në gjithë emigracionin, edhe në Gjermani, deri sa unë u përcaktova atyre t’ua tregoj bërrylin, duke penguar që, në vazhdim, t’i grabisnin edhe mjetet në Gjermani (edhe pse disa ditë para se të përfundon lufta, ia dolën të më mashtronin dhe i grabiten 8 milionë DM...).

Mbaj mend, sasinë e madhe për atë kohë, 240 mijë DM, në fund të marsit apo në fillim të prillit 1998, e ka transferuar në Tiranë Xhemajl Fetahaj. Ai, duke mos pas informacion për vendimin e Kryesisë, që mjetet të mos u dorëzohen më Xhavitit e Azemit, ia ka dorëzuar ato DM Xhavitit në aeroport të Tiranës, meqë, siç kam shkruar, Xhaviti ua kishte zënë priten financave të Fondit në aeroport të Tiranës e port të Durrësit, dhe i grabiste ndihmat financiare, edhe pse nuk ishte kompetent.

Mëpastaj Xhemajl Fetahaj e ka vuajt rëndë atë pabesi, meqë Xhaviti injoroi kërkesën e tij për t’ia kthye, që t’i dorëzonte në Kryesi, sipas vendimit...

Kryesia, sidomos tre anëtarët anti-rogneristë, të përkrahur edhe nga Kryetari Bedri Islami, po angazhoheshim që të formohet e konsolidohet shtabi i përgjithshëm në Kosovë, me shpresë se ai do të mund ta sfidonte efektivisht “shtabin e rognerit”. Ndërsa tre anëtarët që përkrahnin rogneristët (Jashari, Bardhyli dhe Agushi), nuk angazhoheshin konkretisht për të penguar konsolidimin e UÇK-së në Kosovë, por tërthorazi, duke u shërbyer atyre tre komplotistëve, ishin bashkë-sabotues e bashkë-koplotistë aktiv, sepse sidomos Jashari dhe Agushi ishin tepër aktiv që të mbledhnin sa më shumë mjete edhe nga shtetet tjera, deri edhe në Amerikë, dhe t’ua dorëzonin vetëm atyre tre komplotistëve...

Nuk e di saktësisht, kur në Kosovë shtabet e zonave janë marrë vesh mes tyre që ta koordinonin bashkarisht Kryengritjen, por nga dita kur komandantët e zonave janë përcaktuar për koordinim të përbashkët, do ta vlerësoja si themelim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së së Vegjëlisë çlirimtare të Kosovës.

Për këtë duhet të bëjmë hulumtime dhe ta zbardhim të vërtetën, që ta mbrojmë UÇK-në nga komprometimi që po ia bëjnë edhe tani gjarpërit, zekanët, dajat e “shtabit të rognerit”, si Xhavit Halit në këtë emision.

Në pyetjen, kush e ka marrë vendimin për të sulmuar kufirin në Koshare, Xhaviti bënë “fizkultura” karrabythëse për të anashkaluar përgjigjen dhe prandaj (dez)informon, si ka bashkëvepruar me kolegët e tij, marionetat komplotiste Ahmet Krasniqi dhe Bujar Bukoshi, se si ata kanë financuar “shtabin e rognerit”, që sabotimet e komplotet e tij kundër UÇK-së të kenë përmasa e pasoja sa më të mëdha. “Unë nuk kam pas informacion konkret, sepse asnjëherë nuk kam qenë në Koshare...”, - spekulon Xhaviti në minitën 4 e 15 sekonda (5’15”) të emisionit, kur moderatori insiston në përgjigje konkrete për vendimmarrje të sulmit në Koshare.

“Pas marrëveshjes që kanë bërë pjesëtarët e UÇK-së bashkë me protagonistët që kanë qenë aty, komandantë, ushtarë, - ku di unë qysh kanë qenë të organizuar ata, - sepse tani po del se ata paskëshin qenë të gjithë komandantë, pa ushtarë...”, belbëzon Xhaviti, duke menduar se po jepte përgjigje, pa qenë i vetëdijshëm se të tjerët, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, Baci Jakup dhe Miku Dilaver, po jepnin përgjigje tjetërfare, Jakupi se ai u kishte thënë të sulmonin dhe kishte caktuar Rrustem Berishën për komandant, ndërsa Dilaveri informon se ShP kishte marrë vendim për ta sulmuar kufirin në Koshare.

Vendndodhja e atyre që paskëshin bërë marrëveshje, për të cilët po (dez)informon Xhaviti, është Tropoja. Ndërsa “ata” janë ushtaraku Rrustem Berisha dhe shokët e tij, që prezantoheshin si ushtarakë “institucionalistë” (nën komandë vetëm të “komandantit suprem” IR).

“Mua më ka informuar komandanti i përgjithshëm, Azem Syla, për...” (5’20’’), belbëzon Xhaviti, për të anashkaluar përgjigjen në pyetjen, kush e ka komanduar “betejën e Kosharës”, dhe belbëzon për “hapje rrugësh për furnizime”. Xhavitit nuk i bie ndërmend fakti, se Azem Syla tashmë, në prill 1999, po simulonte “ministrin e mbrojtjes”, ndërsa “kryeministri” Hashim Thaçi po simulonte edhe “komandantin e përgjithshëm”. Kjo kakofoni xhavitiane, është tepër komprometuese për UÇK-së, bile më komprometuese se sa vrulli i orkestruar i (b)analistëve, që tashmë nuk po rezervohen në fushatën e tyre denigruese – anti UÇK!

“Gjithë ajo përpjekje që ajo marrëveshje që kanë bërë ata mes veti, noshta, noshta, ka me met në histori. (...) aty kanë bë marrëveshje, ma shumë xhentëlmenësh, Nasim Haradinaj, Zoti Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, - atje janë shkuar Azem Syla, “Dervishi” (Burim Murmullaku, konkretizimi nga unë), ka qenë xhemajl Fetahaj...” (8’10”) belbëzon “zeka i zi”, kur përpiqet të taktizon që të bind panelistët, se megjithatë, nuk është kundër asaj “beteje”. 

Dhe sërish rezulton se Xhaviti nuk ka mbajt mend ndonjë urdhërim konkret nga zv-shefi Jakup Krasniqi, nga “komandanti i përgjithshëm” Azem Syla apo edhe nga Shtabi i Përgjithshëm (sipas Dilaver Goxhajt), por paska qenë marrëveshje “në mes xhentëlmenësh”!

“Sa i përket Kosharës, kam qenë vetëm vrojtues, sepse nuk kam dhënë ndonjë urdhër...” (11’5”), belbëzon Xhaviti, duke u munduar të shfajësohet para panelit.

“Në Osllo jemi marrë vesh vetëm për t’i bashkuar fondet...” (71’5”), (dez)informon Xhaviti. Është fjala për takimin mes “përfaqësuesve” të FARK-ut, Ahmet Krasniqi e Agim Mehmeti dhe “përfaqësuesve” të UÇK-së, Xhavit Halit e Adem Demaçi (në maj 1998).

“Komunikatën 59 nuk e di kush e ka shkrua dhe nuk e kam lexua kurrë...” (82’10”), belbëzon Xhaviti, ky “themelues” i shtabit të përgjithshëm (“shtabit të rognerit”)!

“Stemë nuk kishte UÇK-ja në vitin 1997...” (86’50”)

“Shefi i financave, i emnuem nga shtabi i përgjithshëm, me komunikatë, nga e ‘97-ta, i emnuem ka qenë Jashar Salihu, ndërsa në vitin 1998, nuk e di me datë, por ka pas një komunikatë publike dhe ka pas konsultime me qendrat e grumbullimit, shef i financave është caktua, profesori Mujë Rugova...” (87’35”), - dezinformon Xhaviti. E vërteta është se Profesori Mujë pat dezertuar në prill 1998 nga “qeveria e Bukoshit” dhe e kemi angazhuar si propagandist të Fondit në Gjermani, pa asnjë funksion konkret.

“Nga Ahmet Krasniqi kam marrë më shumë se tetë milionë...” (89’15”), - (dez)informon Xhaviti.

“SHIK-un e ka formua qeveria e përkohshme dhe ka lëshua komunikatë publike, me njoftim se Kadri Veseli është ministër i SHIK-ut (...) kryeministri Hashim Thaçi e ka emërua Kadri Veselin shef të SHIK-ut” (92’20”), - (dez)informon Xhavit Haliti. Këtë (dez)informim konkret e dëgjoj për herë të parë, meqë mendoja, mos ndoshta e kishte themeluar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, meqë në media na është prezantuar si shërbim i UÇK-së, e nuk paskësh qenë shërbim i UÇK-së!

Uroj, dikush tjetër të ketë vullnet të mirë dhe durim, të veçon fragmente tjera nga ky emision dhe t’i komenton, sepse po më shkaktojnë neveri irrituese këto belbëzime të “zekës së zi”, që po më ngjajnë më arrogante se sa të ndonjë UDBashi e titisti, i sojit të Azem Vllasit!

(Kosova Sot)