Autizmi, çfarë e shkakton? Roli i oksitocinës në përmirësimin e sjelljeve

Autizmi, çfarë e shkakton? Roli i oksitocinës në përmirësimin e sjelljeve
  • 13 May 2019 - 22:37

Nga Besmir Guri

Autizmi është çrregullim kompleks shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, e cili ndikon në mënyrën se si personi komunikon dhe sillet me njerëzit dhe mjedisin rreth tij. Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficientë Inteligjence të lartë si në rastin e sindromës Asperger, ose me vonesë të theksuar të zhvillimit mendor në rastin e autizmit të thellë.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Çrregullimi i njohur si autizëm u identifikua fillimisht nga psikiatri austriak Leo Kanner. Kanner përshkroi rastet e një sërë fëmijësh, të cilët kishin karakteristika të përbashkëta siç ishin: pakënaqësi me botën dhe njerëzit rreth tyre, mungesë dëshire për të luajtur me fëmijët e tjerë, nuk reagonin ndaj emrit të tyre, shpërthenin në nervozizëm nëse rutina e tyre ndryshonte, etj.

Kanner ishte i pari që foli për një sindromë të caktuar, autizmin e hershëm të fëmijërisë (ose sindromën e Kannerit). Megjithatë, që prej asaj kohe të largët, pavarësisht ecurive të mëdha që janë bërë, ende vazhdon të ketë shumë paqartësi rreth shkaqeve të autizmit dhe mund të themi pa hezitim se njerëzimi është ende në fillimet e tij për të kuptuar se çfarë ndodh në trurin e fëmijës me Autizëm.

DSM, Manuali Diagnostik dhe Statistikor i çrregullimeve mendore, flet për çrregullimet e spektrit të autizmit duke përshkruar shkallët e ndryshme të ashpërsisë në të cilat mund të ndodhë.

Simptomat e autizmit shfaqen para moshës trevjeçare: fillimisht kanë të bëjnë me vështirësitë e të folurit dhe komunikimit, dhe një vështirësi të dukshme në kontaktin emocional ndaj të tjerëve.

Në përgjithësi njerëzit me autizëm përjetojnë vështirësi në tri mënyra kryesore, këto njihen edhe si treshi i dobësive.

Bashkëveprimi shoqëror (i vështirë me marrëdhënie shoqërore, shembull: duket i ftohtë, indiferent dhe nuk tregon interes për njerëzit e tjerë).

Komunikim shoqëror (vështirësi në komunikim verbal dhe jo verbal, shembull: nuk kuptojnë kuptimin e gjesteve të zakonshme, shprehjeve të fytyrës apo tingullin e zërit, shmangin kontaktin me sy).

Imagjinatën (vështirësi në zhvillimin interpersonal të lojërave dhe imagjinatës, shembull: aktivitete të kufizuara imagjinative dhe të kopjuara në mënyrë përsëritëse duke mos krijuar por u fiksuar në detaje pa rëndësi).

Gjithashtu si shtojcë të treshit të dobësive, karakteristikë janë edhe sjelljet e përsëritura/automatike dhe kundërshtimenëse gjërat e përditshme ndryshohen nga rutina e zakonshme.

Vitet e fundit, flitet për një rritje të theksuar të fëmijëve autik, sepse shifrat tregojnë një rritje të theksuar të numrit të rasteve në popullatën e fëmijëve, por në të vërtetë, më shumë se një rritje të rasteve, kemi  një rritje të diagnozave për shkak të informacionit dhe ndërgjegjësimit më të madh mbi këtë çrregullim.

Dyshimet se ka lidhje me vaksinën

Me gjithë mohimet e përsëritura nga komuniteti shkencor, thashethemet kanë vazhduar të qarkullojnë për vite me radhë që autizmi ka lidhje me vaksinën e fruthit, por deri tani, asgjë e vërtetuar shkencërisht.

Çfarë e shkakton autizmin?

Ende ka paqartësi se çfarë e shkakton, por besohet se ka një komponent gjenetik. Të dhënat e fundit gjithnjë e më shumë sugjerojnë mundësinë e dëmtimit organik që ndodh në fazat zhvillimore të sistemit nervor, por në këtë pikë, dua të theksoj fort për nënat që vetëfajësohen për shkaktarin, se deri tani nuk ka asnjë të dhënë  shkencore që autizmi ka lidhje me diçka që nëna ka bërë gabim gjatë shtatzënisë.

Si trajtohet?

Ndërhyrjet që konsiderohen më të dobishme janë ato të një natyre sjellore për të përmirësuar marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve dhe zhvillimin e autonomisë së tyre në jetën e përditshme. Terapia sjellore ka treguar efikasitet në praktikë, veçanërisht nëse masat për identifikim, diagnostikim dhe trajtim janë ndërmarrë herët.

Edhe pse deri më tani terapia më efektive është provuar të jetë terapia e sjelljes, hulumtimi farmakologjik është përqendruar në rolin e oksitocinës (të ashtuquajturit hormon i dashurisë), e cila luan rol të rëndësishëm të sjelljes sociale me të tjerë. Nëse kjo e fundit do të funksionojë, pritet që të përmirësojë aftësitë sociale të fëmijëve dhe të rriturve të prekur nga autizmi.


(Kosova Sot Online)