Pse nuk e duan VETTING-un politika, pushteti dhe drejtësia as në Shqipëri dhe as në Kosovë?!

Pse nuk e duan VETTING-un politika, pushteti dhe drejtësia as në Shqipëri dhe as në Kosovë?!
  • 19 May 2019 - 20:20

Skënder Sadri KAPITI

Politika si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë kanë dështuar në ndërtimin dhe funksionimin e Shtetit ligjor. Ky dështim ka ardhur nga ajo se faktikisht: as politikës ,as pushtetit dhe as drejtësisë , sistemit të saj, nuk i ka interesuar as ndërtimi i shtetit ligjor dhe as zbatimi i ligjit.

Jo vetëm se nuk i ka interesuar: por politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri e në Kosovë e kanë sabotuar dhe e kanë penguar ndërtimin e shtetit demokratik, ligjin dhe zbatimin e tij.

Kjo për arsye se politikanët shqiptarë, pushteti politik qeverisës vendor e qendror dhe sistemi i drejtësisë janë në antitezë dhe në kundërshti e armiqësi të thellë me ligjin dhe me drejtësinë, pasi ata janë vetë abuzuesit, antiligji, antishteti dhe korrupsioni.

Nëse nuk kontrollohet, nuk monitorohet dhe nuk ka llogaridhënie para ligjit, para Kushtetutës dhe as para popullit pushteti dhe politika, atëherë aty shteti demokratik dhe ligji demokratik nuk funksionojnë.

Problemi kryesor që kanë shqiptarët nuk është se kush ka qeverisur dje, kush qeveris sot dhe kush do të qeverisin nesër.

Qeverisje, politikë e pushtet do të ketë gjithmonë, por problemi që duhet të zgjidhin shqiptarët është ky: se a do të mundet që shteti dhe shoqëria shqiptare ta kontrollojnë qeverisjen dhe pushtetin?

A do të mundin që t’i kontrollojnë ata të cilët vota popullore ua beson pushtetin dhe qeverisjen?

Nëse nuk kontrollohet, monitorohet dhe nëse nuk ndëshkohet pushteti dhe qeverisja e keqe antipublike dhe antipopullore atëherë do të ketë krim, korrupsion, vjedhje dhe padrejtësi. Ajo e cila e kontrollon edhe pushtetin, edhe politikën e drejtësinë e korruptuar dhe të kriminalizuar është vetëm ligji, sundimi i tij.

Dhe prandaj, pas 30 vitesh më në fund SHBA dhe BE ndërhynë për VETTING-un në Drejtësi dhe për dekriminalizimin e politikës në Shqipëri.

Kjo sepse politika, pushteti dhe drejtësia shqiptare ishin armiqtë më të mëdhenj të drejtësisë dhe si te tilla ato vetëm sa e penguan sa mundën miratimin e VETTING-ut ashtu sikurse nuk po lënë gjë pa bërë e marifet pa përdorur për ta penguar dhe për ta dështuar zbatimin e VETTING-t.

Me VETTING-un zgjidhet edhe problemi kryesor që kanë shqiptarët sot si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e që është: pastrimi, kontrolli dhe llogaridhënia ligjore e politikës,pushtetit dhe e drejtësisë në mënyrë që të mundësohet e të pengohen sa më shumë abuzimi, korrupsioni dhe vjedhjet e padrejtësitë e tyre.

(Kosova Sot Online)