Kombi, atdheu e shteti janë tjetër gjë, ndërsa pushteti e qeverisja janë gjë tjetër

Kombi, atdheu e shteti janë tjetër gjë, ndërsa pushteti e qeverisja janë gjë tjetër
Kombi, atdheu e shteti janë tjetër gjë, ndërsa pushteti e qeverisja janë gjë tjetër

Skender Kapiti

  • 27 May 2019 - 15:34

Primare janë kombi dhe atdheu, ndërsa qeverisjet e pushteti janë ligje dhe shërbëtorë të kombit e të atdheut.

Por politika e pushteti, politikanët dhe pushtetarër shqiptarë si në Shqipëri dhe në Kosovë janë në letargjinë anakronike dhe në kundërkohë sepse ato kuptojnë, dëshirojnë dhe veprojnë të kundërtën. Pushteti dhe politika shqiptare mendojnë e veprojnë atë se: ata duhet të rrëmbejnë edhe prerogativat, atributet e të drejtat e popullit, shtetit dhe të kombit, dhe madje marrëzia e tyre shkon përtej edhe asaj sa që ata pretendojnë të jenë mbi popullin, mbi ligjin dhe mbi shtetin.

Ky është konflikti permanent dhe i vazhdueshëm që ka shoqëria moderne shqiptare me politikën dhe me pushtetin.

Pse vuajnë shqiptarët, pse janë të varfër, pse janë të papunë, të pasigurtë dhe pse vetëm sa largohen nga atdheu,nga mëmëdheu i tyre?!

Kombi është si një fis i madh i cili jeton dhe e ndërton jetën, mirëqënien dhe sigurinë e tij në tokën e tij, në atdheun e tij, në mëmëdheun e tij. Kombi lufton dhe ndërton shtetin e tij. Kombi qeveriset nga pushteti dhe nga bijtë e bijat e tij më të mirë, nga baballarët e tij të cilët duhet t’i shërbejne atdheut si shërbëtore dhe ta mbrojnë atdheun e shqiptarëve si ushtarët më besnikë të tij.

Kombi shqiptar gjithë jetën e tij, në shekuj ka sakrifikuar e luftuar për lirinë ,pavarësinë dhe për shtetin e tij në tokën e tij të bekuar e të pasur kundër armiqve e barbarëve të cilët gjithmonë kanë synuar asgjësimin e shqiptarëve, pastrimin e trojeve shqiptare nga shqiptarët, genocidin dhe asimilimin e tij.

Shqiptarët, pse edhe sot kur kanë atdheun dhe shtetin e tyre të pavarur largohen nga atdheu, largohen nga streha, nga shtëpia e tyre e madhe dhe e përbashkët sikur i ndjek dhe i dëbon njerka?!

Kjo njerkë është pushteti, janë qeveritë shpirtliga, të pamëshirshme, janë qeveritë shqiptare të cilat kanë uzurpuar mëmëdheun e shqiptarëve; janë politika e politikanët shqiptarë; njerka janë ata të cilët janë mbi sovranin dhe mbi popullin që e përdorin dhe e shpërdorojnë, e vjedhin, e grabisin dhe e shfrytëzojnë popullin e vet për interesin e vet.

Janë njërka e shqiptarëve ata të cilët ua bëjnë të padurueshme dhe skleterrë jetën shqiptarëve. Janë ata që kanë kapur shtetin dhe që keqqeverisin me pushtetin e tyre të keq, dhe që prej zullumeve, prej padrejtësive dhe prej poshtërsive të saj shqiptarët braktisin shtëpinë e tyre, Shqipërinë, atdheun e tyre.

Zotëruesi dhe sundimtari i atdheut është populli, por atë e ka shfonësuar njerka e pushtetit dhe e politikës.

Sunduesit e shtetit në Shqipëri nuk janë ata të cilët duhet të jenë ushtarë dhe shërbëtorë e tij. Sunduesi në Shqipëri është “njerka” politikë dhe pushtet e cila është mbiligji, mbishteti dhe mbi sovrani. Dhe prej hijes së kësaj fantazme shqiptarët ikin e largohen nga mëmëdheu.

Atdheu dhe Shteti janë dhe i përkasin popullit, dhe se pushteti dhe qeversjet janë ligje të popullit për t’i shërbyer popullit, atdheut dhe shtetit të tij. Dhe populli ka të drejtë që t’i dëbojë, t’i kontrollojë, t’i ndëshkojë qeverisjet dhe që edhe t’i ndryshojë e të ndërrojë ligjet dhe qeverisjet.

Dhe kush është kjo njerka e ligë dhe e pamëshirshme që ua ka zënë dhe okupuar begatinë, lumturinë dhe shtëpinë shqiptarëve?

(Kosova Sot Online)