Monopolizimi Devollëve duhet të merr fund

Monopolizimi Devollëve duhet të merr fund
Monopolizimi Devollëve duhet të merr fund

Ramiz Bojaj

  • 23 June 2019 - 09:42

Zhvatja e mijëra eurove të qytetarëve të Kosovës, nga bandat e lidhura me pushtetin, jo vetëm qe duhet ndalur, por edhe të ndëshkohen. Devollët nuk janë vetëm, ata kanë përkrahjen e të fortëve të pushtetit, gjithnjë duke zhvatur e grabitur djersën e popullit, për ta kthyer atë në pasuri të një grupi të caktuar parapolitik e politik.

Nuk është vetëm homoligimi si metodë vjedhjeje e parasë së qytetarëve, por duhet rishikuar gjithë aktivitetin e kësaj kompanie, në mënyrë që të ndalët klientela funksionale edhe në kanalët tjera biznesore. Kjo kompani duhet të ndëshkohet edhe për dëmin që i ka shkaktuar PTK-së dhe Kosovës në përgjithësi.

Pas kësaj duhet të zgjerohet pista e hetimeve duke penalizuar edhe ata që favorizuan këtë kompani në dhënien e tenderëve. Pra, bazuar në fakte, fitimi i milionave euro në mënyrë jo të ligjshme, nga veprime fiktive, pastaj përmes tënderëve  shpifës e favorizues, importeve pa kriter e pa kontroll të duhur….. do duhej shtyrë hetuesit e sistemit të drejtësisë të veprojë, duke filluar me bllokimin e më pas edhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Por, pasi qe kjo kompani është e lidhur me oliarkët e pushtetit, besoj se edhe sistemi i ‘drejtësisë’ do të luajë rolin e të verbrit, duke mbyllë sytë, saherë viejn në pikëpyetje të fortët e pushtetit, ose të ndërlidhurit me ta. Për të vepruar, kërkohen heronj të drejtësisë, prokurorë e gjykatës, të cilët jashtë joshjeve nga mafio oligarkët, dinë e guxojnë të veprojnë me guxim e profesinalizëm kundër shkelësve të ligjit dhe ndaj gjithë atyre qe guxojnë të zhvatin djersën e popullit. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme duhet t’i kthehet popullit, sepse është mundi dhe djersa e tij. Populli kërkon ta forcojë shtetin e vet e jo bandat. 

Hetimi e hulumtimi nuk duhet të bëhet nga prokurorët ‘ortakë’ të pushtetarëve, por nga drejtësia e pavarur, kredibile e profesionale duke përfshirë edhe prokurorë ndërkombëtarë, në kuadër të një Vetingu të thellë, qe nënkupton, hulumtimin e krimit të thellë të tregun ekonomik, por edhe tek burimet e të hyrave materiale të kompanisë, duke përshirë edhe tënderët.

Por fillimisht ky proces duhet të fillojë në Kuvendin e Kosovës, për t’i hapë rrugë një Vetingu ndërkombëtar në të gjithë segmentet e shtetit të Kosovës. Kjo për faktin se Kosova ka shumë devollë zinxhirorë që zhvatin djersën e popullit në mënyrë të jashtëligjshme, grabisin e varfërojnë Kosovën, duke detyruar popullin qe të ikë nga vendi i vet, për të kërkuar një kafshatë buke ne vendet e perendimit.

(Kosova Sot Online)