Shitja e vajzave shqiptare në Serbi, do të thotë pushtimin pa luftë të Shqipërisë

Shitja e vajzave shqiptare në Serbi, do të thotë pushtimin pa luftë të Shqipërisë

Mehdi Hyseni

  • 10 gusht 2019 - 14:56

Kjo është strategjia më e rrezikshme afatgjatë paqësore  serbomadhe për destabilzimin  dhe për shkretimin demografik, territorial, kombëtar dhe shtetëror të Shqipërisë së sotme, sepse, nesër kur të rriten mbesat dhe nipat serbë dhe maqedonë, mund të venë në Shqipëri për të kërkuar  “hisen e vet” nga dajat e tyre. Këtë rrezik nuk po e shohin, ata, që kanë rënë në “dashurinë idiliko-romantike” me kolonizatorët pushtues dhe gjenocidalë sllavë të Ballkanit.

 *** Sipas burimeve të masmediave shqiptare, deri tash në Serbi  “janë shitur mbi 1000 vajza shqiptare” nga Shqipëria (1990-2019) !

 Mirëpo, kjo është formë e trafikimit të qenieve të gjalla, që rigorozisht është e ndaluar dhe e dënueshme sipas  së drejtës ndërkombëtare dhe konventave përkatëse ndërkombëtare.

Prandaj, kjo lloj shitjeje arbitrare dhe skllavëruese e vajzave shqiptare në Serbi qoftë për përfitime personale apo grupore, është e ndaluar dhe e dënueshme, pikësëpari sipas Kartës Universale për të Drejtat e Njeriut (e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 14 dhjetor 1948), ku Nenin 4 të saj thuhet: “Askush nuk duhet të mbahet si skllav ose në robëri; skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.”.

Po ashtu, edhe  në Nenin 16 të kësaj Deklarate Universale, thuhet se “Burrat dhe gratë në moshë madhore kanë të drejtë të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës, gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi. Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që do të martohen. Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.”

 Në rastin konkret të shitjes së vajzave shqiptare në Serbi dhe në Maqedoni, Shqipëria ka shkelur edhe këto dy nene të Deklaratës Universale për Drejtat dhe Liritë e Njeriut, si dhe konventat e tjera evropiane dhe ndërkombëtare të kësaj natyre.

  Shitja e vajzave shqiptare në Serbi dhe në Maqedoni, është arbitrare, johumane, joligjore dhe, tërësisht diskriminuese dhe antinjerëzore

 Pavarësisht nga gënjeshtrat dhe nga grackat politiko-propagandistike, tregtare dhe mafioze përfituese se gjoja  “vajzat shqiptare me vetëdëshirë po martohen për serbët dhe për maqedonët në Serbi dhe në Maqedoni”, një shpjegim i këtillë është  absurd, banal, antihuman, racist, antinjerëzor dhe antiligjor, sepse  vajzat shqiptare  nga Shqipëria (qofshin me kombësi shqiptare apo me kombësi serbe, malazeze, maqedone, vëllahe apo bullgare nuk po martohen në saje të dashurisë, në mënyrë të vullnetshme, me dëshirë në bazë njohjes dhe të lidhjeve e  kontakteve paraprake,  sepse burrat e tyre as që i kanë ëndërruar apo takuar paraprakisht  ndonjëherë në jetën e tyre, qoftë në Maqedoni apo në Serbi.

Gjtihashtu, është racist dhe johuman “konstatimi” i trafikantëve dhe i bashkëpunëtorëve ndihmës të tyre, se gjoja vajzat shqiptare, që po i shesin në Serbi dhe në Maqedoni “nuk janë me kombësi shqiptare, por të kombësisë serbe, maqedone, malazeze, bullgare, dhe se ato po i martojnë me serbë e me maqedonë, kinse  për shkak të varfërisë dhe papunësisë në Shhqipërinë Verior”!?

Ky është gënjeshtra më e madhe e shitësve të tyre dhe i rrjetit blerës të shërbimeve zyrtare propagandistike  agjenturore  serbo-maqedone, në mënyrë që të blejnë sa më shumë  vajza shqiptare, në mënyrë që ta boshatisin dhe ta shkretojnë  sa më shumë Shqipërinë  në kuptimin e struktures së saj demografike dhe etnike.

Sa më sipër, as de fakto e as de jure, një “justifikim”  I tillë nuk është i pranueshëm, sepse ato vajza nuk po martohen me vullnetin dhe me dëshirën e tyre, duke shkuar vetë në Serbi dhe në Maqedoni për gjetur fatin e vet, por po shitën si lopët në pazar nga matrapazët e ndryshëm të “licencuar”.

– Po, sikur të ishte kjo e vërtetë, serbët dhe maqedonët nuk do t’i kishin blerë vajzat shqiptare, duke u paguar trafikantëve “ndërmjetësues” nga 1000, 2000, 3000, 5000 e 6000 euro.

 Mirëpo, këtë problem tejet sensitiv dhe, brutalisht antihuman, shteti shqiptar, duhet ta parandalojë menjëherë, pavarësisht se ato vajza që po shiten janë me kombësi shqiptare apo joshqiptare, krejt njësoj, askush nuk e ka atë të drejtë, që  ato t’i shes  në asnjë vend të botës, së këndejmi as në Serbi e as në Maqedoni, edhe nëse ato janë me kombësi serbe, malazeze, maqedone apo bullgare etj.

 –Shitja e këtillë me para përbën shkelje flagrante të drejtave dhe lirive të femrave sipas Deklaratës Universale të së dejtave dhe lirive të njeriut (14.12.1948), si dhe sipas konventave, rezolurave, protokolleve dhe marrëveshjeve të tjera, të miratuara nga OKB-ja.

 Lind pyetja, PO, sikur  të gjitha ato “1000 vajza” që janë shitur në Serbi dhe në Maqedoni, të ishin shitur në Turqi (1990-2019), a do të kishte reaguar Shqipëria si shtet dhe si shoqëri, sigurisht se po, sepse shitja e tillë në formë transaksioni kontrabandues është e ndaluar dhe e dënueshme me ligjet ndërkombëtare.

Pra, pa asnjë dyshim se kundër këtij fenomeni negativ dhe degjenerues, sigurisht se me arsye të plotë, do të kishin  reaguar njëzërit shqiptarët, sepse çdo formë e imponuar e tillë kontrabandiste e shitjes së femrave shqiptare në Serbi, në Maqedoni apo në Turqi…etj., është e dënueshme me ligjet ndërkombëtare.

–Po, atëherë, pse këtë transaksion tregtar skllavërues të femrave shqiptare në Serbi dhe në Maqedoni (1990-2019) deri më sot, nuk  e denoncuan as institucionet, as organet, as titullarët përkatës të shtetit shqiptar?

-Madje, këtë turp, këtë amoralitet, këtë anihumanizmëm dhe antikombëtarizëm nuk e denoncuan as subjektet e tjera politike dhe të shoqërisë civile siç janë organiztatat dhe shoqatat joqeveritare për të drejtat dhe liritë e njeriut, elitat akademike, inteligjencia intelektuale, si dhe nuk reaguan as kisha, as xhamia e as teqeja, të cilat qe 30 vjet janë politizuar në skajshmëri, duke tentuar të përzihen në çështjet më vitale politike, kombëtare dhe shtetërore (me qëllim të fundmë për t’i përçarë shqiptarët dhe  ta ndryshojnë historinë e tyre të derisotme kombëtare ), me qëllim që të dobësojnë dhe të zvetërojnë konstantën historike shekullore të përbashkësisë dhe  të unitetit kombëtar si vlerë e pashmangshme për të trija religjionet ekzistuese.

Mirëpo, ja, në  këtë “temë-shitjen e femrave shqiptare si skllave Serbisë dhe Maqedonisë”, (që nuk ka vetëm karakter banditesk tregtar të disa pazargjinjve të pashpirtë, por mbi të gjitha ka edhe  përmbajtje të thellë politike, sepse  ka për qëllim degjenerimin e femrave shqiptare, si dhe shkretimin e substancës tradicionale, zakonore, morale, etike, kombëtare dhe territoriale, të familjeve, të fshatrave dhe të qyteteve shqiptare në Shqipëri), ME KONSENSUS kanë dështuar të gjitha këto segmente përbërëse të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, sepse asnjëri prej këtyre faktorëve relevantë të shoqërisë nuk e ka ngritur zërin e kërkesës e as të protestës për ndëshkimin ligjor të këtij fenomeni shemtues dhe anticivilizues-shitjes së qindra e mijëra femrave shqiptare (si lopët) në Serbi dhe në Maqedoni.

Këtë turp dhe këtë padrejtësi,  nuk e lan as Deti Adriatik, të shiten femrat shqiptare si lopë në bursat e zeza të Serbisë dhe të Maqedonisë!?

  Çfarë shteti ligjor e demokratik është ai, ku femrat shiten si lopët në pazar në Serbi e në Maqedoni?!

 -Vetëm ata që nuk njohin parimin human, vlerat njerëzore, të drejtat dhe liritë elementare të njeriut (të garantuara me ligjet ndërkombëtare), lejojnë shitjen dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore vetëm për të fituar dhe, vetëm për t’u pasuruar dikush në kurrizin e viktimave njerëzore, siç është edhe rasti fatal i shitjes dhe i kontrabandimit të vajzave shqiptare nga Shqipëria  në Serbi  dhe në Maqedoni (1990-2019).

Kështu, diç kaq shemtuese, kaq antihumane, kaq antikombëtare dhe kaq antinjerëzore, deri më sot (1990-2019), kurrënjëherë nuk ka ndodhur në historinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë (as në feudalizëm, as në parakapitalizëm e as në komunizëm, 1912-2019).

Ky fenomen shemtues është fytyra më e zezë e moralit njerëzor, politik, kombëtar, demokratik dhe ligjor të shtetit të Shqipërisë, i cili është në kundërshtim flagrant me konventat, me rezolutat, me deklaratat, me protokoloet dhe me marrëveshjet ndërkombëtare dhe evropiane, sepse janë shkelur të drejtat dhe liritë elementare të vajzave shqiptare (pavarësisht nga identiteti i tyre nacional) në Shqipëri, të cilat matrapazët trafikantë shqipfolës përmes agjencioneve të tyre të “përmabrimit” (për të fituar para, d.m.th. për t’u pasuruar në kurrizin e viktimave) i kanë shitur dhe, ende janë duke i shitur sikurse lopët në tregjet kontrabandiste të njerëzëve në Serbi dhe në Maqedoni (1990-2019).

 Shitja e femrave në Serbi-formë e re kolonizuese dhe asmiluese e shqiptarëve

 Prandaj,  të gjithë heshtakët-aminagjinjtë, duhet të ndëgjegjësohen dhe të marrin  vesh se martesat imponuese-skllavëruese të vajzave shqiptareve në Serbi  përbëjnë një strategji të re pushtuese të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Ndaj, nuk ka asnjë dyshim se, kjo është forma më e lehtë dhe më e lirë për  tjetërsimin dhe për serbizimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre etnike. Këtë strategji e ndihmojnë në formë të hapur publike zhvillimi i kontakteve kulturore (filmi, teatri, këmbimi i kuadrove të ndryshme arsimore në relacionin Tiranë-Beograd), si dhe zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare përmes projekteve, investimeve dhe bizneseve të ndryshme, të krijuara anembanë Shqipërisë (1990-2019) dhe, anasjellatzi në Serbi.

 Kjo është “garancia”  më lukratieve e blerjes së numrit sa më të madh të vajzave shqiptare në Shqipëri, me qëllim të “importimit” të tyre në Serbi dhe në Maqedoni për t’ia ripërtërirë dhe shtuar farën dhe lozën sllave Serbisë së Madhe. Ky është qëllimi i fundit i shitjes së vajzave shqiptare në Serbi dhe në Maqedoni.

Mirëpo,  veç shqetësimit  30-vjeçar (1990-2019), ekziston parandjenja e frikës së arsyeshme se, kur të rriten djemët dhe vajzat mulate serbo-shqiptare në Serbi, ata një ditë, do të venë te dajat e tyre në Shqipëri  për të kërkuar hisen e tyre të pasurisë së paluajtshme (domethënë tokat dhe shtëpitë).  –Çfarë mund të ndodhë në atë rast? – Asgjë spektakulare dhe e papritur-vetëmse ekziston rreziku, se mund të përsëritet historia e gjenocidit serb në Bosnjë dhe në Kosovë e viteve të 90-ta të shekullit XX.

Mjerisht, një projekt i tillë tanimë ka dalë në sipërfaqe nga filmat dhe nga dramat “bratsvo-ubsitvo”, gjoja se as agjë nuk ka ndodhur  në Kosovë, gjatë viteve 1989-1999: “ mbi 13 mijë shqiptarë të vrarë; mbi 2000 të zhdukur; me 1 milion e gjysmë shqiptarë të dëbuar nga Kosova, si dhe me mbi 22000 femra të dhunuara shqiptare” nga  bandat terroriste dhe çetniko-fashiste paramilitare, militare dhe policore serbe, të cilat Kosovën e patën shndërruar në shkrum e hi si rrjedhojë e gjenocidit të tyre.

-Këtë leksion prognozues antihuman, negativ dhe armiqësor  antishqiptar, nipave serbë të shqiptarëve, do t’ua mësojë Kisha Ortodokse Serbe, që nga fëmijëria e tyre, duke i frymëzuar dhe helmuar me urrjetje dhe me armiqësi kundër shqiptarëve dhe territoreve të tyre etnike, ashtu sikurse në shekujt e kaluar, me qëllim të spastrimit të etnikumit shqiptar nga harta e Ballkanit. Kjo, mund të jetë “fitorja”  dhe “leverdia” nga kontrabandimi i shitjes së vajzave shqiptare në Serbi dhe në Maqedoni.

Pra, fatkeqësisht, ekzisotn rreziku potencial, që të reprizohet rasti i Bosnjës (1990-19995), ku çetnikët fashistë serbë nuk kursyen nga  terrori, nga vrasja dhe nga krimet e gjenoicidit, as nipat, as mbesat, as motrat, as gjyshet, as dajat e as dhëndurët e tyre, edhe pse me shekuj ishin të përzier me gjuhën dhe me martesat e tyre me boshnjakët myslimanë, të cilët mbi 90 për qind kanë qenë të martuar me vajzat serbe dhe, anasjelltazi.

 Vajzat shqiptare mund të martohen me këdo në botë, është e drejtë e tyre, por jo t’u shitën me euro e me dollarë kriminelëve vrastarë dhe  dhunuesve atavistë serbë, të cilët në Kosovë dhunuan mbi “22.000 mijë femra shqiptare” (1989-1999) !

 Në lidhje me këtë tragjedi ia vlen të rikujtojmë opinionin e gjerë bendshëm, atë evropian dhe ndërkombëtar, se për këto krime barbarike, asnjë nga dhunuesit terroristë serbë, ende nuk kanë dhënë kurrfarë llogarie penale ligjore qoftë para gjyqeve vendeore, qoftë para gjyqeve evropiane dhe ndërkombëtare !?

Pra,  ligjërisht, vajzat shqiptare kanë të drejtën të martohen me këdo dhe kudo në botë, por jo, askush nuk ka të drejtë që për interesa të veta, ato t’i shes si skllave në Serbi, në Maqedoni, në Greqi, më Mal të Zi, në Bullgari, në Turqi, në Bosnjë…etj.

Këtë të drejtë vajzave shqiptare ua garantojnë të gjitha konventat, deklaratat, protokollet, rezolutat ndërkombëtare për mbrotjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, të miratura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945-2019).

Prandaj, askush nuk ka të drejtë që këto instrumente ligjore  juridike ndërkombëtare,  t’i shkelë dhe t’i abuzojë, në asnjë formë, sepse bën vepër penale që sanksionohet nga gjykatat evropiane dhe ndërkombëtare për mbrotjen dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

 Duke qenë se qe 3o vjet Shqipëria ka të hapur kufijtë e saj ndaj vendeve fqinje dhe ndaj gjithë botës, gjë që këtë e provojnë edhe shifrat statistikore të ekzodit të mbi 1 milion e gjysmë shqiptarëve, të cilët kanë braktisur vendin për të gjetur strehë dhe kushte më të mira jetese në Evropë dhe në vendet e tjera të botës, nuk ekziston asnjë arsye dhe, asnjë justifikim moral, ligjor dhe kushtetues, që vajzat shqiptare të Shqipërisë të shitën si skllave si “macja në thes” për t’u martuar me serbë dhe me maqedonë në Serbi dhe në Maqedoni, gjoja se ato nuk paskanë zgjidhje tjetër veçse të martohen me serbë dhe me maqedonë të shtyrë në moshë nëpër fshatrat e tyre të braktisura nga njerëzit, ku nuk jetojn as shpendekeqet, lëre  më djemë e vajza të moshës së re.

 Çfarë shteti na qenka ai, kur vajzat shqiptare shiten si bagëtia në Serbi dhe në Maqedoni, pse  udhëheqësit e tij, qe 3o vjet nuk kanë marrë kurrfarë masash ligjore vendore dhe ndërkombëtare për pezullimin e këtij procesi të institucionalizuar dhe të bashkërenduar nga këto dy vende fqinje, me qëllim të shkretimit të Shqipërisë në aspektin demografik, kombëtar, moral dhe tradicional.

 Për zhbalancimin demografik dhe për pushtimin e Shqipërisë ( pa harxhuar  municion, armatime dhe pa dëmtuar ushtarë, policë dhe haranga të tjera paramilitare sikur që Serbia fashiste veproi në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, duke kryer 3 gjenocide kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve, gjatë viteve 1989-1999), Serbia, tanimë, në kohë paqeje (2000-2019) ka ndërtuar  dhe, me sukses po zbaton një strategji krejtësisht të re për asgjësimin e identitetit  kombëtar tradicional të shqiptarëve, në mënyrë legale kinse përmes disa agjencive serbe dhe shqipfolëse  për “ndërmjetësimin” e martesave serbo-shqiptare qe tri dekada po boshatis Shqipërinë, duke blerë vajza shqiptare me nga 1000, 2000, 3000…,6000 euro për t’i martuar serbët, me qëllim të shtimit të natalietit në viset e ndryshme të shkretuara të braktisura nga rinia serbe. –Atje, ku përpos ca pleqve moshuar, as qyqet e as sorrat nuk jetojnë, sepse kanë ngelur të pabanuara, të varfëra dhe të pazhvilluara.

 Autori është drejtor i Katedrës së Shkencave Politike dhe Diplomatike të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork, SHBA.

(Kosova Sot Online)