Kosova pas 6 tetorit: Nën presion nga SHBA për shkëmbim territoresh e nga BE për model të Bosnjës

Kosova pas 6 tetorit: Nën presion nga SHBA për shkëmbim territoresh e nga BE për model të Bosnjës
Kosova pas 6 tetorit: Nën presion nga SHBA për shkëmbim territoresh e nga BE për model të Bosnjës

Edmond Ekrem Krasniqi

  • 18 September 2019 - 15:06

Duke refuzuar opsionin e shkëmbimit të territoreve Kosova pritet që të përballet me opsionin e modelit të Bosnjës, por Kosova nuk duhet dorëzuar as presioneve nga Washingtoni për të parin e as presioneve të Bashkimit Evropian për të dytin, sepse shkëmbimi i territoreve dhe virusi e brendshëm si ai i Republikës Serbe në Bosnjë që të dy do ta dërmojnë Kosovën rëndë, i pari shpejt e i dyti dalëngadalë.

Që të dy, qeveria e tashme e SHBA-ve dhe Bashkimi Evropian, po bëjnë presion të rreptë ndaj partive politike të Kosovës që pas zgjedhjeve të heqin (apo suspendojnë) taksën doganore ndaj Serbisë për të rifilluar dialogun për një kompromis me Serbinë për të cilën Washingtoni i tashëm dhe Berlini kanë mospajtime se çfarë duhet që të përmbajë ajo, apo çfarë nuk duhet që të përmbajë.

Dëbimi i Këshilltarit Nacional për Siguri John Bolton nga posti tek shumëkush në Kosovë po krijon përshtypjen se tash qeveria e Kryetarit Donald Trump do të deklarohet njëjtë sikur edhe Gjermania në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, pra kundër idesë së rrezikshme për shkëmbim të territoreve.

Mirëpo këtyre ditëve zyrtarë të State Departamentit të pyetur nga dtt-net.com kanë refuzuar që të sqarohen nëse tash pas dëbimit të Boltonit qeveria e Trump do të jetë kundër kësaj ideje.

«Nuk kemi asgjë për të shpallur », ka thënë një zyrtar i tij i cili ka kërkuar që të mbetet anonim.

Në një situatë të këtillë dhe me emërimin e Mathew Palmerit për të dërguar të posaçëm partitë politike në Kosovë pas zgjedhjeve do të jenë nën presion edhe nga Washingtoni në njërën anë e nga Berlini dhe BE në anën tjetër si edhe më parë për t’i hapur rrugë rifillimit të dialogut.

Pala kosovare do të jetë në pozitë të vështirë për shkak të përçarjeve midis blloqeve perëndimore në të dy anët e atlantikut.

Por, për çfarë marrëveshje do të bisedojnë zyrtarët e Prishtinës dhe ata të Beogradit? Për njohje reciproke me shkëmbim territoresh  apo njohje reciproke me kufij ekzistues?

Dallimet e qëndrimeve midis qeverisë së Donald Trump dhe asaj së Kancelares Angela Merkel për kufijt e Kosovës mbeten në skenë.

Berlini deklarohet vazhdimisht kundër ndryshimit të kufijve dhe alarmon pandërprerë për rrezikun e destabilizimit të krejt rajonit dhe konflikteve të reja që mund të shkaktojë shkëmbimi i territoreve.

Por, qeveria e Trump deri më tash asnjëherë nuk është deklaruar në favor të integritetit territorial të Kosovës. Edhe pse zyrtarët e State Departementit së fundi po flasin për njohje reciproke ata asnjëherë deri më tash nuk janë deklaruar kundër shkëmbimit të territoreve ashtu siç për bënë zëshëm dhe rregullisht qeveria gjermane.

Se cili opsion do të fitojë gjatë negociatave të reja në pritje, kjo mbetet enigmë. Përgjigja më së shumti do të varet nga partitë politike në Kosovë, ato në qeverinë e ardhshme dhe ato në opozitë.

Gjatë tërë kohës së negociatave të ardhshme, qytetarët e Kosovës pritet që të joshen me premtimet për perspektivën drejt OKB-së, BE-së e NATOs, po aq sa nga perëndimorët aq edhe nga ata që do t’iu dorëzohen presioneve për kompromis në dëm të kufijve të Kosovës, pra rreth 18 për qind të territorit të saj atje në veri të vendit.

Ky opsion pritet që të shtyhet mbi supet e palës kosovare nga qeveria e tashme në SHBA pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Po në të njëjtën kohë, Gjermania dhe BE (pjesa dominuese e shteteve të saj) do të tentojnë që më të njëjtat joshje t’i bindin partitë politike të Kosovës, jo për shkëmbim territoresh, por për modelin e Bosnjës, përkatësisht Republikën Serbe atje, e cila është e dizajnuar dhe nënshkruar dy herë nga pala Kosovare (me 2013 dhe 2015) në Bruksel si Asociacioni i Komunave Serbe (AKS).

Jo vetëm udhëheqësit shqiptarë të Kosovës dhe partitë politike, por edhe krejt opinioni publik shqiptar i Kosovës do të ndodhet nën presionin e këtyre dy opsioneve prej momentit kur të  formohet qeveria e re në Prishtinë.

Pas formimit të qeverisë, do të aktivizohet edhe Hashim Thaçi me opsionet e tija që i ngjajnë atij të Aleksandar Vuçiçit, përkatësisht qëndrimeve të cilat tash së fundi po tingëllojnë njëjtë edhe nga diplomatët, zyrtarët e senatorët nga SHBA: një kompromis me të cilin që të dy palët të humbnin dhe të fitonin diçka.

Për Vuçiçin ky opsion do të thotë shkëmbim territoresh, sepse ai tashmë është deklaruar se nuk do ta njoh kurrë Kosovën me kufij të tashëm të saj.

E në këto rrethana, përkundër presionit të qeverisë së Trump për shkëmbim territoresh, do të vjen në skenë opsioni i BE-së për kompromis. Atij i thonë ASK, përkatësisht një Republikë Serbe në thelb por e maskuar me emërtim tjetër.

E gjatë kësaj kohe, tensionet në veri dhe provokimet me skenar dhe regji nga Vuçiçi nuk do të mungojnë për të arsyetuar teorinë e tij se serbët nuk mund të jetojnë lirshëm në Kosovë pa pasur pushtetin e tyre vetanak dhe në mbështetje të drejtpërdrejtë nga Serbia.

A ka opsion të tretë si rrugëdalje për Kosovën, duke ruajtur kufijtë e saj aktual dhe duke e ruajtur funksionalizmin e saj institucional e homogjenitetin e brendshëm territorial dhe institucional, pra për të mos u shndërruar në një Bosnjë jofunksionale ?

Ky opsion ekziston. Që të dy opsionet e para mund të refuzohen, por për këtë duhen udhëheqës që guxojnë të rezistojnë e të sakrifikojnë personalisht, por edhe një popullatë e cila nuk do të mashtrohet me premtimet për BE, OKB e NATO për të dhënë tokë Serbisë apo për t’u shndërruar në një Bosnjë të dytë jofunksionale.

Kosova dhe shqiptarët e saj nuk duhet dhënë asgjë Serbisë. Le të jenë Berlini, Brukseli dhe Washingtoni ata që t’ia bëjnë zgjidhjen Serbisë dhe rrugës së saj drejt BE-së, por jo në kurriz të Kosovës së vogël duke ia rrudhur edhe më shumë kufijtë e saj apo duke e shndërruar atë në një Bosnjë të tashme, për t’u marrë më pastaj me vite të tëra me kërcënimet e AKS-së të llojit të Republikës Serbe për vetëvendosje dhe bashkim me Serbinë.

Për të ruajtur kufijtë e saj të tashëm dhe evituar shndërrimin e Kosovës në një Bosnjë të dytë, vendit i duhen udhëheqës që do të jenë në gjendje që të sakrifikojnë personalisht e të mos iu dorëzohen presioneve të ndryshme të perëndimorëve e sidomos atij të gjykatës speciale për krimet e luftës.

(Autori është themelues i agjensionit të lajmeve dtt-net.com)

(Kosova Sot Online)