Integrimi evropian dhe “Shëngeni Ballkanik” i Ramaviç-Vuçiç

Integrimi evropian dhe “Shëngeni Ballkanik” i Ramaviç-Vuçiç
Integrimi evropian dhe “Shëngeni Ballkanik” i Ramaviç-Vuçiç

Enver Bytyçi

  • 02 October 2019 - 16:42

Gjermania i tha PO Shqipërisë, e ndërkohë i vu Edi Ramës nëntë kushte me një domethënie – të ikë nga pushteti! Por Rama në Nju Jork duket se mori ok e Kombeve të Bashkuara ta sfidojë edhe njëherë Perendimin. U pajtua me Aleksandër Vuçiç që të themelojnë Shëngenin rus të Ballkanit perëndimor.  Shengeni perëndimor i Ballkanit do të kishte në përbërje të tij Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Ndërsa Shëngeni i Vuçiç dhe Ramoviç, Serbi-Maqedoni-Shqipëri është projekt i Moskës! Megjithatë nuk do të ndalem te kjo temë. Por dua në këtë rast të shpjegoj se çfarë do të thotë vendimi i Bindestagut gjerman për t’i thënë Shqipërisë PO dhe Edi Ramës JO?!

Vendimi gjerman që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Europian është një vendim i cili mban derën hapur për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ndërsa nëntë kushtet e vëna janë dera e mbyllur e Edi Ramës për të firmosur çeljen e këtyre negociatave. Nëse dikush e lexon ndryshe qëndrimin gjerman, ai gabohet. Po pse Berlini luajti me dy porta me procesin tonë të integrimit. Sepse Gjermania është motori evropian, është lokomotiva e BE-së dhe nëse ajo refuzonte për të disatën herë çeljen e negociatave, shqiptarët do ta lexonin vendimin e saj me pesimizëm ekstrem dhe do të shuanin çdo shpresë për të ardhmen.

Nga ana tjetër Bundestagu dhe qeveria gjermane ishin para një dileme: Si do ta interpretonin qytetarët shqiptarë një PO për Maqedoninë dhe një JO për Shqipërinë?! Për një diplomaci solide, çfarë është ajo e Berlinit, nuk mund të shpëtojnë as detajet e një vendimmarrjeje sa i përket llogarisë së impaktit të tij. Prandaj grupet kryesore parlamentare në Bundestag u dakorduan që të ftonin shqiptarët në BE e të refuzonin Edi Ramën si përfaqësues të tyre.  Taoja u përpoq që të bëhej “ylli” i këtij “suksesi” në Berlin. Ndërsa Edi nuk e kuptoi se pikërisht personazhi i Toyota Yaris nuk duhej të gjendej në vendin e gabuar, aty ku qëndron dosja e Taos! Kurse Taulanti me praninë e tij në korridoret e Bundestagut kishte për qëllim të shitej në opinionin shqiptar “me duart si akullore”, por në fakt e komplikoi edhe më shumë situatën dhe i bindi plotësisht njëkohësisht aleatët socialdemokratë, se Edi Rama dhe kasta e tij duhen ndëshkuar.

Atëherë çfarë mund të ndodh në këtë rast me Shqipërinë? As më shumë, as më pak se vendit tonë t’i mbahet e mbyllur dera e integrimit. Gjermania votoi në Bundestag për një mbyllje të moderuar, pa dhimbje të mëdha, nëse Edi Rama heq dorë nga pushteti. Por Hollanda deklaroi hapur se nuk do të votojë variantin gjerman të hapjes së negociatave. Ajo do ta bllokojë më 17 tetor këtë proces, sepse ka prova të pakontestueshme se krimi i organizuar shqiptar në rritje të vazhdueshme ka mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë. Në fakt askush në Europë nuk dyshon për këtë. Por ka shumë prej atyre që mbyllin sytë para një gjendjeje të tillë. I tillë është Luigji Soreca, ambasadori i Mogherinit në Tiranë, i cili kushtet gjermane i quan si detyra shtëpie, të cilat janë pa rëndësi.

Hollanda nuk do ta votojë hapjen e negociatave. Po ashtu as Franca. Gjermania me vendimin e Bundestagut lan duart, duke na thënë ne shqiptarëve se jemi vetë ne përgjegjësit kryesorë për hapjen ose jo të negociatave si dhe integrimin tonë në BE. Nëse e lexojmë mesazhin gjerman, atëherë ai lexohet e zezë mbi të bardhë: - Largojeni Edi Ramën nga pushteti, nëse doni të vini në Europë! Kjo do të thotë se pengesa e vetme për integrimin e Shqipërisë në BE është kryeministri i vendit. Kjo do të thotë se Taoja, Tahiri, Gjushi, Gjiknuri dhe peshq të tjerë të mëdhenj të Rilindjes duhet të shkojnë në qeli. Ndryshe duhet harruar edhe kjo gosti me shampanjë e Edi Ramës.

Nuk pritet gjithashtu që diplomacia gjermane të aktivizohet dhe të përpiqet të imponojë vendet skeptike për të heq dorë nga vetoja e tyre për bllokimin e integrimit të vendit tonë në BE. Kjo sepse qeveria gjermane nuk mund të marrë përsipër përgjegjësitë e një qeverie të papërgjegjshme dhe të inkriminuar para opinionit publik dhe partnerëve të saj evropianë. Eshtë absurde ta mendosh një gjë të tillë. Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse qeveria e vendit tim, (vendit tënd) do të dëshmonte përkushtim për realizimin e standardeve demokratike. Në këtë rast, pavarësisht dështimeve, gjërat mund të lëviznin në drejtim të integrimit. Por nuk ndodh kësisoj. Edi Rama nuk ka vullnet politik as edhe dëshirë që ta integrojë Shqipërinë në BE. Ndryshe ai do të respektonte opozitën, alternativën e saj, fjalën dhe qëndrimet e saj politike. Ndryshe ai do të respektonte minimumi pavarësinë e pushteteve dhe nuk do të përpiqej që të gjithë tepsinë e pushtetit ta shijojë vetë. Sa kohë që ai do të jetë vetë ligji dhe vetë Maliqi, demokracia nuk do të funksionojë dhe një vend ku nuk funksionon demokracia nuk ka të ardhme në Europën e civilizuar!

(Kosova Sot Online)