'Shengeni Ballkanik, si pakti Tito-Enver për bashkimin doganor!'

'Shengeni Ballkanik, si pakti Tito-Enver për bashkimin doganor!'
'Shengeni Ballkanik, si pakti Tito-Enver për bashkimin doganor!'

Sali Berisha

  • 10 October 2019 - 15:25

"Ky akt shënon një përçarje të re dhe atavike nga presidenti serbomadh Vuçiç dhe argati i tij Zografi Bis i Ballkanit!"

Të dështuar në perspektivën e tyre europiane për shkak të karrigeve të pushtetit të tyre, që qëndron mbi krimin dhe korrupsionin, dyshja Vuçiç - Zografi Bis shpallën sot në Novi Sad një pakt të firmosur në vitin 1946 nga Josif Broz Tito dhe vasali i tij Enver Hoxha, atë të bashkimit doganor, i gjithë ky në kuadrin e shndërrimit të Republikës së Shqipërisë në Republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë.

Ata e quajtën këtë pakt, për të maskuar thelbin e tij përçarës antishqiptar, si Shengeni Ballkanik.

Në të vërtetë sot, serbomadhi Vuçiç dhe Zografi Bis kanë shpallur Mini- Jugosllavinë, në të cilën vendin e dikurshëm të Bulatoviçit dhe Rrahman Morinës, pra vendin e të dyve, e zëvendëson Zografi Bis dhe shpallin pa asnjë studim, Shengenin Ballkanik; në të vërtetë, Mini-jugosllavinë pa tre republikat e saj, Sloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, pa republikën e Kosovës.

Ky akt, i cili përveçse vendos Shqipërinë në ombrellën politike të Serbisë dhe e largon nga ajo e Brukselit, ka dy pasoja të rënda direkte mbi shqiptarët.

Së pari izolon dhe vështirëson Kosovën në qëndrimet e saj të drejta ndaj Beogradit.

Së dyti, shkatërron përfundimisht prodhimin bujqësor të Myzeqesë dhe të gjithë Ultësirës bregdetare dhe Fushës së Korçës, të cilat në kushte tejet të pabarabarta, duhet të përballen me vërshimin masiv të prodhimeve bujqësore të Serbisë nëpërmjet klaneve mafioze të Ramës dhe klientelës së tij.

(Kosova Sot Online)