Tragjedia kurde, barbaria turke

Tragjedia kurde, barbaria turke
Tragjedia kurde, barbaria turke

Nezir Kraki

  • 13 October 2019 - 17:24

Si Shqiptarë e dimë saktësisht çdo të thonë pushtimet dhe barbaritë e pushtuesve. Si Shqiptarë të Kosovës e dimë edhe më mirë si duken fytyrat e atyre që vinë në tokat dhe shtëpitë që s'iu takojnë për të vrarë e terrorizuar fëmijë, gra e pleq, pa asnjë arsye legjitime, veç për ta ushqyer megalomaninë e një lideri të verbuar nga dëshira për pavdekësi.

Kurdët e Sirisë janë më meritorët për shkatërrimin e shtetit terrorist islamik që disa barbarë të pacipë e të panjerëzi e ëndërruan si kalifat. Pa kurdët trima dhe të palëkundur, asnjë aleat s'do kishte sukses atje.

Dhe...çfarë ndodhi tash?

Derisa ky popull i dërrmuar nga varfëria e lufta, i sapodalë nga një periudhë terrori dhe barbarie, po provonte të riniste jetë normale në tokën e tij historike, një tweet me 140 germa, e riktheu brutalisht në terror. Amerika jonë, shpëtuesja jonë dhe e shumë popujve tjerë, papritmas dhe në habi të të gjithëve, i ktheu shpinën aletëve të saj, kurdëve të Sirisë.

S'kishte më njerëzi aty... dhe lideri i çmendur turk, i cili në çdo mengjes citon surate nga Kurani dhe flet për fenë si diçka paqesore, iu vërsul po atyre kurdëve të tradhëtuar që jetojnë në një shtet tjetër dhe të cilët nuk përbëjnë asnjë rrezik për rehatinë turke në Stamboll apo Ankara. Sqarimi i Erdoganit ishte se "kurdët mund të forcohen dhe të kërkojnë shtetin e tyre në Siri, Turqi e Irak". Prandaj, sipas tij, ishte urgjente që rreziku i imagjinuar të asgjesohej në embrion, ende pa marrë jetë.

E kjo çmenduri po bëhët pikërisht duke marrë jetë, jetë fëmijësh të uritur e të zbathur në zona ku mbijetasa është i vetmi kod që ndiqet. Kjo luftë e padrejtë po ndodhë duke terrorizuar një popull punëtor e trim, të dënuar nga historia dhe të nëpërkëmbur nga pushtete çnjerëzore. Sadam Huseini bënte prova të armëve bilogjike dhe i testonte ato mbi kurdët "e vet". Assadi i rrafshonte fshatrat dhe qytetet kurde të Sirisë ndërsa Erdogani sot bën teste politike dhe megalomanjake mbi të njejtët kurdë, duke cituar Kuranin.

Ndërkohë, në trevat shqiptare dalin individë që i gëzohen vrasjes së fëmijëve dhe luten për fitoren e Erdoganit derisa të tjerë s'kanë guxim as edhe një fjalë të vetme ta thonë për atë popull që dhunohet në sytë e botës.

Nuk e dua asnjë keqkuptim me këtë shkrim, lexojeni dhe rilexojeni e mos m'i kujtoni këtu të mirat e Turqisë. Jam haptazi për marrëdhënie të forta me Turqinë si shtet i fuqishëm por nuk jam dakord që si shqiptarë të bëhemi zagarët e një të çmenduri megaloman që ëndërron sulltanat në vitin 2020 duke na robëruar falë disa bandave që aksidentalisht janë gjetë në krye të vendeve tona.

Edhe diçka, googloni pak para se të komentoni se nuk kam kohë për ligjerata në fb.

***

P.s. Populli kurd është sot populli më i madh në numer i cili nuk ka shtet as identitet të stabilizuar në kohe e hapësirë. Janë rreth 30 milionë sot në botë dhe rreth 25 milionë prej tyre jetojnë në Turqi, Irak, Siri e zona tjera andejpari.

(Kosova Sot Online)