Sistem i qeverisjes prej njerëzve më të këqinj e të paskrupullt

Sistem i qeverisjes prej njerëzve më të këqinj e të paskrupullt
Sistem i qeverisjes prej njerëzve më të këqinj e të paskrupullt

Muhamet Hamiti

  • 05 nëntor 2019 - 11:47

Kakistokracia është sistem i qeverisjes prej njerëzve më të këqinj, më pak të kualifikuar, apo më të paskrupullt. Përkufizimi më i shkurtër: qeverisje prej qytetarëve më të këqinj.

Termin e ka farkuar një anglez, Paul Gosnold, në vitin 1644, gjatë luftës civile angleze, prej fjalëve greke ‘kakistos’ (më i keqi, prej ‘kakos’ –  i keq) dhe ‘kratos’ (sundim/pushtet).

Fjala është përdorur rrallë në shekujt XIX dhe XX në Britani e SHBA, ndërsa është ringjallur këto vitet e fundit të shekullit tonë në botën anglo-amerikane.

Ndonjë kundërshtar i Presidentit Trump e ka quajtur qeverisjen e tij kakistokraci, duke e akuzuar se ka zgjedhur njerëz të këqinj në administratë.

Gazeta “The Washington Post” niste kështu një shkrim të vetin më 13 prill 2018: “Sot ka qenë ditë e frytshme për fjalorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mësimet nisën në mëngjes, kur ish-drejtori i CIA-s John O. Brennan i cicëroi (në twitter) Presidentit Trump: “Kakistokracia jote po shembet”.

Kakistokracinë e pandehur të Trumpit e kishte denoncuar fituesi i Çmimit Nobel për Ekonomi, Paul Krugman, në një shkrim të vetin në “New York Times” në janar të vitit 2017, madje para se Presidenti i zgjedhur të merrte detyrën.

Se çfarë sistemi qeverisjeje mbretëron në SHBA është punë për qytetarët dhe komentatorët e këtij vendi.

Pyetjet që mund t’i shtrojmë ne këtu janë: a mund të kualifikohen sistemet e qeverisjes në Kosovë e në Shqipëri si kakistokraci? A do ta njohim edhe kakistokracinë kombëtare në vendet tona, tash që sistemi i më të këqinjve dhe më të paskrupulltëve në pushtet ka emër?

Autokracinë e kleptokracinë i kemi njohur e po i njohim mirë.

(Kosova Sot Online)