Duhet VETING edhe për listat të veteranëve të UÇK-së

Duhet VETING edhe për listat të veteranëve të UÇK-së
Duhet VETING edhe për listat të veteranëve të UÇK-së

Skender Kapiti

  • 10 February 2020 - 11:04

Kjo si një porosi për Kryeministrin Z. Albin Kurti dhe për Kryetaren e Parlamentit Znj. Vjosa Osmani. VETING është bërë fjala më e përdorshme sot në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo erdhi si pasojë e domosdoshmërisë absolute për pastrimin e politikës dhe të gjyqësorit në Shqipëri prej individëve me rekorde kriminale, papërgjergjshmërie, amorale, mosdinjiteti, papersonaliteti, pamerite dhe korrupsioni të cilët kanë kapur politikën, pushtetin, drejtësinë, shoqërinë,mediat, intelektualizmin, akademinë, patriotizmin dhe gjithçka tjetër. VETING-u në Shqipëri u miratua vetëm si pasojë e presionit dhe imponimit që u bënë SHBA-të politikës dhe politikanëve shqiptarë.

Kjo gjëndje realisht si e tillë është edhe në Kosovë, që do të thotë se edhe Kosovës i duhet një reformë radikale politike, juridike, shoqërore, arsimore etj.,pra i duhet VETING-u. Por problemi dhe shqetësim i madh publik dhe kombëtar në Kosovë por edhe ndërkombëtar nuk është vetëm politika dhe drejtësia por është bërë edhe me listat e veteranëve të UÇK-së për të cilën ka vite që flitet, shkruhet, akuzohet dhe denoncohet masivisht, publikisht dhe mediatikisht për një numër jashtëzakonisht të madh, një listë e manipuluar në mënyre abuzive dhe spekulative e dhënies së dëshmive veteran individëve me lidhje nepotike, familjare, korruptive dhe politike të cilët nuk kanë lidhje dhe që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për luftën, gjë e cila përbën vepër të rëndë penale për mashtruesit dhe manipulatorët të cilët kanë bërë me listat e ishluftëtarëve të UÇK-së. Këta veteranë të rrejshëm ndryshe quhen dhe do të shkruhen në histori si veteranët e votave për “politikën dhe për qeveritë”.

Ky fakt ka demoralizuar dhe zhvlerësuar vlerat e luftës dhe sakrificat, vuajtjet e meritat e luftëtarëve të vërtetë vepra e lartë e të cilëve barazohet me ata të cilët as kurrë nuk kanë qënë në luftë, as të mobilizuar dhe që nuk kanë asnjë lloj merite e kontributi për luftën. Dhe a mos vallë edhe për kontrollin apo monitorimin e rishikimin e listave të veteranëve të UÇK-së, a mos vallë duhet një organ apo strukturë monitorimi ndërkombëtare?! A nuk do të ishte kjo një notë negative për politikën dhe shtetin e Kosovës. Këtë nuk ia kanë borxh politikës, drejtësisë dhe shtetit të Kosovës as veteranët, as invalidët, as familjet e dëshmorëve dhe të herojve të UÇK-së, si dhe as populli dhe as taksapaguesit kosovarë prej taksave të të cilëve paguhen pensionet dhe marrin përfitime te tjera edhe veteranët e rrejshëm, pra grabitet e shpërdorohet buxheti i shtetit.

Fryrja e listës së veteranëve me vetaranë të rrejshëm ka bërë të mundur që veteranët e vertetë dhe meritorët të mos marrin një pension modest në masën më të mirë të mundshme që u takon, por si pasojë e kësaj fryrje me pseudoveteranë pensioni që marrin veteranët është 170 euro aq sa marrin edhe ata të cilët tashmë quhen dhe njihen si veteranë të rrejshëm. Falsifikimet ,mashtrimet,fabrikimi , trafikimi e lëshimi i certifikatave për veteranët e rremë në masën rreth 30% të tyre,kur ato kundërshtohen prej qytetarëve, prej ishluftëtarëve dhe individëve me role, kontribute dhe pozita kryesore të cilët kanë pasur në UÇK , si pra dhe sidomos nga dëshmitë e ishluftëtarëve të vërtetë e kanë nxjerrë zbuluar këtë skandal të rëndë sa ordiner dhe politik të kryer nga politika; skandal i cili i ka bërë një dëm jashtëzakonisht të madh vlerave heroike dhe patriotiko-kombëtare të luftës së UÇK-së si dhe dëm jo të vogël financiar shtetit të Kosovës për të cilat duhet të përgjigjen penalisht mashtruesit,autorët e mashtrimeve dhe të spekulimit të komisionerëve certifikatlëshues me vlerat e luftës. Për njeriun i cili nuk nuk ka turp edhe kur turpi i del sheshit në Shqipëri përdoret një fjalë e tillë : “mos ia vë re atij se e ka hëngër turpin me bukë”.

Pra edhe kjo puna e veteranëve të rrejshëm është turp e marre që e kanë hëngër me bukë si për ata që e kanë pranuar statusin e veteranit por edhe për ata të cilët kanë nënshkruar e vulosur këtë turp, madje për këta të fundit turpi e marrja rëndon më shumë edhe si mëkat i dyfishtë: edhe si mashtrim, por edhe si krim e korrupsion pasi ata kanë dëmtuar edhe imazhin e vlerës kombëtare të luftës por edhe të shtetit e të ligjit. Këtyre u është besuar dhe autorizuar e drejta për të kryer detyrën dhe përgjegjësinë institucionale, publike e shtetërore dhe jo për të mashtruar, spekuluar dhe abuzuar e trafikuar me dëshmitë e veteranit . Merre me mend se çfarë bëjnë individë të tillë kur atyre u bie në dorë posti i lartë politik e shtetëror , se çfarë spekuilimi, matrapazllëku e trafikimi mund të bëjnë këta të tillët me postin, detyrën, ligjin, shtetin, me drejtësinë, me paranë publike dhe me pasuritë shtetërore e kombëtare, që edhe i kanë bërë realisht në Kosovë.

Përderisa korrupsioni nëKosovëështë montuar në tërë sistemin politiko-juridik, qeveritaro-administrativ, ekonomik, arsimor, shendetsor dhe universitaro-akademik nuk kishte se si t’i shpëtonte edhe rasti i spekulimit, korrupsionit dhe abuzimit me listat e veteranëve të luftës. Ka korrupsion në çdo vënd dhe kudo, por të spekulohet kështu dhe kaq shumë , të abuzohet dhe të korruptohet edhe heroizmi, patriotizmi dhe sakrificat e dëshmorëve, të heronjve dhe të veteranëve të luftës kjo përbën kulmin e korrupsionit dhe të amoralitetit për politikën dhe pushtetin e një vëndi si një politikë korruptive, abuzive, spekulative dhe e një injorance e papërgjegjshmërie të pashëmbullt e cila i ka bërë dëm të madh publik dhe ndërkombëtar imazhit jo vetëm të luftës por edhe të shtetit të së drejtës, atij ligjor dhe demokratik të Kosovës.

Ky mashtrim dhe ky manipulim për interesa politike dhe përfitimi e korrupsioni me listat e veteranëve ka goditur rëndë psikoligjikisht dhe moralisht luftëtarët, invalidët dhe veteranët e vërtetë të UÇK-së. Kjo u ka dhënë mundësinë që të spekulojnë ,të hipokrizojnë, të hajgaren e të shpifin kundër vlerave të luftës ishshërbëtorët e regjimit serb, nostalgjikët e komunizmo-titizmit, UDB-shëve si dhe të shumë shqipfolësve egoistë, frikacakë e nihilistë të cilët urrejnë luftëtarët dhe luftën. Pra, a e kuptojnë mashtruesit dhe manipulatorët e listave të veteranëve se çfarë dëmi kanë bërë edhe me veprën e heronjve dhe të dëshmorëve të Kosovës, kur atyre me këto mashtrime e falsifikime kanë krijuar një “armatë” veteranësh të rremë si “pasues “ të rrejshëm të veprës, amanetit dhe të veprës së atyre të cilët dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për Çlirimin e Kosovës.

Prandaj duhet ngrituar nga parlamenti ose nga drejtësia një komision VETING-u për pastrimin e listave të Veteranëve të UÇK-së prej njollosjes me veteranë të rremë dhe për ta çuar në vënd vlerën dhe dinjitetin e Luftës më të lavdishme të shqiptarëve , atë të UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj.Është mirë që veteranët e pameritruar dhe të rrejshëm që të vetëlargohen dhe ta dorëzojnë certifikatën e veteranit, në të kundërt ligji të veprojë e të ndëshkojë penalisht mashtruesit e gënjeshtarët si dhe ata të cilët kanë manipuluar dhe trafikuar me lëshimine cetifikatës së veteranit.

Prandaj i takon Parlamentit të Ri dhe Qeverisë së Re të ndërmarrë nismën për VETING edhe për listat e veteranëve. Po kështu është vepruar edhe me dekoratat e larta shtetërore dhe presidenciale akorduar njerëzve të pamerituar por edhe të atyre me të kaluar të dyshimtë për veprimtari krimi dhe shërbimi ndaj regjimit serb, si dhe të atyre të afërmëve familjarë, të miqve dhe të atyre me lidhje partiako-politike për meritën siç mund të thuhet :”Të bërjes së asgjëje për Kosovën”.

Këto janë edhe arsyet që shumë personalitete meritore edhe i kanë refuzuar dekoratat e mirënjohjet të cilat përdeisa janë akorduar sipas kësaj procedure tregon se ato u jipen individëve të pamerituar prej personaliteteve të larta shtetërore po të pamerituar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"