Demokracia në Kosovë sipas dëshirës së liderëve

Demokracia në Kosovë sipas dëshirës së liderëve
Demokracia në Kosovë sipas dëshirës së liderëve

Shefik Shkodra

  • 13 May 2020 - 14:31

Kur i dëgjon fjalët e disa njerëzve zyrtar, të duket se je në ëndërr. përçudnimet e tyre janë të shumta, për të mos thënë, sa herë që flasin. Edhe njëherë po e përsëriti: s'ka më të mirë se ju, të zgjedhur, secili më manekin se shoqi! Veç kur flisni del që s'ka asgjë nga vlera politike e juaj e madje as njerëzore. U duket ju si lehtësi, pa menduar hiç të lëshoni fjalë e fjali para opinionit publik - kombëtar e ndërkombëtar.

Më parë e nënçmoni elektoratin e juaj si dhe gjithë qytetarët. Pa u tërbuar njeriu dhe pa pasur një zor të madh nga brendësia e UNI-t të vet nuk bën gabime me fjalë të veta, si disa tipa të partisë, tashmë komplotiste- LDK me liderin dhe klubin e saj. Secila fjalë e fjali dihet se matet dhe peshohet shumë nga qytetarët. Para pak ditësh njëri u thotë gazetarëve: - Albin Kurti është dashuruar në Serbinë..., edhe nëse është ashtu, një gjë e tillë nuk do të duhej të thuhet në opinion aq spontanisht. Nuk i vyejnë askujt etiketat për ta luftuar kundërshtarin politik, sepse qytetarët në masë të madhe kanë formuar opinionin e tyre për secilën parti dhe individ, anëtar të tyre, të cilët e kanë treguar veten në një mënyrë apo tjetër nëpër thjerrëzat e këtyre qytetarëve.

S'do mend shumë se bëhet një politikë primitive, jodemokratike, aspak e moralshme, e cila rrjedh nga liderët e ashtuquajtur dhe vijon përgjatë njëzet viteve. Keni krijuar opinion para këtij populli se, lideri i partisë është ai i cili duhet të votohet dhe të dëgjohet, pavarësisht sa është kreativ në lëmin politik, ekonomik dhe të rendit e ligjit. Me të shara e etiketa ndaj oponentit është programi i juaj. Asgjë të re qe njëzet vite. Veç një katandisje e një mishmash me parulla, duke u munduar të strehoni dhe maskoni paaftësitë e sinkronizuara, prej lideri të një partie te tjetri. Dhe vetëm improvizime, një iluzion i tejdukshëm me realitetin. Absurditeti më i theksuar  Isa Mustafa, kryetar i LDK-s, e thotë një fjalë të madhe: nuk i zgjedhin qytetarët figurat politike. Nuk voton populli për një ministër, për një delegat, etj. të ngjashme. Po kush e përfaqëson popullin, ai që do të duhej të dëgjoj këtë popull, apo një lider për hesape të tij?! Mirë e ke. Vetë liderët bëjnë zgjedhjen e tyre dhe për shërbimin e tyre. Kjo është e qartë qe sa kohë. Ti i zgjedh ata që të dëgjojnë dhe nuk janë vetja e tyre. Disa kukulla, që mund të luash me ta. Sovrani vetëm ka çuar pluhur dhe është munduar në zgjedhje duke të duartrokitur, si në gara sportive. Ti i zgjedh anëtarët e klanit tënd.

S'ka rëndësi aftësia dhe qytetaria e atij individi, madje edhe nëse është i dënuar për abuzime. E për abuzime të mos flasim. Kësaj radhe u pa, kur koalicioni prishet brenda kohës aq të shkurtër, duke pas rekrutuar edhe partitë tjera në mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Pse? Sepse, që të gjithë ata që ishin kundër nuk donin programin konkret për ndryshime, duhet që të mos ketë ndryshime sepse të gjithë pothuajse i ishin me "mizë pas veshi". Sepse duhet përgjegjësi për gabimet që i keni bërë në këto vite, njëri pas tjetrit, koalicion pas koalicioni, me uzurpime të votës e në emër të qytetarit, duke shpikur 'teori' të reja, sipas ju. - Qytetari nuk zgjedh figurat...Po demokracia qenka, të votojnë për liderin e ai të manipulojë sipas llogarisë së tij. Shihet se për njëzet vjet janë dhënë premtime si serialet turke, kur u realizuan premtimet ndaj qytetarëve për viza. Kur dhe kush e plotësoj premtimin për inkuadrimin e të papunëve, 150, 200 Mike?! Pra, lojërat e juaja politike me këta qytetarë janë shumë të pa përkufizuara, ireale, irracionale dhe në fund aq abuzive kundrejt elektoratit dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Po edhe një gjë, keni të drejtën e juaj, deri në atë masë kur qytetari i jonë është keq i tradhtuar prej liderëve, si që thonë, qytetari ka të drejtë të votojnë, por jo edhe të korrigjojë. Këtë shkollë politike e jep Isa Mustafa dhe Klubi i tij për demokracinë në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"