Për ti shpëtuar Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi ende paraqet rrezik serioz me planin për ndarjen e Kosovës

Për ti shpëtuar Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi ende paraqet rrezik serioz me planin për ndarjen e Kosovës

Gani Qarri

  • 20 June 2020 - 09:02

Shkruan: Gani Qarri

 “Duke pasur parasysh faktin se Gjermania është shteti më i zëshëm në gjithë Bashkimin Evropian me kundërshtimin më të vendosur të deritanishëm të projektit klandestin të Thaçit dhe Vuçiqit, për ndarjen e Kosovës dhe ndryshim e kufijve aktual të saj, akuza e deputetit Peter Beyer është jo vetëm paralajmërim por edhe alarm shumë serioz, që të parandalohet me kohë, më e keqja, si këmbimi i territoreve në dëm të Kosovës dhe dëbimi i popullsive nga trojet e veta. Kjo për vet faktin se frika nga Gjykata Speciale dhe marrëveshja e mundshme konspirative me Vuçiqin për ta amnistuar Hashim Thaçin nga ndjekja e kësaj Gjykate, mundë të jetë një motiv më tepër shtesë për vazhdimin e pazareve të ndyra nga presidenti kuisling që ndarjen e vendit dhe ndryshimin e kufijve edhe në Washington ta prezantojë si ide "të Kosovës".

Deputeti i partisë konservatore CDU, Peter Beyer, ka reaguar ashpër gjatë debatit parlamentar, akuzuar rëndë presidentin e Kosovës për përgatitjen e një pazari të ndyrë në kurriz të Kosovës, pasi që sipas tij pjesë e këtij pazari mund të jetë edhe shpërbërja e Gjykatës Speciale. Analisti politik Gani Qarri thotë se kjo çështje e ngritur nga Beyer duhet të merret seriozisht.

-Deputeti i partisë konservatore CDU të Gjermanisë, vendit më miqësor dhe dashamirës ndaj Kosovës, Peter Beyer, duke njohur mirë dhe nga afër ish ambasadorin problematik Richard Grenell i cili gjatë shërbimit rreth dy vjeçar në Berlin është konfrontuar dhjetëra herë me autoritetet e vendit mikpritës, sa që partitë kryesore përfshi edhe ato qeveritare kanë kërkuar publikisht dëbimin e tij, gjatë debatit parlamentar, me të drejtë ka alarmuar përsëri dhe akuzuar rëndë presidentin e Kosovës për përgatitjen e një pazari të ndyrë në kurriz të Kosovës, vetëm për shkak se pjesë e këtij pazari mund të jetë edhe shpërbërja e Gjykatës Speciale.

Prandaj duke qenë vazhdimisht prezent dhe i involvuar në zhvillimet aktuale politike, Beyer ka arsye të forta dhe të bazuara në fakte, për të cilat edhe kërkoi që më 27 qershor në Washington të ftohet edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ndërsa Richard Grenellin duke e njohur personalisht, ai e atakoi përsëri për shkak të “lojërave jo transparente”, i cili që nga marrja e detyrës së ndërmjetësuesit special nga presidenti Trump, nuk është deklaruar asnjëherë kundër ndarjes së Kosovës.

Ndaj deputeti gjerman Peter Beyer me shumë arsye u bënë thirrje Thaçit dhe Vuçiqit, që përfundimisht ti lënë pazaret e pista, të shikojnë nga Brukseli e kryejnë detyrat e shtëpisë ngase nuk na duhet shpërbërja e Gjykatës Speciale dhe e zyrës së prokurorit special, as ndryshimi i kufijve, sepse lojërat me kufij, kanë dëshmuar edhe në të kaluarën,se janë shumë të rrezikshme dhe do ta fusnin serish në gjakderdhje të reja gjithë Ballkanin perëndimor, të cilat nuk mund të jenë në interes të Kosovës por vetëm pjesë e një pazari të ndyrë” të Thaçit dhe Vuçiqit për krijimin e Serbisë së madhe”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"