Logjika e politikbërjes komuniste të Isa Mustafës po e shkatërron LDK-në

Logjika e politikbërjes komuniste të Isa Mustafës po e shkatërron LDK-në

Gani Qarri

  • 23 June 2020 - 15:52

Shkruan: Gani Qarri

 “Pikërisht për shkak të veprimeve anti-LDK, të Isa Mustafës edhe besimi i elektoratit në LDK, që nga zgjedhjet e 6 tetorit,ka filluar të bjerë gjithnjë e më shumë, sidomos për matufët si Isa Mustafa, i cili së fundi deklaroi që të mos vendoste populli as për formimin e qeverisë, përkundër votës së dedikuar segmentit politik i cili ka dalë i pari në zgjedhje”.

-Në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe sociale në Kosovë, pikërisht në vjeshtën e vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh të mirënjohur shqiptar, u takuan gati spontanisht, dhe ranë dakord të themelonin bashkërisht një grupim tjetër dhe më ndryshe politik, nga ai i krijuar para shumë vitesh nga komunizmi jugosllav, që do të merrte mbi vete artikulimin me besnikëri të kërkesave të shqiptarëve nën Jugosllavi.

Ky segment ndryshe nga grupi i pleqve të sotëm me në krye matufin Isa Mustafa që ndjellë vetëm probleme dhe përgatitë ndërkëmbëza politike kundër secilit që nuk i shkon atij dhe Hashim Thaçit për qejfi, do të kthehej në një Lëvizje Gjithë popullore dhe bëhej nismëtare e të gjitha proceseve të pluralizmit politik që atëherë gjendej në fazën fillestare të krijimit edhe në vet vendet shumë më të përparuara se Kosova të bllokut socialist.

Segment i cili u emërtua LDK dhe Kryetar të parë zgjodhi të madhin Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa anëtarë të kryesisë pati nderin të kishte figurat më të njohura të shkrimtarëve dhe intelektualëve zëmadh të asaj dhe kësaj kohe, që nga Dr. Fehmi Agani e deri te Akademik Mehmet Kraja, ky i fundit, sot kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ndaj duke pasur parasysh rolin destruktiv dhe në vijimësi konfliktuoz që Isa Mustafa qysh nga ardhja klandestine në krye të LDK-s, ka mbjellë vazhdimisht në kryesinë e saj, nuk do mend se qarjet do të vazhdojnë të thellohen edhe më shumë brenda për brenda partisë, sidomos tani pas shkarkimit të aranzhuar nga Isa Mustafa të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe katapultimit të nxënësit të tij të ledhatuar Avdullah Hoti, në pozitën e Vjosës.

Ky vendim i përçudshëm, pa radhë as rregull, vërtetë me shumë të drejtë krijoi pakënaqësi tepër të madhe dhe u kundërshtua ashpër, sidomos nga veprimtarët më të njohur veteran të LDK-s, si edhe vet deputeti i Kuvendit të Kosovës z. Fatmir Rexhepi, por dhe shumë të tjerë, të cilët kanë paralajmëruar publikisht, pasoja mjaft serioze për LDK-në, pas shkarkimit të turpshëm të Vjosa Osmanit, që nuk ishte shkarkim por diferencim komunist, sipas shembullit të LKJ-s jugosllave, ku Isa Mustafa mund të jetë ende anëtar teorik me librezë të kuqe në xhep.

Kështu që deputeti Rexhepi hodhi kritika të drejtpërdrejta ndaj një grupi të ngushtë të LDK-së të kryesuar nga komunisti i regjur jugosllav Isa Mustafa me përvojë të gjatë veprimi edhe si ministër i Rrahman Morinës, por dhe bashkëpunëtorë i Millosheviqit, i cili pas heqjes së autonomisë së Kosovës, në mënyrë që ta shkatërrojë përbrenda edhe partinë më të madhe të vendit, iu kthye infiltrimit në LDK, ku sot është argat i përbetuar i Hashim Thaçit dhe Listës serbe, i cili ka nënshkruar edhe formimin e "zajednicës" me kompetenca ekzekutive sipas kërkesës së Aleksandër Vuçiqit, që siç thotë z. Rexhepi kanë bërë edhe koalicion me te, në interes të tyre.

Ky propozim moralisht është tepër i pa vend, politikisht është shumë i gabueshëm por edhe në lidhje me besimin që elektorati ka treguar për Vjosën në zgjedhjet e 6 tetorit,tërësisht i papranueshëm, të cilin Isa Mustafa, duke mos pasur më shpresa për avancimin e vet politik, po e keqpërdorë rëndë, e kjo është goditje shumë e rëndë për çdo votues të LDK’së që e do LDK-në ,pak më ndryshe sesa që e do Isa Mustafa dhe një grup i ngushtë rreth tij, të cilët bëjnë koalicione edhe kundër votës së lirë dhe vetëm për interes të tyre. E siç thotë edhe deputetit Rexhepi 6 tetori ishte mesazh më i qartë i votuesit, i cili ka votuar për një koalicion tjetër e jo për koalicionet të cilat i ka shpifur Isa Mustafa tani, ndaj qarja në grupin parlamentar të LDK-s, për shkak të situatës edhe me Vjosa Osmanin, do të ndikojë edhe më shumë në funksionalitetin dhe stabilitetin e Qeverisë Hoti, mbase edhe në shkurtimin e jetëgjatësisë së kësaj qeverie edhe ashtu të brishte dhe aspak serioze.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"